Ronaldo, më i kompletuar se Messi

Legjenda holandeze Ruud Gullit është përfshirë në debatin se kush është futbollist më i mirë mes Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit.
Dyshja e Real Madridit përkatësisht Barcelonës kanë ndarë opinionin në dysh në vitet e fundit edhe pse argjentinasi ka fituar tre herë me radhë Topin e Artë, në tri vitet e fundit. Por, Gullit i cili fitoi çmimin më 1987 deklaroi se mendon se Ronaldo është më i kompletuar se Messi.
“Mendoj se Ronaldo është një fenomen. Messi ka probleme kur kthehet në Argjentinë sepse ata i thonë se është më tepër katalan se argjentinas. Mendoj se Reali është i lumtur që ka Ronaldon. Ai gjithmonë shënon, nuk ndalet së shënuari. Për mua, ai është futbollist ideal, i shpejtë, i gjatë, i fuqishëm në ajër dhe ka teknikë të mirë. Ai shënon edhe penallti, tejkalon mirë ndërhyrjet, është lider”, u shpreh Gullit për ESPN Brazil.