E Shtunë, 31 Tetor 2026

I nxehti përhap avujt e arsenikut

FIER - Temperaturat e larta rikthejnë frikën e banorëve për helmimin nga arseniku i grumbulluar në zonën e ish-Azotikut në Fier. 

Edhe pse herë pas here është folur për projektet e largimit apo groposjes së tij, ende thasët me helme vazhdojnë të qëndrojnë në ambiente të hapura. Stina e nxehtë bën që përbërësit kimikë të shpërbëhen, duke u përhapur në ajër, çka përbën rrezik për jetën e banorëve të qytetit, veçanërisht të atyre të zonës së Zhupanit dhe Drizës. Pranë pikës ku është vendosur sasia e arsenikut afrohen fëmijë që luajnë apo kullosin bagëtitë e banorëve që jetojnë pranë. Kjo situatë e rënduar ka ardhur jo vetëm nga institucionet që nuk marrin masa, por edhe nga vetë banorët që nuk kanë rënë dakord që në këtë vend të bëhej groposja e arsenikut, duke e shtyrë për një afat shumë të largët zhdukjen përfundimtare të rrezikut. "Na tmerron ideja e ndonjë shpërthimi pasi është shumë nxehtë pranë thasëve", thonë banorët. Azotiku gjigant duket se tashmë po kthehet në kufijtë e një legjende. Deri pak vite më parë ishte shpëtimi për familjet shqiptare, por sot shikohet vetëm si tmerr për banorët. Janë më shumë se 830 metra kub arsenik që ndodhen në ambientet e ish-Uzinës. Për heqjen e tij vite më parë, shoqëria italiane "Selca" fitoi tenderin botëror, por ajo dështoi, duke e lënë arsenikun, i cili shfrytëzohej më parë si lënda e parë e prodhimit të plehrave azotike, shumë pranë familjeve të banuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›