E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici merr peng e dhunon shtetasin

28/05/2009  Ngjarja zë fill pas përplasjes së të riut me efektivin. “Më dhunoi për 3 orë sepse e kundërshtova”

Policia e Gjirokastrës pezullon nga detyra punonjësin e saj, SHKB nis hetimet për rastin

GJIROKASTER - Efektivi i policisë së Gjirokastrës merr peng për tri orë dhe keqtrajton një shtetas për motive krejtësisht personale. Ngjarja e paprecedent ka ndodhur dy ditë më parë, por vetëm dje organet policore të Gjirokastrës kanë filluar procedurat konkrete lidhur me zbardhjen e plotë të saj. Efektivi i policisë Armando Gaba mësohet se ka rrahur, prangosur dhe kërcënuar me pistoletë shtetasin Qëndrim Çela 24 vjeç nga fshati Krahës i Tepelenës. Ky i fundit për gazetën “Metropol” rrëfen ngjarjen, e cila sipas tij ka qenë jo vetëm perverse në veprime ndaj tij, por dhe e pafalshme për një punonjës policie.

Pengmarrja dhe dhuna

Për Qëndrim Çelën veprimi i policit Gaba, ka ardhur si kundërpërgjigje ndaj ngjarjes së ndodhur në fillim të muajit prill të këtij viti në afërsi të Urës së Leklit në kufirin ndarës administrativ mes Gjirokastrës dhe Tepelenës. Në këtë ngjarje të dhunshme ku u përfshinë dy efektiva të policisë dhe Gardës së Republikës dhe vetë Armando Gaba, kishte si iniciator vetë Qëndrim Çelën, i cili nuk pranoi t’i kontrollohej automjeti nga Gaba që ishte në rolin e kreut të postbllokut policor të ngritur në këtë zonë. Duket se përballja e dhunshme mes Gabës dhe Q. Ç në momentin e parë të ngjarjes së para dy muajve ku Gaba u godit në krye të detyrës, nuk është kapërdirë dot nga vetë ai, i cili në këtë rast u godit nga një civil. Kjo me sa duket nuk e ka përmbajtur dot emocionalitetin e punonjësit të policisë që të ndërmerrte aktin e dhunshëm të denoncuar në polici. Ky i fundit ka pohuar ekskluzivisht për gazetën “Metropol” se është takuar me Gabën dy ditë më parë dhe ka pranuar të hipë në automjetin e policit për të pirë një kafe, siç pohon vetë ai në Virua në pikën veriore periferike të Gjirokastrës. Në momentin kur drejtimi i automjetit të drejtuar nga polici Gaba ishte në të kundërt të destinacionit fillestar, i dhunuari e pyeti atë se Viroi nuk ishte në drejtim të Lazaratit në vendbanimin e policit Gaba, por nga krahu tjetër. Përgjigja e efektivit të policisë ka qenë vendosja e dhunshme e prangave, goditja me grushte në hundë dhe në pjesë të tjera të trupit. “Kjo është ajo çfarë gatove ti në incidentin e mëparshëm”,-i është drejtuar polici civilit Çela kur ky i kërkonte atij ta lironte nga prangat ku e kish mbërthyer. Pas tri orësh, Gaba e ka lëshuar Qëndrim Çelën duke marrë me vete edhe shenjat e dhunës në trup. I gjendur në këto kushte, 24-vjeçari tepelenas i është nënshtruar një ekzaminimi mjeko-ligjor për të evidentuar shenjat e dhunës së pretenduar në trupin e tij nga ana e Gabës. Fill pas kësaj, ai ka bërë denoncim në komisariatin e policisë së Gjirokastrës për këtë ngjarje duke dhënë me detaje gjithçka që kishte ndodhur gjatë tri orëve që për të ishte pengmarrje. Ndërkaq policia e Gjirokastrës konfirmon denoncimin e bërë nga shtetasi Qëndrim Çela, ndërkohë që pohon se Çela ka marrë kontakt edhe me përfaqësuesit e SHKB-së rajonale ku ka dhënë të gjitha detajet elementare të kësaj ngjarjeje. Sipas zëdhënësit të policisë Gentijan Mullai, organi i shërbimit të kontrollit të brendshëm të policisë së Gjirokastrës, me të marrë deklaratat e bëra nga Çela ka informuar drejtorin rajonal të policisë Arben Hysenin. Nga ana e vet Hyseni ka pezulluar nga detyra efektivin e policisë së Gjirokastrës Armando Gaba deri në sqarimin e rrethanave. “Nëse gjithçka e thënë në denoncim është e vërtetë, për Gabën do të jetë e vështirë të qëndrojë në radhët e policisë së shtetit, ndërkohë që nëse prova e pengmarrjes do të rezultojë e mirëqenë, atëherë ai mund të merret i pandehur”,-ka pohuar për gazetën “Metropol” një burim nga Prokuroria e Gjirokastrës, i cili ka dashur të ngelet anonim. I njëjti burim e bazon këtë të dhënë në bazë të provave shkresore që ka dorëzuar në orët e pasdites së sotme SHKB e Gjirokastrës në organin e akuzës. Nuk është rasti i parë i dhunës që ushtrohet nga ana e policëve të Gjirokastrës tek personat civilë madje kjo është bazuar edhe nga raportet e formuluara nga korrespodentët e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të cilët kanë qenë të informuar periodikisht me këto fenomene.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›