E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Kërkimi shkencor - kryeministri Berisha konsideron si frymëzues modelin amerikan

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje gjatë konferencës për kërkimin shkencor, se reformimi i arsimit të lartë duhet të ecë paralel me reformën e kërkimit shkencor.
Sipas kreut të qeverisë, financimi i projekteve të kërkuesve shkencor, nuk duhet të mbështetet vetëm tek fondet publike, një rol të rëndësishëm duhet të luajë sipërmarrja private. Kryeministri theksoi se është e domosdoshme që drejtuesit e universiteteve, drejtuesit e institucioneve shkencore dhe katedrave të vendit, të bëjnë çdo gjë për intensifikimin e bashkëpunimit me universitetet e vendeve mike e partnere, për të bërë të mundur përgatitjen më të mirë të kërkuesve të rinj shkencorë.
Kryeministri theksoi se reforma e thellë që ndërmori vendi ynë për të shkrirë kërkimin shkencor me mësimdhënien u bazua në parimin dhe në besimin se universitetet, auditorët, laboratorët, potencialet e tyre janë dhe mbeten shtretërit e ngrohtë kryesor, të zhvillimit , të mendimit intelektual, të zhvillimit , të mendimit shkencor. Në këtë kontekst, kryeministri shtoi se qeveria do të përpiqet dhe po përpiqet të rrisë progresivisht fondet për kërkimin shkencor, si një kusht vendimtar për suksesin e tij.
Berisha shtoi se këto burime mund të dyfishohen apo të shtohen më shumë nëpërmjet kontributit të padiskutueshëm të sektorit privat. “është e domosdoshme që ne të përpunojmë të gjithë mekanizmat ligjorë, të gjitha lehtësirat në mënyrë që sektori privat, në raport me të cilin buxhetet janë shumë të vegjël, të mund të kontribuojë në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe të shkencës”-, tha kryeministri. Ai u shpreh se universitetet e vendeve mike, e vendeve partnere janë të hapura për bashkëpunim me universitet tona.
Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se është e domosdoshme që drejtuesit e universiteteve, drejtuesit e institucioneve shkencore dhe katedrave të bëjnë çdo gjë për intensifikimin e këtij bashkëpunimi, të bëjnë çdo gjë për përgatitjen më të mirë të kërkuesve të rinj shkencorë.
Ndër të tjera, kryeministri tha se vendet e rajonit janë në një garë jo të lehtë me vende shumë të pasura, shumë të zhvilluara, të cilat kanë traditë të qartë në shkencë, teknologji dhe inovacion. “Ne do të mund të ecim në këtë garë me kushtin më kryesor, të investojmë në burimet njerëzore, të investojmë në trurin dhe mendjen e studiuesve tanë”, tha kryeministri
Kryeministri garantoi të gjithë drejtuesit e universiteteve dhe të shkollave të larta se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që ata të kenë sukses në këtë garë. Suksesi i tyre, u shpreh Kryeministri, është suksesi i vendit, është levë e fuqishme për rritjen ekonomike të vendit, për zhvillimin e tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›