Çliroi pronën publike, kërcënohet zyrtari
Lirimi i një copë toke të zënë nga një qytetar ka bërë që të ndihet i kërcënuar një pushtetar vendor. Kryetari i Komunës Gjepalaj në rrethin e Durrësit ka denoncuar në polici një 54-vjeçar, i cili e ka kanosur pas dhënies së një vendimi për lirimin e një trualli. Fatmir Elezi, lindur në fshatin Gjepalaj e banues në lagjen nr. 1 të qytetit të Durrësit, me arsim të lartë, është vënë nën hetim për kryerjen e veprës penale të kanosjes për shkak të detyrës. Kryetari i Komunës Gjepalaj, Shijak, në kallëzimin e tij ka pretenduar se rreth orës 11:00 të së enjtes në këtë fshat, si pasojë e ekzekutimit të urdhrit administrativ të Këshillit të Komunës Gjepalaj mbi lirimin e një sipërfaqe toke të zënë nga Fatmir Elezi, është kanosur nga ky person. Strukturat e policisë, krahas kryerjes së veprimeve të para hetimore në vendngjarje, janë fokusuar në punën e tyre dhe në drejtim të ndjekjes së ecurisë së konflikteve të ndryshme të lindura midis shtetasve. Në këto raste, personat përgjegjës pranë policisë bëjnë thirrjen e palëve në konflikt në ambientet e komisariatit dhe i këshillojnë ndjekjen e rrugëve ligjore të problemit.