E Diel, 1 Nëntor 2026

Fisher: Raporti i BE për Shqipërinë nuk do jetë pozitiv

TIRANE- Historiani i njohur dhe studiuesi i çështjeve shqiptare, Bernd Fisher, mendon se raporti i Bashkimit Europian për Shqipërinë nuk do të jetë pozitiv. Në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Fisher thotë se populli po vuan nga një bllokim thuajse i plotë që ka shkaktuar politika, dhe se shumica e problemeve vijnë prej mungesës së kulturës politike.

I pyetur se kush e ka fajin për dështimin e përpjekjeve të integrimit të Shqipërisë në BE, Fisher thotë: “Ka shumë njerëz që janë përgjegjës në elitën politike. Nuk ekziston ende një kulturë politike që të pranojë konceptin e kompromisit. Për fat të keq, duket sikur është një situatë nga ato që quhen “Ose gjithçka ose asgjë” nga të gjitha palët. Por mendoj se ndoshta një pjesë më e madhe përgjegjësie i përket qeverisë. Qeveria është përgjegjëse për vendimet shtetërore. Opozita mundet më lehtësisht që të rrëshqasë, mundet të frenojë apo të ngadalësojë. Por kur vjen puna për vendime parimore shtetërore është qeveria ajo që ka forcën për të marrë këto vendime, jo opozita."

Sa i takon popozimit të Ramës për një debat të hapur Fisher është i mendimit se ndoshta do të ishte më e dobishme që të nxitej një debat i hapur duke u nisur nga disa pika të listës. “Por është më se e nevojshme që një diskutim të nisë, sepse e ardhmja e Shqipërisë varet qartësisht nga bashkëpunimi politik. Nëse dy partitë politike nuk fillojnë të flasin me njëra-tjetrën, atëherë duke nisur nga vitit tjetër, duhet parë mirë se ku jemi “perfundon intrevisten studiuesi i i çështjeve shqiptare, Bernd Fisher.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›