E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helmohen 185 punëtorë të Durrës-Kukës

Një numër i madh punëtorësh që punojnë për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash janë helmuar nga ushqimi dy ditë më parë. Burime të sigurta nga stafi i kompanisë "Bektel Enka", që ka marrë përsipër punimet në këtë aks, mësohet se të paktën 185 punëtorë kanë marrë ndihmë mjekësore të enjten pasdreke, pasi kishin shfaqur sindroma diarreike.

"Rreth 185 punëtorë janë trajtuar me medikamente dhe serume nga mjekët që punojnë për kompaninë, pasi kanë pasur diarre dhe dobësi fizike. Sot, gjendja e tyre është stabilizuar", tha dje burimi i gazetës "Shqip". Një punonjës i kontaktuar me telefon nga gazeta tha se helmimi duhet të ketë ardhur nga mishi që gatuhet në mensën e punëtorëve. "Duke qenë një numër i madh punëtorësh, çdo ditë gatuhet një sasi e madhe mishi, që mbahet i ngrirë nëpër frigoriferë. Ne që hamë shpesh aty kemi vënë re se mishi nuk është gjithmonë i pjekur mirë, sepse kuzhinierët nuk kanë mundësi ta shkrijnë gjithë sasinë përpara se ta gatuajnë", tha punëtori, i cili edhe vetë ka pasur probleme shëndetësore gjatë dy ditëve të fundit. Ai shtoi gjithashtu se reagimi i drejtuesve të firmës "Bektel" ishte i shpejtë dhe situata u vu nën kontroll qysh pasditen e së enjtes.

Punëtorët e prekur nga diarreja janë kuruar në ambientet e firmës, ku për shërbimin shëndetësor kujdeset fondacioni "Linderman". Duke qenë se gjendja e punëtorëve nuk ka qenë e rëndë, mjekët e kantierit nuk e kanë parë të udhës të kërkojnë ndihmën e spitalit të Rrëshenit, duke e përballuar vetë situatën. Mësohet gjithashtu se nga ana e firmës amerikane që po ndërton tunelin kryesor të rrugës Durrës-Kukës, është kërkuar me urgjencë në Tiranë një sasi medikamentesh dhe serumesh, për të përballuar numrin e madh të të prekurve nga diarreja.

Nga ana tjetër, një inspektor sanitar që ka vizituar disa herë kampin e punëtorëve të firmës "Bektel Enka", tha dje se shkak për helmimin masiv është bërë mensa në Reps, ku ushqehen çdo ditë rreth 2000 punëtorë. "Në këtë mensë nuk ka kushte normale higjieno-sanitare dhe punëtorët janë gjithnjë të rrezikuar të preken nga helmimi", tha inspektori, i cili u bëri thirrje autoriteteve të shëndetit publik që të marrin menjëherë masa për normalizimin e situatës në këtë kamp, ku mund të shfaqen nga momenti në moment epidemi të rrezikshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›