Shqipëria, arritje madhore në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave
Vlerëson kancelari austriak Varner Faymann
Bashkimi Evropian vazhdon të konsiderojë si të përmbushura kushtet për liberalizimin e vizave nga ana e autoriteteve shqiptare. Vlerësimi më i fundit vjen prej kancelarit austriak, Varner Faymann, i cili shprehet se është impresionues progresi i Shqipërisë në disa prej fushave më jetike për aspiratat e integrimit evropian. “Autoritetet shqiptare kanë bërë një punë të mirë, ashtu sipas rekomandimeve të Komisionit Evropian. është i gëzueshëm fakti që tashmë Shqipëria ka arritur të bëjë hapa të rëndësishëm në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, ku në veçanti janë ato të masave matëse të vendosura nga Bashkimi Europian në fushën e politikave të sigurisë. Mund të them se procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë është thjesht çështje kohe. Kriteret janë përmbushur, s’ka asnjë arsye të KE të zgjasë dhënien e vendimit”- u shpreh kancelari austriak, Faymann. Ai ka shtuar gjithashtu se Austria prej shumë vitesh jep ndihmesën e saj në procesin e stabilizimit të Ballkanit Perëndimor, siç është ajo në fushat e ekonomisë, kulturës si dhe ato të sigurisë së brendshme, në mënyrë që këto vende t’i bashkangjiten sa më shpejt Bashkimit Europian.
Kancelari austriak vëren më tej se sa i përket liberalizimit të vizave me Shqipërinë, duhet nënvizuar se ka disa detyrime të qarta të cilat duhet të kihen gjithmonë parasysh siç janë ato të sigurisë së dokumenteve personale, sigurisë së kufijve, si dhe lufta kundër korrupsionit, pastrimit të parave, kriminalitetit etj. Në këtë drejtim, Faymann vuri në dukje se ka të dhëna të qarta që autoritet shqiptare kanë bërë një punë të çmuar në drejtim të luftës kundër fenomeneve të kriminalitetit.