E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fishekët, zbardhet biseda Mediu-Withers

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Withers, ka rënë dakord me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Mediu, që të fshijnë markat kineze nga fishekët që do të shkonin në Afganistan. 

Ky është thelbi i letrës që kongresmeni demokrat, Henri Waxman i ka dërguar dje sekretares Amerikane të Shtetit, Kondioleza Rajs. Waxman ka shkruar për një dëshmi të atasheut të Mbrojtjes në ambasadën amerikanë në Tiranë, Harrison, i cili ka zbardhur një bisedë mes Mediut, Withers-it dhe disa zyrtarëve të tjerë në ambasadës, më 19 nëntor të viti 2007 në shtëpinë e zv/ambasadorit Christina në Tiranë. "Panorama" po boton letrën e plotë të kongresmenit Waxman, i cili është edhe kryetar i Komitetit të Hetimit në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan. E dashur sekretare Rajs:
Komiteti i Vëzhgimit ka marrë një informacion se ambasadori amerikan në Shqipëri ka zhvilluar një takim deri në orët e vona me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, në të cilin ambasadori ka aprovuar heqjen e provave për municionin ilegal të prodhuar në Kinë dhe të dërguar nga Shqipëria në Afganistan, nga një kontraktor amerikan. Komiteti ka marrë gjithashtu informacion se zyrtarë të Departamentit të Shtetit janë përpjekur t'ia fshehin këtë informacion Komitetit. Më 9 qershor 2008, stafi i Komitetit ka intervistuar Majorin Larry Harrison, shefin e zyrës së bashkëpunimit të Mbrojtjes në ambasadën amerikane në Shqipëri. Sipas Major Harrison:
Më 19 nëntor 2007, ambasadori amerikan në Shqipëri dhe ndihmësit e tij të ngushtë janë takuar me ministrin shqiptar të Mbrojtjes për të diskutuar se si t'i përgjigjeshin një kërkese të "New York Times" për të vizituar në Shqipëri ku një kontraktor amerikan i armëve, AEY Inc., po hiqte municionin kinez nga paketimi i tij origjinal përpara se ta dërgonte atë në Afganistan.
Pas diskutimeve deri natën vonë, ministri shqiptar i Mbrojtjes ka urdhëruar një nga gjeneralët e tij të lartë të zhdukte të gjitha provat e paketimit kinez përpara se vendi të inspektohej të nesërmen. Major Harrison tha për Komitetin se: "Ambasadori ra dakord se kjo do të lehtësonte dyshimet mbi shkeljen e ligjit".
Në kohën e takimit, AEY ishte nën hetim për trafik ilegal armësh përfshirë edhe municion kinez. Major Harrison vijoi për Komitetin se ai nuk kishte rënë dakord me vendimin për të hequr të gjitha markat kineze dhe ishte ndjerë "shumë në siklet" gjatë takimit. Për më tepër duket se, zyrtarët e ambasadës e kanë fshehur këtë informacion nga Komiteti. Komiteti i kërkoi Departamentit të Shtetit të sigurojë çdo informacion që ka të bëjë me takimet ndërmjet zyrtarëve të ambasadës dhe ministrit shqiptar të Mbrojtjes, si dhe çdo informacion për ndërhyrjet dhe operacionet e ripaketimit të AEY-së. Megjithëse Major Harrison u kërkoi zyrtarëve të ambasadës të informonin Komitetin mbi takimin e 19 nëntorit 2007, zyrtarët e ambasadës e harruan çdo referencë të takimit në përgjigjen e tyre. Të premten, Departamenti i Drejtësisë njoftoi arrestimin e katër zyrtarëve të kompanisë AEY për fshehjen e origjinës kineze të municionit të dërguar nga Shqipëria në Afganistan. Megjithëse rrethanat janë të ndryshme, provat që Komiteti ka marrë sugjerojnë se në të paktën një rast, zyrtarët e ambasadës kanë luajtur rol në fshehjen e origjinës kineze të municionit. Kjo provë ngre pyetje edhe mbi rolin e Departamentit të Shtetit në dërgesat e municionit ilegal dhe sinqeritetin e përgjigjes për Komitetin. Për të ndihmuar Komitetin në hetimin në vazhdim, i kam kërkuar disa zyrtarëve të ambasadës të dalin para tij për intervista të transkriptuara. I kam kërkuar gjithashtu të sigurojnë dokumentet relevante për Komitetin.
Takimi në nëntor me ministrin shqiptar
Më 9 qershor 2008, stafi i Komitetit mori një intervistë të transkriptuar të Major Larry Harrison. Major Harrison është një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes që punon në Shqipëri, si shef i Zyrës së bashkëpunimit me Mbrojtjen. Në këtë rol, Major Harrison është përgjegjës për të siguruar: trajnim dhe pajisje për të mbështetur modernizimin e ushtrisë shqiptare, si dhe asistencë humanitare. Intervista me Majorin Harrison zgjati rreth një orë, në të cilën ai shprehu interes në kërkesën e një avokati dhe përfaqësuesi i Departamentit të Mbrojtjes i dha fund sesionit të intervistës. Më 12 qershor 2008, avokati i Major Harrison informoi stafin e Komitetit se do të duheshin të paktën dy javë që ai të përgatitej për vazhdimin e intervistës se Major Harrison. Sipas Major Harrison, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i telefonoi atij më 19 nëntor 2007, për t'i kërkuar një takim urgjent me ambasadorin amerikan në Shqipëri, John
L. Withers, II. Major Harrison citoi gjatë intervistës së tij se ministri shqiptar i Mbrojtjes ishte i shqetësuar nga fakti se një reporter i "New York Times" planifikonte të hetonte mbi dërgesat në aeroportin e Rinasit në Tiranë ku AEY po ndërmerrte operacionin e tij të ripaketimit të municionit kinez përpara se ta dërgonte atë në Afganistan, një proces që përfshinte heqjen e municionit nga paketimi i tij origjinal kinez. Vizita e reporterit ishte e programuar për të nesërmen. Sipas Major Harrison, ministri shqiptar i Mbrojtjes "shumë i shqetësuar, më kërkoi mua të lija një takim për të parë ambasadorin apo zv/shefin e misionit për reporterin e "New York Times". Major Harrison citoi se ministri i Mbrojtjes ishte i shqetësuar se reporteri do të hapte akuza korrupsioni kundër tij. Sipas
Major Harrison, shqetësimi kryesor i ministrit që tërhoqi vëmendjen time ishte se "New York Times" do të shkruante një artikull për korrupsionin shqiptar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe arsyeja për shqetësimin e tij ishte se … çfarë do të ndodhte me reputacionin e tij personal dhe atë të Shqipërisë. Major Harrison citoi se, në përgjigje të kërkesës së ministrit shqiptar të Mbrojtjes, ai kontaktoi zv/shefin e misionit, Stephen Cristina, i cili rregulloi mënyrën që takimi të mbahej në rezidencën e tij private në Tiranë po atë pasdite. Major Harrison personalisht mori pjesë në këtë takim, bashkë me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, ambasadorin Withers, zv/shefin e misionit Cristina, dhe oficerin e sigurisë rajonale të ambasadës, Patrick Leonard. Sipas Major Harrison, takimi zgjati të paktën disa orë dhe përfundoi rreth mesnatës. Major Harrison u shpreh për Komitetin se, gjatë takimit ministri shqiptar i Mbrojtjes i kërkoi ndihmë ambasadorit amerikan. "Ai bëri disa komente mbi efektin se si ai kishte qenë një mik i SHBA-s, ai e kishte ndihmuar SHBA ....", vijon Harrison. Ai ndjehej sikur SHBA-ja i detyrohej diçka atij. Major Harrison ka cituar se zyrtarët më pas kanë diskutuar si të manovronin me reporterin e "New York Times". Ai citoi se, këshilla e tij ishte të mos ta lejonin reporterin të vizitonte vendin e punës, por këshilla e tij nuk ishte pranuar. Në vend të kësaj, ministri shqiptar i Mbrojtjes thirri Komandantin Gjeneral të forcave shqiptare ushtarake dhe e instruktoi atë të hiqte të gjitha kutitë e municionit kinez nga vendi i ripaketimit në mënyrë që, "reporteri të mund të mos shihte asgjë". "Ambasadori ra dakord se kjo do të lehtësonte dyshimet mbi shkeljen e ligjit, nëse z. Wood [reporteri i New York Times], ndërsa vizitonte Rinasin, nuk i shihte kutitë kineze të municioneve", shton Major Harrison. Ai u shpreh gjatë intervistës së tij se, ishte ndjerë shumë në siklet me këto veprime pasi për aktivitetin e AEY në Shqipëri kishte nisur një hetim kriminal. Gjatë intervistës së tij me stafin e Komitetit, Major Harrison pati këto pyetje-përgjigje:
Pra, në kohën e këtij takimi ndërmjet ministrit të Mbrojtjes, ambasadorit dhe disa zyrtarëve të tjerë të Departamentit të Shtetit, ishte e qartë se ju po diskutonit mbi municionin kinez. A është e saktë?
Është e saktë, është e saktë.
Dhe a ishte e qartë se AEY-ja ishte kompania, që po e blinte municionin nën një kontratë amerikane?
Ishte e qartë ...
Dhe thatë se gjatë kësaj kohe ju ishit të informuar se sipas ligjeve amerikane, ishte e ndaluar që një kontraktor i SHBA-ve të blinte municion kinez. Eshtë e saktë?
Është e saktë, po zotëri....
Dhe ju thatë se në këtë kohë ishte e qartë se kishte nisur një hetim... Eshtë e saktë?
Është e saktë, po zotëri....
Kur u pyet nëse të gjithë ranë dakord për këtë veprim të marrë gjatë takimit, Major Harrison u përgjigj: "Edhe një herë, dua të them se unë isha shumë në siklet në këtë takim. Dhe kur them se të gjithë ranë dakord, personalisht unë nuk rashë dakord me atë që po bëhej në atë takim, por unë nuk kisha fuqi ta ndryshoja. Sipas Major Harrison: "Ata më kërkuan një këshillë se çfarë të bënin. Unë dua të jem i qartë, unë isha shumë në siklet në këtë takim. Por unë thjesht bëra komentin, 'Epo, është një instalacion ushtarak. Ju nuk duhet ta lejoni ta vizitojë. Ju nuk duhet të lejoni një reporter në të".
Një ditë pas takimit mes ambasadorit amerikan dhe ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Patrick Leonard, oficeri i sigurisë rajonale në ambasadën amerikane në Shqipëri i shkroi një asistenti një e-mail: "NY Times sapo mbërriti sot dhe mund të bëjë një artikull për këtë dhe mund të bëhet keq puna...." Ambasadori është shumë i shqetësuar për këtë çështje. Kur historia e "New York Times" u publikua më 27 mars 27 2008, ajo menjëherë u dërgua në ambasadën amerikane. Në 06:06 të mëngjesit, Leonard dërgoi një e-mail nga Patrick Leonard, shefi rajonal i sigurisë në ambasadën amerikane në Tiranë, Shqipëri për Matthew Becht, asistent rajonal i sigurisë. Shumë zyrtarë të ambasadës cituan se, AEY "thjesht kishte zënë faqen e parë të gazetës në raportin shtatë faqe të gjatë të "New York Times". Askush nuk e përmendi përfshirjen e ambasadës falë Zotit!
Përgjigjja e ambasadës për Komitetin
Përveç sigurimit të informacionit për takimin e nëntorit 2007, Komiteti i Vëzhgimit ka siguruar edhe dokumente që përshkruajnë se si zyrtarë të ambasadës amerikane në Shqipëri refuzuan përpjekjet e Majorit Harrison për të informuar Komitetin mbi këtë takim dhe si pasojë e tij heqjen e markave kineze. Më 28 mars  2008, Komiteti i Vëzhgimit i dërgoi Departamentit të Shtetit një dokument me një kërkesë ku përfshiheshin "të gjitha komunikimet në lidhje me AEY, nënkontraktorët e saj, partnerët, ndërmjetësit, komisionerët; shitësit, apo kompanitë e transportit ndërmjet zyrtarëve nga Departamenti i Shtetit, qeveria e Shqipërisë dhe qeveri të tjera të huaja! Më tej në kërkesën e letrës më 4 prill  2008, stafi i Komitetit kërkoi informacionin e mëposhtëm specifik:
1. Informacion mbi ndërveprimet e ambasadës amerikane në Shqipëri me AEY apo përfaqësuesit e saj;
2. Informacion mbi ndërveprimet e ambasadës amerikane me qeverinë e Shqipërisë (Ministrisë së Mbrojtjes, MEICO) përsa i përket kontratës dhe aktivitetit të AEY;
3. Informacion mbi çdo ndërhyrje në nëntor apo dhjetor 2007 nga zyrtarët amerikanë (Departamenti i Mbrojtjes apo i Shtetit) në operacionin e paketimit të municionit të nënkontraktuesit AEY në aeroportin pranë Tiranës, mbase duke përfshirë mbylljen e operacionit të paketimit, pasi shkelte ligjet amerikane përsa i përket origjinës së armëve. Departamenti i Shtetit iu përgjigj kësaj kërkese më 9 prill 2008. Në një e-mail për stafin e Komitetit, zyrtarët e legjislacionit të Departamentit të Shtetit iu përgjigjën se e kishin marrë "nga ambasada sot, përsa i përket ndërveprimit të post-personelit me AEY, Departamentin e Mbrojtjes dhe qeverinë e Shqipërisë. Në përgjigje të pyetjes së dytë, përsa i përket kontakteve ndërmjet SHBA:
E-mail nga Patrick Leonard, oficer i sigurisë rajonale, ambasada amerikane Tiranë, Shqipëri për Shawn Sherlock. (Mars 27, 2008).
Letër nga Henry A. Waxman, drejtues, Komiteti mbikëqyrës i Kongresit dhe reformave qeveritare për Kondolejza Rajs, sekretare e Shtetit (Mars 28, 2008).
E-mail nga stafi i maxhorancës, Komiteti Vëzhgues i përfaqësuesve dhe reformat qeveritare për Departamentin e Shtetit, sektori i çështjeve legjislative të shtetit (prill 4, 2008).
E-mail nga çështjet legjislative të Departamentit amerikan të Shtetit, për stafin e Komitetit Vëzhgues të përfaqësuesve dhe reformat qeveritare (Prill 9, 2008).
Zyrtarët e ambasadës dhe Ministria shqiptare e Mbrojtjes, bënë deklaratën e mëposhtme:
Në kontekst të lehtësimit të hetimit të drejtuar nga Departamenti i Mbrojtjes mbi këtë çështje, përfaqësuesit e ambasadës janë takuar në të paktën tre raste me zyrtarët e qeverisë shqiptare, përfshirë edhe përfaqësues të MEICO-s dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Ambasada tha se, kishte rol mbështetës për hetimin e drejtuar nga Departamenti i Mbrojtjes. Në përgjigje të pyetjes së tretë, përsa i përket çdo ndërhyrjeje të Departamentit të Shtetit që kanë të bëjnë me ripaketimin e kryer nga AEY, ambasada është përgjigjur: "As zyrtarët e ambasadës dhe as hetuesit e Departamentit të Mbrojtjes nuk mbyllën apo ndërhynë në ndonjë operacion në lidhje me këtë çështje. Përgjigjet e ambasadës nuk e përshkruajnë takimin e nëntorit 2007 ndërmjet zyrtarëve të ambasadës dhe ministrit shqiptar të Mbrojtjes. Për më tepër, ambasada pohoi në përgjigjen e saj për Komitetin se kishte luajtur një rol shumë të vogël, apo asnjë rol në lidhje me këtë çështje duke deklaruar: "Ne dolën në përfundimin se ambasada nuk ka pasur ndonjë rol të vetin mbrojtës në një diskutim komercial standard ndërmjet një kontraktori dhe një qeverie vendase dhe ne duhej të përfshiheshim vetëm në rast se do të orientoheshim ta bënim këtë nëpërmjet një kablli të një kanali formal ballor me lejen e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes. Dokumentet e siguruara nga Komiteti tregojnë se Major Harrison i ka kërkuar zyrtarëve të ambasadës të informojnë Komitetin për takimin e nëntorit 2007, por ai u kundërshtua. Ndërsa zyrtarët e ambasadës përgatisnin një përgjigje për Komitetin, ata transferuan një draft që nuk e përmendte takimin e nëntorit 2007. Në përgjigje, Major Harrison transferoi një draft të ri në të cilin ai përdori programin e "ndryshimit të gjurmëve" të Microsoft Word për të sugjeruar se takimi i nëntorit 2007 të përfshihej. Drafti i Major Harrison përfshinte gjuhën e mëposhtme: "A e kemi përmendur ne takimin në shtëpinë e Steve më 19 nëntor (i pranishëm ishte ambasador Withers, DCM Christina, RSO Patrick dhe shefi i ODC, Harrison) ku ambasadori i rekomandonte ministrit të parandalonte që reporterët të shikonin municionet në aeroport ditën pasardhëse dhe ministri i telefonoi Gjeneralit Spahiu rreth orës 23:00 që të hiqte të gjithë municionin nga aeroporti deri në 08:00 të mëngjesit"
Në përgjigjen përfundimtare, ndryshimet e sugjeruara nga Harrison nuk ishin të përfshira në draftin final të memorandumit të Departamentit të Shtetit dërguar komitetit të Waxman, më 9 prill ku ishin harruar referencat e takimit mes ambasadorit amerikan dhe ministrit shqiptar të Mbrojtjes. Megjithëse drafti ishte "pastruar" nga "L. Harrison" Major Harrison nuk e kishte aprovuar kurrë atë. Pas konsultave me avokatin ushtarak me gjykatësin gjeneral, më 16 prill 2008, Major Harrison shkroi një memorandum që memorizon përpjekjet e tij për të kërkuar nga ambasada të informonte Komitetin për takimin e nëntorit 2007. Në memorandum citohet se: "Lista e pyetjeve m'u dërgua me e-mail për të siguruar hyrje në përgjigjet e mia. Edhe pse unë iu përgjigja pyetjes së tretë, zyrtari Politiko-Ekonomik, zv/shefi i misionit dhe ambasadori nuk e pranuan ndërhyrjen time. Përgjigjet iu dërguan Komitetit me emrin tim në memorandum kur memorandumi ishte pastruar. Unë nuk e pranova dhe jam i shqetësuar se ky informacion ishte i rëndësishëm".
Kërkesat për intervista dhe dokumente
Informacioni i siguruar nga Komiteti ngre çështje serioze. Nëse informacioni është i saktë, duket se zyrtarët e lartë të ambasadës amerikane në Shqipëri i kanë aprovuar përpjekjet e ministrit shqiptar të Mbrojtjes për të zhdukur provat e dërgesave ilegale të municionit kinez, që tashmë janë subjekt i një çështjeje kriminale. Duket gjithashtu se informacioni për incidentin i është fshehur Komitetit. Është e vështirë për të kuptuar çfarë racionaliteti do të justifikonte këto veprime.
Waxman i kërkoi Rajs të dërgojë disa zyrtarë nga Departamenti i Shtetit që të dilnin para Komitetit për "intervista të transkriptuara".
Për të ndihmuar hetimin e Komitetit për këto ccështje, unë kërkoj intervista të transkriptuara me individët e mëposhtëm jo më larg se 11 korriku 2008:
1. John L. Withers, II, ambasador amerikan në Shqipëri;
2. Stephen Cristina, zv/shef i misionit, ambasada SHBA në Shqipëri;
3. Patrick Leonard, oficer i Sigurisë Rajonale, ambasada SHBA në Shqipëri;
4. Robert Newsome, sektori ekonomik/komercial, ambasada SHBA në Shqipëri;
5. Paula Thiede, shefe e sektorit politik/ekonomik, ambasada SHBA në Shqipëri; dhe
6. Victor Myev, oficer politik, ambasada SHBA në Shqipëri.
Për më tepër i kërkoj Departamentit që të sigurojë deri më 30 qershor 2008, të gjitha dokumentet që kanë lidhje me AEY, kontratën e saj, apo ndonjë pjesë të operacioneve të saj që u krijuan nga ambasada amerikane në Shqipëri apo personeli i saj, përfshirë të gjitha dokumentet që kanë lidhje me ccdo takim në nëntor 2007, ndërmjet zyrtarëve të ambasadës dhe ministrit shqiptar të Mbrojtjes.
Komiteti i Vëzhgimit dhe reformave qeveritare është Komiteti i parë mbikëqyrës në shtëpinë e përfaqësuesve dhe ka juridiksion të fortë, pasi është i vendosur i katërti në Ligjet e Shtëpisë X.
Sinqerisht
Henry A. Waxman
Kryetar
shtojcë
Tom Davis
Përfaqësues i lartë i minoriteve

“Withers fshehu trafikun e armëve”

A ishte Departamenti i Shtetit i përfshirë në një tregti potenciale ilegale municionesh, që çoi në arrestimin e një 22-vjeçari, tregtar armësh nga Majemi javën e kaluar?

Andrew Tilghman

Kjo është deklarata e përfaqësuesit të demokratëve, kongresmenit nga Kalifornia, Henry Waxman. Komiteti i Vëzhgimit të Dhomës së Përfaqësuese tha se, ka prova që ambasada amerikane në Shqipëri ka ndihmuar zyrtarët shqiptarë të mbajnë të fshehtë tregtinë ilegale të armëve kineze të prodhuara në Kinë për në Afganistan dhe më pas ka dështuar të demaskojnë këtë informacion kur Komiteti i Waxman i ka pyetur për të. Javën e kaluar ju kemi informuar mbi arrestimin e Efraim Diverolit dhe tre ortakëve të tij të biznesit me AEY Inc. Prokurorët federalë thanë se, ai ka shkelur Aktin e Kontrollit të Eksportit të Ushtrisë Amerikane, që ndalon blerjen dhe shitjen e armëve nga disa vende, përfshirë edhe Kinën. Municioni në fjalë është siguruar nga AEY tek një tregtar shqiptar armësh. Provat e reja dhe eksplozive të Waxman burojnë nga një intervistë e Komitetit të Vëzhgimit të Ushtrisë, Majori Larry Harrison, shefi i zyrës së bashkëpunimit të Mbrojtjes në ambasadën amerikane në Shqipëri. Harrison i tha komitetit për një takim të mëparshëm të papublikuar në nëntor, që përfshinte zyrtarët shqiptarë dhe ambasadorin amerikan John Withers dhe të tjerë nga ambasada amerikane në Tiranë. Waxman e përshkruan tregimin e Harrison në këtë takim në një letër dërguar sekretares së Shtetit, Kondoliza Rajs:
Sipas Major Harrison, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i ka telefonuar atij më 19 nëntor 2007 për t'i kërkuar një takim urgjent me ambasadorin amerikan në Shqipëri, John L. Withers, II. Major Harrison citoi gjatë intervistës së tij se ministri shqiptar i Mbrojtjes ishte i shqetësuar nga fakti se një reporter i "New York Times" planifikonte të hetonte mbi dërgesat në aeroportin e Rinasit në Tiranë, ku AEY po ndërmerrte operacionin e tij të ripaketimit të municionit kinez përpara se ta dërgonte atë në Afganistan, një proces që përfshinte heqjen e municionit nga paketimi i tij origjinal kinez...
Si rezultat i diskutimeve që vazhduan deri natën vonë, ministri shqiptar i Mbrojtjes ka urdhëruar një nga gjeneralët e tij të lartë të zhdukë të gjitha provat e paketimit kinez përpara se të inspektohej vendi ditën tjetër. Major Harrison tha për komitetin: "Ambasadori ka rënë dakord se kjo do të lehtësonte dyshimet e keqbërjes". Në prill, pas një historie të faqes së parë për rreth 20-tregtarë armësh në "New York Times", Waxman pyeti nëse Departamenti i Shtetit kishte ndonjë informacion për këtë çështje. Zyrtarët e shtetit u përgjigjën me një memorandum, ku përshkruheshin vetëm pak takime të sipërfaqshme për këtë çështje. Por Waxman më vonë siguroi një draft të memorandumit të Departamentit të Shtetit mbi të cilin Harrison kishte përdorur funksionin e "ndryshimit të gjurmëve" në Microsoft Word për të sugjeruar se referenca për takimin e nëntorit 2007 ishte e përfshirë. Drafti i Harrison përfshinte gjuhën e mëposhtme:
"A e kemi përmendur në takimin në shtëpinë e Steve më 19 nëntor (i pranishëm ishte ambasador Withers, DCM Christina, RSO Patrick dhe shefi i ODC, Harrison) ku ambasadori i rekomandonte ministrit të parandalonte që reporterët të shikonin municionet në aeroport ditën pasardhëse dhe ministri i telefonoi MG Spahiu rreth orës 23:00, që të hiqte të gjithë municionin nga aeroporti deri në 08:00 të mëngjesit". "Steve" është një referencë për Stephen Cristina, zv/shefi i misionit në ambasadën amerikane në Shqipëri. Ndryshimet e sugjeruara nga Harrison nuk ishin të përfshira në draftin final të memorandumit të Departamentit të Shtetit dërguar komitetit të Waxman, më 9 prill.
Waxman shkruan në letrën e tij dërguar Rajs:
"Informacioni i siguruar nga Komiteti ngre çështje serioze. Nëse informacioni është i saktë, duket se zyrtarët e lartë të ambasadës amerikane në Shqipëri i kanë aprovuar përpjekjet e ministrit shqiptar të Mbrojtjes për të zhdukur provat e dërgesave ilegale të municionit kinez, që tashmë janë subjekt i një çështjeje kriminale. Duket gjithashtu se informacioni për incidentin i është fshehur Komitetit. Është e vështirë për të kuptuar çfarë racionaliteti do të justifikonte këto veprime.
Waxman i kërkoi Rajs të dërgojë disa zyrtarë nga Departamenti i Shtetit që të dilnin para komitetit për "intervista të transkriptuara".

Spahiu: S’kam pasur asnjë telefonatë nga ministri

TIRANE - Shpëtim Spahiu, gjenerali i shkarkuar pak kohë më parë nga detyra me dekret të presidentit, mohoi dje në mënyrë kategorike të ketë pasur ndonjë telefonatë nga ministri i Mbrojtjes, për të hequr municione nga aeroporti i Rinasit. I pyetur nga gazeta "Panorama" lidhur me një telefonatë të pretenduar nga shtypi amerikan, të bërë nga Mediu në adresë të Shpëtim Spahiut, ky i fundit ka mohuar kategorikisht. Mediat amerikane dhe kongresmenët demokratë akuzuan dje se ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu, në një takim me ambasadorin amerikan në Tiranë Withers, kishte telefonuar Komandantin e Komandës së Bashkuar, Gjeneralin Shpëtim Spahiu, duke i kërkuar të hiqte fishekët kinezë nga aeroporti i Rinasit. Një fakt i tillë është hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga Gjenerali Shpëtim Spahiu. "Në mënyrë kategorike nuk është e vërtetë të kem pasur një telefonatë të tillë nga ministri i Mbrojtjes", është shprehur Gjeneral Spahiu dje në mbrëmje. Ai ka kryer detyrën e Komandantit të Komandës Logjistike në Shtabin e Përgjithshëm deri pak kohë më parë kur me një dekret të presidentit dhe me propozim nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, Spahiu u shkarkua nga detyra pa asnjë lajmërim apo analizë të mëparshme rreth punës dhe rezultateve të arritura nga sektori i drejtuar prej tij në Shtabin e Përgjithshëm.           t.s

Ina Rama, Prokurorisë së SHBA: Pyesni Diverolin për Shqipërinë

TIRANE - Prokuroria shqiptare i kërkon zyrtarisht palës amerikane të marrë në pyetje Efraim Diverolin, lidhur me tregtinë e municioneve të shitura nga ndërmarrja MEICO në shkelje të ligjeve të SHBA, që ndalojnë përdorimin e armatimit kinez. Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë është nisur dje në adresë të Prokurorisë amerikane dhe autoriteteve të tjera të hetimit. Ndërkaq grupi hetimor shqiptar i ngritur për trafikun e armëve, pritet të administrojë gjatë ditës së sotme deklarimet që Diveroli do të japë në daljen e tij para Kongresit për të dëshmuar lidhur me skandalin e tregtimit të fishekëve kinezë nga Shqipëria në Kabul, në emër të Pentagonit. Një gjë e tillë ndalohet nga ligjet amerikane, për shkeljen e të cilave Efraim Diveroli u arrestua javën që shkoi. Akuza shqiptare i ka kërkuar Prokurorisë amerikane të pyesë pronarin e kompanisë AEY, lidhur me veprat penale që janë kryer në territorin e Shqipërisë, gjatë shitjes së municioneve të vjetëruara të prodhimit kinez. Nëse 22-vjeçari Efraim Diveroli tregon episode apo rrethana të tjera të vlefshme për këtë çështje, deklarimet e tij pritet të dërgohen nga SHBA në Tiranë me letërporosi dhe të përdoren si prova ndaj të dyshuarve për abuzimin me tregtinë e fishekëve shqiptarë të prodhimit kinez. Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë, për herë të parë dje, ka konfirmuar se po heton mundësinë e trafikimit të armëve nga Shqipëria në drejtim të Kabulit, përmes shitjeve të ndërmarrjes MEICO për kompaninë AEY të Efraim Diverolit. "Ajo që dihet deri tani është se ka pasur një proces të shitjes së municioneve. Hetimet janë përqendruar në zbulimin e elementëve abuzivë të kësaj veprimtarie, si fshehja e burimit apo destinacionit të municioneve, mashtrimi në dokumentacion apo në çmimin e tyre, si dhe kryerja e veprimeve të padeklaruara që mund të bien ndesh me ligjet e vendit tonë, ose të shtetit blerës të municionit", janë shprehur burimet e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre, në kërkesën e akuzës shqiptare dërguar Prokurorisë amerikane thuhet se, "Prokuroria ka filluar kryesisht hetimet lidhur me trafikun e dyshuar të armëve që i janë shitur kompanisë së shtetasit Efraim Doveroli. Për nevoja të këtij procedimi penal kërkojmë të njihemi me deklarimet e personit të arrestuar rreth abuzimeve, apo veprimeve të paligjshme që ai apo partnerët e tij në këtë aktivitet, mund të kenë kryer në territorin shqiptar".                 t.s

Oketa: AEY e dinte që fishekët ishin kinezë

Ndërmarrja MEICO i ka bërë të ditur nënkontraktorit të AEY, EDVIN LTD se municionet që do të bliheshin prej firmës amerikane ishin kineze. Këtë e bëri të ditur dje nëpërmjet një njoftimi zyrtar zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Albana Mustafaraj. "Në lidhje me procesin e shitjes së municioneve të armëve të lehta midis ndërmarrjes shtetërore shqiptare MEICO dhe kompanisë amerikane AEY INC dhe EVDIN LTD, Ministria shqiptare e Mbrojtjes duke iu referuar dokumentacionit prezent në këtë institucion konstaton se ndërmarrja MEICO i ka ofruar kompanisë EVDIN LTD materialet e kërkuara duke i prezantuar ndër të tjera edhe vitin e prodhimit dhe origjinën kineze të tyre. Ky dokument mban datën 18.04.2007", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas këtij njoftimi, kompania AEY LTD më datë 27/11/2007 ka deklaruar se, kontrata e lidhur me ndërmarrjen MEICO për shitjen e municioneve është ekzekutuar në mënyrë krejt të rregullt. Ndërkohë për këtë çështje është debatuar dje gjatë edhe në Parlament. Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, tha dje në Kuvend se "Fundjava zyrtare ka qenë shumë e trazuar pas arrestimit të Diverolit. Qeveria po mundohet ta mbulojnë me heshtje këtë çështje. Nuk kërkohet heshtje, por reagim për të sqaruar sesi është përfshirë qeveria. Zyrtarët e monopolit të qeverisë kanë qenë në dijeni për skandalin me armët dhe Parlamenti është përdorur me apo pa të keq për këtë aferë", shtoi Braçe. Nga ana tjetër deputeti i PD-së, Ndriçim Babasi vijoi se, "Ne na duhen faktet dhe jo shpifje që na sillni. Si anëtar i komisionit të Sigurisë propozoj një seancë transparence. Të realizohet një hiring për këtë proces, ku të ftohet ish-ministri, ministri i Mbrojtjes, ish-ushtarakët për realizimin e një ballafaqimi për ndërmarrjen MEICO. Akuzat e ulëta shprehin karakterin demagogjik të opozitës sonë dhe e ndikuar nga e kaluara". "Nuk keni asnjë të drejtë ligjore e morale të akuzoni ish-ministrin e kryeministrin sepse nuk ka asnjë dokument zyrtar që të na konfirmojë që Diveroli të ketë qenë nën autoritetet amerikane", theksoi më tej Babasi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›