E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitimprurës investimi në këtë vend që sfidoi efektet e krizës ekonomike

Kryeministri Berisha fton biznesin e huaj në Shqipëri

“Me resurset e saj të pasura dhe afërsinë me tregjet perëndimore Shqipëria përbën një mundësi shumë të mirë investimi”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij përshëndetëse në konferencën rajonale të bizneseve.
“Shqipëria me potencialin e saj të lartë energjetik, me pasuritë në minerale me një vijë bregdetare 400 kilometra një potencial i madh turistik ky si edhe me një treg pune të përshtatshëm përbën një mundësi shumë të mirë investimi. Afërsia gjeografike me Italinë dhe vendet e tjera evropiane e bën investimin këtu fitimprurës, ndërsa pranimi në NATO dhe synimi për tu pranuar në BE investimet i bën edhe të sigurta. Ndaj ju ftoj që t’i vendosni ëndrrat tuaj në këtë vend të vogël por me mundësi të mëdha”- deklaroi Berisha.
Kryeministri Berisha u tha investitorëve të rajonit se qeveria ka ndërmarrë njëkohësisht edhe një reformë rregullatorë dhe ka ulur taksat ndjeshëm. Sipas kryeministrit, qeveria është dhe do të mbetet plotësisht e vendosur, të promovojë dhe garantojë një rritje të qëndrueshme ekonomike, nëpërmjet rritjes së konkurrueshmërisë, produktivitetit, teknologjisë dhe inovacionit.
“Të ftuar nga vende të ndryshme të rajonit, dhe nga e gjithë bota, unë shpresoj se gjatë këtyre ditëve ju do të gjeni në Tiranë, ju do të gjeni në Shqipëri, në sipërmarrësit shqiptarë, në sipërmarrësit ndërkombëtar të pranishëm në Shqipëri, kolegët më të mirë për të punuar bashkë. Unë ju sigurojë, se ju do të keni një histori të vërtetë suksesi në këtë vend. Pse ju ftojë të shikoni dhe të vendosni ëndrrat tuaja në vendin tim? Vendosjen e projekteve tuaja këtu? Ju ftoj, sepse kjo ekonomi, është bazuar në një princip shumë të fortë. Ajo i rezistoi cunamit të krizës. I rezistoi, jo se nuk është pjesë e ekonomisë globale, ekonomitë e vogla janë me përcaktim hiper globale, nuk kanë zgjedhje tjetër, i rezistoi sepse është bazuar në principe shumë të forta. Rezistoi sepse implementoi reforma të thella dhe shumë të mëdha. Javën time të parë në fuqi, vendimi i parë ishte ulja e përgjysmë taksave bizneset e vogla. Kështu, ne vazhduam revolucionin ton fiskal, unë e quaj revolucion. Pse do ta quanit të tillë? Vetëm për të bindur njerëzit e financave. Ne ulëm shumë barrën fiskale në këtë vend. Vendosëm Taksën e Sheshtë duke ulur taksën e korporatës në 10%, takën e të ardhurave personale në 10% dhe kontributet e sigurimeve shoqërore për sipërmarrësit në 15%. Ne thjeshtësuam sistemin tonë fiskal, nga 26 taksa kombëtare në 6 taksa kombëtare. Unë besoj në taksat e ulëta. Kam dëgjuar gjatë krizës, të flitet për bonuse dhe stimulues, bindja ime e thellë është se bonusi dhe stimuluesi më i mirë janë taksat e ulëta”- deklaroi në fjalën e tij, shefi i qeverisë, Berisha.
Kryeministri shtoi më tej, duke iu drejtuar investitorëe të huaj, se Shqipëria ka për momentin një prej ligjeve më të mira mbi koncesionet në partnershipet publike private. Sipas Berishës, në më pak se tre vjet janë firmosur më shumë se 200 kontrata vetëm për energjinë.
“Ne patëm një investim në 5 billion euro. E lejon qeverinë të negociojë drejtpërdrejtë, por gjithashtu parandalon dështimin, duke i siguruar meritën atij që vjen i pari me projektin më të mirë. Sigurisht gara është e hapur”- tha kryeministri Berisha, duke shtuar se qeveria është duke ndryshuar dhe plot ligje të tjera, si ligji i korporatave, i cili është i ri, ligji i bankave është i ri, dhe të gjithë ligjet për tregtinë.
Berisha është fokusuar edhe në potencialet e turizmit. Sipas kryeministrit, Shqipëria ka një potencial shumë të madh turistik, për momentin një prej më të mëdhenjve në Europë, në botë.
“Po, 400 kilometra bregdet, më i bukuri në Mesdhe, presin juve për t’u zhvilluar. 94% e tij po pret investimet dhe është i shkëlqyer. Bregdeti i Adriatikut është më ranor, ai i Jonit më shkëmbor. Ujërat janë me të vërtetë të jashtëzakonshëm. Flukset e turistëve vitin e kaluar u rritën më 36%, ne kryesojmë listën e vendeve për sa i përket rritjes së turizmit vitin e kaluar”- u shpreh në vijim, kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›