E Diel, 1 Nëntor 2026

Janinë, i mbijetuari i Gërdecit nuk e di ende se çfarë ka ndodhur

Një nga viktimat e ngjarjes tragjike të Gërdecit, 29-vjeçari Medi Celami, nga fshati Gurrë i Rrethit të Matit, prej 10 vjetësh banor i Gërdecit, aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Janinës. Ai ende nuk e di të gjithë të vërtetën e tragjedisë së Gërdecit. Nuk di për viktimat e shumta në radhët e bashkëfshatarëve dhe për shtëpinë e tij, që nuk ekziston më.

Jeta e Mediut u rrezikua seriozisht kur gjatë shpërthimeve të datës 15 mars në depot e demontimit të municioneve u plagos në kokë nga një send metalik që i shkaktoi hemorragji dhe prekje të trurit. Fillimisht, ai u shtrua në Spitalin Ushtarak në Tiranë dhe pas ndërhyrjes së parë kirurgjikale për pastrimin e plagës së marrë në anën e djathtë të kokës, ai u përcoll në gjendje të rëndë në spitalin e Janinës, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve në repartin e neurokirurgjisë, nga mjekë të specializuar në këtë fushë.

Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Janinë, Esheref Shehu, edhe ky mjek kardiolog në profesion, ishte njeriu që e ndoqi orë pas ore gjendjen shëndetësore të të plagosurit Medi Celami. Ai tregon se mjekët grekë kanë treguar një humanizëm dhe përkushtim të lartë dhe bënë të mundur që brenda një jave të rikthejnë në jetë këtë viktimë të tragjedisë së Gërdecit.

"Pacienti mbërriti në mesditën e 17 marsit, pa asnjë dokument identifikimi në pikën e Kakavijës me një autoambulancë të Spitalit Ushtarak dhe aty u prit nga një grup mjekësh të urgjencës së Spitalit Universitar të Janinës, të cilët e transportuan në repartin e neurokirurgjisë për ndërhyrje pasi hemorragjia e shkaktuar nga një send metalik i kishte prekur cipën e trurit dhe kjo rrezikonte seriozisht jetën e pacientit", thotë Konsulli i Shqipërisë në Janinë.

Ishte një rast i rrallë që një pacient të pranohet dhe trajtohet në spitalet e vendit fqinj, pa pasur asnjë dokument identifikimi, prandaj personeli i konsullatës u angazhua në nxjerrjen e një lejekalimi për të plagosurin Medi Celami dhe një person nga familja që e shoqëronte.

Ndërkohë që pacienti në gjendje kome nuk kishte asnjë komunikim me mjekët dhe mjedisin, vetë drejtori i Spitalit Universitar të Janinës, Dhimitris Gurajani, është interesuar personalisht për pacientin dhe pas ekzaminimeve të para për të përcaktuar shkallën e dëmtimit të trurit, i plagosuri iu nënshtrua një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale në sallën e neurokirurgjisë.

Mjeku grek, që ndjek hap pas hapi gjendjen shëndetësore të tij, dr. Mihos Evangjelos, shprehet se aktualisht pacienti është në gjendje të mirë, ka kapërcyer pikën e rrezikut për jetën, ka një komunikim të mirë dhe ndoshta nga mesi i javës ai do të jetë në gjendje të lëvizë lirshëm. "Pas ndërhyrjes, gjendja e tij klinike erdhi duke u përmirësuar, aktualisht presim të eliminohen edhe disa pika të vogla gjaku dhe ndoshta deri nga mesi i javës së ardhshme ai do të jetë në gjendje të dalë me këmbët e tij nga spitali dhe jo vetëm kaq, por pas një jave pushim, ai do të jetë në gjendje edhe për çdo lloj pune fizike dhe mendore", thotë neurokirurgu grek.

Me një komunikim krejt normal, i mbijetuari i tragjedisë së Gërdecit falënderon mjekët grekë për humanizmin dhe përkushtimin e treguar prej tyre në kurimin e vështirë, falënderon Konsullin shqiptar, Esheref Shehu, si dhe të gjithë personelin e konsullatës shqiptare që i qëndroi pranë në çdo çast. Pas pesë ditësh qëndrimi në Janinë, unë mund të orientohesha, të mësoja se ku ndodhesha dhe se çfarë kishte ndodhur me mua. "Filmi" i kujtesës ishte shkëputur që në momentin e shpërthimit të frikshëm, kur unë arrita të strehoja dy fëmijët, gruan dhe tre të afërmit e mi që në çastin e shpërthimit ndodheshin për vizitë në shtëpinë tonë. Ishte një shpërthim i tmerrshëm, por ajo që na frikësoi më shumë ishte dridhja. Mbaj mend që muret, dyert, dritaret, mobiliet, tavanet, gjithçka dridhej. Pata shumë frikë të dilja nga dera e dhomës në korridor dhe pastaj në oborr, por rrëmbeva të parët fëmijët dhe dola nga dritarja direkt në oborr. Pas meje erdhën edhe të tjerët: gruaja, motra, nusja e vëllait me vëllain e saj. Nuk dija nga të shkoja. Gjithandej kishte shpërthime dhe tym të zi. U kujtova se disa metra larg shtëpisë ndodheshin disa tunele nga koha e Enverit dhe vrapova drejt tyre", thotë i mbijetuari për çastet e para të shpërthimeve në Gërdec.

Rreth 50 metra larg shtëpisë së familjes Celami ndodhen një varg tunelesh të ndërtuara në vitet e diktaturës. Pas sistemimit të pjesëtarëve të familjes dhe të afërmve që kishin bujtur atë ditë në shtëpinë e tij, Mediu vazhdon të tregojë minutat e tmerrit. "Nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte, kisha merak për shtëpinë, për të afërmit dhe fqinjët. Nuk ndihesha i sigurt as në tunel. Pasi i qetësova familjarët, mendova të dilja jashtë të merrja vesh se çfarë kishte ndodhur, se çfarë ishte ajo hata. Por sa bëra dy-tre hapa jashtë tunelit, u godita dhe rashë. Që nga ai çast e deri sa u përmenda dy-tri ditë pas operacionit këtu në Janinë, nuk e mora vesh se çfarë kishte ndodhur", thotë viktima e kësaj ngjarjeje tragjike. Ai thotë se gjatë dy ditëve qëndrimi në Spitalin Ushtarak kishte mundur të komunikonte me mjekët dhe familjarët, por sot gjithçka i kujtohet si në ëndërr. Mjekët grekë nuk kanë lejuar që punonjësit e konsullatës dhe djali i xhaxhait të tij, Sabri Celami, që e shoqëron në spitalin grek t‘i tregojnë për viktimat e shumta dhe pasojat e tjera të katastrofës së Gërdecit. Ai mandej, nuk e di ende se shtëpia e tij është rrafshuar njësh me tokën nga shpërthimi i predhave të fabrikës së demontimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›