Vëzhgimi/Edi Rama mundohet të fshehë shuplakat që iu dhanë në Strasburg, por e tradhton çehrja e fytyrës
Humbja e “betejës” në restorant “Krokodil” ka rikthyer pesimizmin në radhët e ylberistëve dhe asnjë lëvizje s’po shihet më si inkurajuese për vazhdimin e qëndrimit radikal kundër qeverisë
Kryesocialisti doli dje në mesditë në një komunikim me mediat, të parën pas kthimit nga darka e Strasburgut. Në deklaratën e tij për shtyp, Rama u shpreh për një fitore të arritur në prani dhe të ndërkombëtarëve dhe se kauza e opozitës na paska zënë një vend të konsiderueshëm në axhendën e Brukselit.
Mashtrim ky, në vargun e spekulimeve të gjata që Edvini i parashtron përpara mediave të selektuara prej tij, në mënyrë që gajasjet që hedh para mikrofonave, të mos ndërpriten për asnjë moment. Lëvizje kjo që vjen si rezultat i mungesës së argumentit dhe tezave legjitime, për çështje të shumë debatuara siç është transparenca e zgjedhjeve, për të cilën kryesocialisti kërkon të shkelë kushtetutën dhe vendimet e gjykatave. Në këtë zallamahi absurditeti, Edi Rama ende vazhdon të shpresojë se shqiptarët do konsiderojnë si të mirëqenë tezat e ngritura prej vetë atij. Dhe kjo në një kohë kur protestat dhe greva e urisë, dy lëvizje këto për të cilat janë shpenzuar miliona euro të taksapaguesve kryeqytetas, dështuan përfundimisht dhe i treguan shqiptarëve fytyrën e vërtetë të vrerëve të komunizmit si Gramoz Ruçit, Skënder Gjinushi, Namik Dokles me në krye të dëshpëruarin, Edi Rama.
Kësisoj, s’kuptohet qartë nëse Edvini do pranojë publikisht dështimin e lëvizjeve të tij si protestat dhe greva e urisë, apo do të vazhdojë drejt një tjetër faze tjetër absurditeti politik, e cila fatmirësisht mund të rezultojë pozitive për Shqipërinë dhe shqiptarët në tërësi, pasi Brukseli nuk do të tolerojë më veprimtari të tilla radikale të opozitës së Edvin Ramës dhe Gramoz Ruçit. Edi Rama s’ka dhënë asnjë koment lidhur me propozimin e Brukselit për zhvillimin e dialogut në parlament dhe vazhdon të jetë enigmë nëse opozita, do t’i drejtohet sallës së kuvendit, ditët në vijim. Gjatë konferencës për shtyp, kryesocialisti ka ditur të neutralizojë disa nga pyetjet direkte të gazetarëve, duke u fshehur pas frazës se “nuk jam këtu për të zbardhur darkën e Strasburgut”.
Megjithatë, Edi Rama, duket se është kthyer nga “Strasburgu” me një mendësi të re, atë të mos përmendjes më të kutive zgjedhore, apo slogane të tipit: “Ku është vota ime”, “Dua të shoh votën time”. Ajo tek e cila kryetari i socialistëve ngulmon, është hetimi i materialeve zgjedhore, por edhe këtë kërkon ta realizojë në kundërshtim me ligjet dhe kodin zgjedhor, të cilin ai vetë e ka votuar.
“Falë përpjekjeve, sakrificave të atyre djemve dhe vajzave që morën hapin e hynë në grevë, ne sot jemi besimplotë. Dua të vlerësoj duke u nisur në faktin se kutitë do hapen, nuk janë më tabu, siç ishin 5 ditë më parë. Mbetet për të diskutuar dhe zgjidhur sesi do të procedohet konkretisht, por tanimë është e qartë se të gjitha “Ruzhdijet e Shqipërisë. është e domosdoshme të nënvizohet që në këtë fazë kaq të rëndësishme, zgjidhja nuk do vonojë, palët nuk duhet të luajnë lojën ‘E ka kush e ka’, në kushtet kur është vendosur një afat i cili ka një kufi ultimativ për t’i dhënë fund dhe zgjidhje përfundimtare kësaj krize”- tha Rama, duke mos dhënë një përgjigje të qartë nëse është e interesuar edhe opozita ashtu si mazhoranca për zgjidhjen e ngërçit politik. Megjithatë, hezitimi i tij në dhënien e një përgjigje koncize dhe korrekte, lidhur me këtë aspekt, ka të thotë se ai dhe çmenduria që e udhëheq, mund të kenë në arkivën e tyre të dështimit, çfarë do lloj aksioni kundër pushtetit dhe rendit demokratik.