Sondazhi i VOA-s/74% e të anketuarve mendojnë se greva e urisë e Partisë Socialiste ishte e dështuar
Një sondazh i programit në shqip të “Zërit të Amerikës” ka përcjellë opinionin e anketuesve për lëvizjet e opozitës sa në protestë në grevë urie. Pyetjes se “A mendoni se greva e urisë e opozitës në Shqipëri ia arriti qëllimit?”, 74% e atyre që kanë dhënë përgjigje, kanë vlerësuar se opozita dështoi me nismën e saj më të fundit, duke i thënë ‘Jo’ pyetjes. 21% e të anketuarve janë përgjigjur me ‘Po’, ndërsa 3% nuk kanë një përgjigje konkrete. Ky sondazh dhe përgjigjet e dhëna nga shqiptarët, i bashkëngjiten asaj që është përfolur me javë të tëra, se greva e urisë, shto këtu dhe bojkotin me protestat, nuk janë zgjidhja e situatës politike në Shqipëri, por thjesht lëvizje që janë të iniciuara nga dëshpërimi dhe mungesa e argumentit ndaj kauzave të ngritura.
Në këto kushte, askush nuk pajtohet më format ekstreme të protestave, përmes një politike rruge dhe jashtë çdo linjë institucionale. Edhe sondazhi i pak ditëve më parë i organizuar po nga programi në shqip i “Zërit të Amerikës” se “A është greva e urisë mjet për të zgjidhur problemet politike?”, përgjigja është përsëri se me anë të këtij instrumenti nuk mund të tejkalohet ngërçi. 72% e votuesve mendojnë se greva nuk mund t’i japë zgjidhje politikës, për problemet e krijuara. 26% janë të mendimit se mund të arrihet marrëveshje përmes grevës, ndërsa 2% janë pa përgjigje.
Ky sondazh, i organizuar nga një prej programeve më të ndjekura, i cili transmetohet në disa gjuhë të botës, ka thithur mendimin më të drejtë të shqiptarëve, pa manipulime, siç ndodh rëndomt në disa prej sondazheve të disa agjencive apo faqeve online të medieve të kontrolluara qartësisht nga e majta.
Protestat dhe kalimi i tyre në grevë urie, përmes ryshfeteve dhe korruptimit të qytetarëve shqiptarë, shënuan pikën më të lartë të degradimit të një partie politike, e cila kërkon të fitojë përmes dhunës dhe vulgaritetit, atë që nuk e fitoi dot me votën e lirë.
Radikalizmi i veprimtarisë së opozitës, jo më kot u dënua ashpër nga kancelaritë perëndimore, të cilët u shprehën se është e tepruar dhe dramatike mbajtja e njerëzve poshtë çadrave në bulevardin kryesor të kryeqytetit, ndërmjet selisë së Kryeministrisë dhe asaj të Kuvendit.
Anketa
20 maj 2010
A mendoni se greva e urisë e opozitës në Shqipëri ia arriti qëllimit?
Po
21%
Jo
74%
Nuk e di
3%
4 maj 2010
A është greva e urisë mjet për të zgjidhur problemet politike?
Po
26%
Jo
72%
Nuk e di
2%