Kur fatkeqësia e futbollit duket si luks
Sikur të donte Zoti që ngjarja në Gërdec të mos ndodhte, do të merreshim vetëm me "tragjedinë" e luksit, ku FIFA na largoi nga Evropa. Por një fatkeqësi e madhe, nga ato ku shqiptarët paguajnë me koka, eklipsoi fatkeqësinë e sportit, largimin nga futbolli i Kontinentit, me të cilën shqiptarët vetëm shpresojnë. Nuk ka futboll, por mbetet basti midis ministrit Pango dhe presidentit Duka. Duket sikur të dyja palët nuk janë pishman që Evropa e futbollit do të na mungojë. Sekretari i FSHF-së, Arben Bici, me siguri thotë se "FIFA nuk tërhiqet as një centimetër, nëse nuk plotësohen kërkesat tona", kurse zëvendësi i Pangos, Spahia, paralajmëron se "edhe ditë më të këqija do të vijnë për futbollin e Dukës". Zyrtari i ministrisë tregon me zell se edhe 6 presidentë, nga më të "fortët" e Superligës, kanë firmosur largimin e presidentit të futbollit. Ata që zakonisht nuk bëhen bashkë për hallet e futbollit, kërkojnë "kokën" e atij, të cilit i shërbyen me aq devocion në Asamblenë e famshme.
Thonë me ironi se fatkeqësitë e sportit janë si "llokum" në krahasim me ato që ndodhin shpesh midis nesh. Prandaj pas ferrit të Gërdecit edhe shefat e topit nuk i vunë në dyshim ndeshjet e javës. Kundërshtarët e tyre akuzojnë se ka qenë gati ideja për ta ndërprerë kampionatin si shenjë proteste ndaj dhunës së politikës. Nuk ka shumë rëndësi, por futbolli në këtë pushim të detyruar ka nevojë të reflektojë. Prej kohësh ka humbur misionin: është një lojë argëtuese apo një hall më shumë? Shikoni gazetat edhe këtë javë që nuk është luajtur. Nga njëra anë mbajnë zi për fatkeqët, nga ana tjetër akuzojnë njëri-tjetrin. Dy klube me të cilët jemi krenuar prej vitesh, Dinamo dhe Partizani, akoma nuk e kanë shfryrë dufin e ndërsjellë të ndeshjes së Kupës. Qahemi se kemi humbur Evropën, por më shumë kemi humbur imazhin. Dhe për zakonin tonë të keq, kur mungon fusha, futbolli dyndet në gazeta në mënyrën më të dyshimtë. Keq nga jashtë dhe rrezik nga brenda! Futbolli është në ditë të hallit, por nuk ka kush e qan. Pasi kemi humbur Evropën, mund të humbasim edhe kampionatin. Nuk është rastësi që në këto momente delikate për futbollin, shfaqen presidentë e vitrinës që kërcënojnë me largimin nga aktiviteti. Sikur të mos ishte politika në këtë mes, edhe mund të krenoheshim me kurajën e vonuar të shefave. Por loja është ndryshe dhe njerëzit e futbollit po vërtetojnë se janë të pazot për "fair-play".