E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fisher, ofertë 250 milionë euro për Romën

Pas Premiershipit, tashmë investitorët e mëdhenj amerikanë synojnë të blejnë klube edhe në Serinë A italiane. Nga Kalifornia pritet që së afërmi të bëhet një ofertë zyrtare për blerjen e Romës. Bëhet fjalë për manjatin amerikan të veshjeve, Xhon Xhozef Fisher, i cili ka përgatitur 250 milionë euro dhe një plan industrial, që parashikon ndërtimin e një stadiumi që zotërohet nga klubi dhe shfrytëzimin e markës në rang botëror. Drejtuesit verdhekuq kanë mohuar se kanë marrë oferta, qofshin këto edhe formale, por mbi të gjitha kanë deklaruar se nuk kanë ndërmend që ta shesin. Megjithatë, dorëzimi i çelësave do të ishte një zgjidhje e mirë për borxhet e grumbulluara nga kompania "Italpetrol" (afro 370 milionë euro), nëpërmjet së cilës familja Sensi kontrollon klubin. Franko Sensi do të ruante presidencën honorifike dhe e ardhmja e Romës do të merrte një rrugë të ndryshme. Duke u rikthyer tek i interesuari i drejtpërdrejtë, Fisher: kaliforniani njihet si një person me vullnet të hekurt, i cili nuk tërhiqet prapa deri sa merr atë çfarë dëshiron. 46-vjeçari është djali më i vogël i Donald, themeluesi i "Gap" dhe "Banana Republic", dy kompanitë gjigante amerikane të veshjeve, me një pasuri që, sipas revistës "Forbes", shkon në afro 1,5 miliardë dollarë. Kontaktet e para të Fisher me familjen Sensi kanë filluar në qershor të vitit të kaluar, kur negociatat janë bërë nga "Vaserman Media Grup", shoqëri komunikacioni, që është shumë aktive në Amerikë, mbi të gjitha në menaxhimin e të drejtave televizive në sport. Falë financave të tij, Roma do të krijonte një skuadër edhe më konkurrente, duke pretenduar të hynte mes klubeve më të mëdha evropiane. Xhon Xhozef Fisher është i njohur në Shtetet e Bashkuara për investimet në sportin e këtij vendi. Ai është njëri prej pronarëve të skuadrës së bejsbollit, Okland Atletiks, dhe të skuadrës së futbollit, San Hoze Wrthkueiks. Që prej muajit dhjetor Fisher është edhe aksionist i skocezëve të Sëlltik, ku zotëron 3.4 për qind të aksioneve të klubit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›