E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapelo sheh rezultatet: Ato largojnë kritikat

Fabio Kapelo ka pranuar se nuk do të ketë asnjë justifikim nëse nuk e rikthen Anglinë në majën e futbollit botëror. Trajneri italian do të bëjë të ditur të enjten listën e lojtarëve për miqësoren e dytë, qëkur ka marrë drejtimin e kombëtares, por tani përballë një kundërshtari shumë të vështirë si Franca. Ai ka bërë të qartë se e di që në rast mungese të rezultateve pozitive, do të vihet menjëherë përballë presionit të mediave. Pas disfatës në eliminatoret e EURO 2008, Kapelo është i bindur se skuadra duhet të fillojë të tregojë shenjat e përmirësimit dhe të lojës rezultative që ai kërkon nga futbollistët.

"Unë e di që edhe këtu kanë rëndësi vetëm rezultatet, ashtu si në çdo vend tjetër. Duhet të sigurosh rezultate të mira sa më parë, në mënyrë që të mënjanosh kritikat. Ti mund të flasësh sa të duash për formacionin apo mbi ato që duhet të luajnë, por në fund, ajo që ka më shumë vlerë është rezultati. Kur zgjidhesh për një punë si e imja, duhet që të sigurosh menjëherë rezultate. Ky është qëllimi im i vetëm: unë dua të fitoj. Nuk mund ta bësh këtë pa lojtarë të mirë dhe një plan të mirë loje. Ajo që bën diferencën është fakti nëse ti ke shënuar një gol më shumë se kundërshtari yt. Futbolli është një lojë e thjeshtë. Disa njerëzve u pëlqen të flasin. Mua më pëlqen të fitoj", tregoi Kapelo për mediat britanike.

Një prej fushave që ka ndaluar kombëtaren angleze nga rritja e nivelit të lojës në turnetë e rëndësishëm ka qenë përshtatja me module dhe rreshtime të ndryshme. Kapelo e pranoi se kjo ishte një nga fushat ku ai do të përqendrohej në të ardhmen, e ndonëse nuk ka planifikuar ende ndryshime drastike, ai shpreson që të ketë një skuadër më "elastike" sapo të njohë potencialin e plotë të lojtarëve që ka në dispozicion. "Unë kam luajtur gjithmonë me sistemin 4-4-2 dhe vazhdoj të mendoj se është më i besueshmi. Por, gjithashtu, unë jam i gatshëm të ndryshoj mendje dhe të përshtat sistemin taktik në bazë të lojtarëve që kam në dispozicion. Kjo është arsyeja pse unë po udhëtoj në të gjithë Anglinë, duke parë sa më shumë ndeshje që të jetë e mundur. Dua të përmirësoj njohurinë time mbi futbollin anglez dhe lojtarët sa më parë që të jetë e mundur. Kur të jem 100% i bindur, atëherë do të ndryshoj mendje mbi rreshtimin taktik. Përshtypja ime e parë mbi futbollin anglez është e shkëlqyer. Stadiumet janë fantastike, ekziston ‘fair-play‘ dhe tifozët janë të respektueshëm", u shpreh trajneri italian. Normalisht nuk ka munguar pyetja për Bekam dhe ndeshjen e tij të 100-të. "Devid është lojtari më popullor, duke kaluar edhe futbollistë që kanë bërë emër gjatë viteve të fundit. Po e vëzhgoj me kujdes dhe nëse është në formë do ta grumbulloj për ndeshjen kundër Francës", përfundoi Kapelo, duke lënë të kuptohet se vazhdon të mbajë në vëzhgim mesfushorin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›