Venger kundër Interit, kontaktuan mesfushorin Hleb
Arsen Venger duket se nuk ka një raport të mirë me skuadrat italiane dhe këtë e ka treguar edhe dje, duke i dërguar një ankesë zyrtare skuadrës së Interit. Trajneri francez e kishte bërë një gjë të tillë edhe më parë me Juventusin, kur bardhezinjtë po interesoheshin për Flamini, ndërsa tani janë zikaltrit që bëhen protagonistë, pasi po interesohen për mesfushorin bjellorus, Aleksander Hleb. Venger ka bërë të qartë në ankesën e tij se nuk dëshiron që skuadra të tjera të interesohen për lojtarë, për sa kohë që këta të fundit të jenë brenda afateve të kontratave. Ngjarja me Hleb është shumë e komplikuar, pasi interesimi i Interit e ka shtyrë futbollistin të bëjë një veprim të pastudiuar mirë. Një natë para ndeshjes së Ligës së Kampioneve ndaj Milanit, e fituar më pas nga Arsenali me rezultatin 2-0, futbollisti është larguar nga hoteli, ku ishte grumbulluar ekipi pa lejen e trajnerit. Sipas informatave të mëvonshme, bjellorusi dhe menaxheri i tij kanë takuar një delegacion të Interit, me të cilin kanë diskutuar mundësinë e kalimit në radhët e skuadrës zikaltër. Episodi e ka shqetësuar shumë trajnerin e "topçinjve", i cili nuk ka humbur kohë dhe ka dërguar një letër proteste ndaj Interit. Në këtë letër nuk shprehet vetëm keqardhja për mënyrën joprofesioniste në të cilën skuadra zikaltër ishte munduar të bindte futbollistin, por edhe shqetësimi se si zyrtarët e Interit kishin treguar papërgjegjshmëri, duke larguar nga grumbullimi i skuadrës një lojtar që po përgatitej për një ndeshje të rëndësishme. Normalisht, shqetësimi më i madh i Venger vjen nga fakti se largimi i një prej lojtarëve të tij më cilësorë mund të dëmtonte skuadrën. Hleb ka qenë një prej shtyllave të skuadrës gjatë dy edicioneve të fundit, duke marrë rolin e organizatorit të fazës ofensive të Arsenalit. Për futbollistin janë interesuar edhe skuadra të tjera, si Barcelona dhe Reali i Madridit, por asnjë prej tyre nuk kishte provuar të kontaktonte me lojtarin pa siguruar lejen e "topçinjve". Takimi i paautorizuar me Interin ka shtuar zërat se mesfushori bjellorus mund të ndryshojë skuadër në fundin e këtij sezoni.