E Diel, 1 Nëntor 2026

Hidhet nga kati i pestë nëna e tre fëmijëve

Tenton t‘i japë fund jetës duke u hedhur nga kati i pestë i pallatit ku banonte, por përfundon në spital, duke luftuar me vdekjen. Nëna e tre fëmijëve ka zgjedhur momentin kur në banesë ndodhej e vetme, rreth orës 12:00 të ditës së djeshme dhe është hedhur nga ballkoni i apartamentit të saj në katin e pestë. Leonora Mançe banonte në lagjen "Jani Vruho" të qytetit të Beratit. Fillimisht ajo ka rënë në tendën e dy kateve më poshtë dhe më pas ka përfunduar në tarracën e katit të parë, duke ngelur e plagosur rëndë. Kanë qenë disa banorë të lagjes, të cilët i kanë ardhur në ndihmë gruas, duke e dërguar në spitalin e qytetit. Burime pranë repartit të kirurgjisë në spitalin e qytetit thanë se 42-vjeçarja ka mbërritur në gjendje mjaft të rëndë për jetën, me shumë fraktura në kokë dhe në trup. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur më pas ekspertët e policisë, të cilët thanë se 42-vjeçarja vuante prej vitesh nga depresioni. Ajo nuk kish mundur të përballonte pasojat e divorcit të një viti më parë. Nisur dhe nga kushtet e rënda ekonomike, si pasojë e mungesës së një pune të sigurt, gruaja kishte vendosur t‘i jepte fund jetës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›