E Shtunë, 31 Tetor 2026

Henri: Të luash te Barça është si të jesh një Bitëlls

Sulmuesi i Barcelonës, Tierri Henri, ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të kthehet më në kampionatin anglez, pavarësisht se paraqitjet e tij në fushë janë ndikuar nga ndarja me vajzën. Sulmuesi nuk është paraqitur në nivelet e pritura në "Kamp Nou", ndërkohë që javën e kaluar ai kishte deklaruar se nuk është i lumtur për qëndrimin larg vajzës 2-vjeçare. Këto fjalë kanë nxitur spekulimet se Henri do të largohej nga kampionati spanjoll, e sipas mediave spanjolle dhe atyre britanike, Mançester Siti i Sven-Goran Erikson po përgatiste një ofertë konkrete për 30-vjeçarin. Pas mbërritjes së pronarit tajlandez, Shinauatra, klubi i dytë i Mançesterit ka mundësi reale (dhe mbi të gjitha të ardhura) për të marrë sulmuesin e kombëtares franceze. Megjithatë, duke folur për të përditshmen iberike "Sport", Henri ka bërë të ditur se "rikthimi në Angli nuk është një mundësi". Përkundrazi, lojtari ka preferuar që të përqendrohet tek e ardhmja e tij në Primera Division. Ai tha: "Më parë luaja i dëmtuar dhe kjo ka bërë që fillimet me Barcelonën mos të ishin aspak të thjeshta. Nuk e di nëse zgjedhja ime ishte e drejtë, por doja të luaja me patjetër. Momentalisht po luaj pa dhimbje, por problemet fizike nuk më kanë munguar". Më tej, Henri ka folur edhe rreth sezonit aktual me klubin katalan. "Jemi kualifikuar për në turin çerekfinal të Ligës së Kampioneve, tha ai, ndodhemi vetëm një hap larg finales së Kupës së Mbretit dhe në kampionat Barcelona e sheh veten në një pozicion të mirë, ku do të luftojë deri në fund për fitimin e titullit. Jam i bindur se nuk duhet të kemi asnjë peng nga sezoni që kemi bërë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›