E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memaliaj, 35 të shtruar nga uji i ndotur

MEMALIAJ - Ndotja e ujit të pijshëm shënon të sëmurë edhe në Memaliaj. Rreth 35 persona, nga të cilët 10 fëmijë, banorë të së njëjtës lagjeje janë shtruar dy 

 ditët e fundit në spitalin e qytetit me shenja të temperaturës së lartë dhe të vjella. Ata kanë deklaruar se, kanë konsumuar ujë nga çezma e shtëpisë. Burimet zyrtare spitalore në Memaliaj e mohojnë ekzistencën e një virusi problematik që mund të jetë përhapur si pasojë e konsumimit të ujit të pijshëm. Ndërsa familjarët e 35 të shtruarve, bëjnë apel për daljen nga kjo gjendje, e cila është e pakapërcyeshme për ta. Si të mos mjaftonte ndotja në rrjetin e ujit të pijshëm, qytetarët e Memaliajt duhet të përballen edhe me kufizime të shumta të tij. Specialistët e Ndërmarrjes së Ujësjellësit shprehen për gazetën se, amortizimi i tubacioneve dhe ndërhyrjet e paligjshme kanë shkaktuar ndotjen e ujit të pijshëm si pasojë e përzierjes me ujërat e zeza. Lagjja nr.3 në qytetin e Memaliajt vuan më tepër nga ky problem. Edhe me sy të lirë mund të shikohet përzierja e ujit të pijshëm me ujërat e zeza në momentin e ardhjes nga rubinetet nëpër banesat e kësaj lagjeje. Mësohet se kontrolli i ujit të pijshëm bëhet në Gjirokastër, në mungesë të një laboratori në Tepelenë. Përgjegjësi i Ujësjellësit të Memaliaj, Pajtim Çela, siguron se uji klorifikohet në çdo hapje të depos, por jo gjithmonë kryhet ky veprim. Sipas tij, ndotja shkaktohet edhe si pasojë e ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin qendror përcjellës. Individë të ndryshëm kanë gërmuar në tokë, duke hapur tubën me saldaturë dhe kanë lidhur më pas tubat, duke ndikuar që në brendësi të ujit të gjenden mbetje ndotjesh. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›