E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptari dhe gjyqtari i FIFA, pranga për trukime

Altin Latifi 

Një arbitër i FIFA-s dhe një trajner shqiptar janë arrestuar dje në Maltë me akuzën e tentativës së korrupsionit gjatë një ndeshje të vlefshme për Kupën UEFA. Bëhet fjalë për trajnerin shqiptar Ilir Pelinku, i cili deri pak ditë më parë ka drejtuar ekipin e kategorisë së dytë malteze Lija Athletic. Ndërsa arbitri i arrestuar është jo pak i njohur edhe për shqiptarët, duke qenë se ai drejtoi ndeshjen mes Shqipërisë dhe Sllovenisë më 24 mars të vitit 2007 në Shkodër. Të dy kanë tentuar të korruptojnë arbitrin e skuadrës malteze Marsaxlokk FC, në ndeshjen ndaj kroatëve të Slaven Belupos muajin e kaluar. Kjo sfidë përfundoi me fitoren e ekipit kroat në shifrat 4-0, por para ndeshjes ishte vetë portieri maltez ai që denoncoi skandalin. Ai ka thënë se i janë ofruar para që të lehtësojnë një rezultat të sigurt në favor të bastexhinjve. Çështja është marrë në dorë në mbledhjen e 26 korrikut nga Federata Malteze, presidenti i së cilës Joe Mifsud është edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Hetimet kanë mbetur sekrete deri dy ditë më parë, pasi Mifsud i kishte telefonuar policisë, e cila dje ka bërë edhe arrestimin e arbitrit të FIFA-s dhe trajnerit shqiptar. Hetimet ndërkohë kanë vazhduar edhe në Gjenevë nga UEFA, që bashkë me FIFA-n, e kanë pezulluar përgjithnjë arbitrin maltez dhe trajnerin nga Shqipëria.
Arrestimi
Presidenti i Federatës Malteze të Futbollit deklaroi hapur dy ditë më parë, në një konferencë për shtyp se dy persona kishin tentuar të korruptonin portierin e Marsaxlokk FC për ndeshjen e Kupës UEFA ndaj kroatëve të Slaven Belupo. "U shokova kur e dëgjova këtë skandal, por nuk e mendoni dot si u ndjeva kur mësova se kush ishte pas tij. Është një ndeshje e Kupës UEFA dhe autorët e këtij skandali janë një arbitër shqiptar që ne e kemi mbajtur në vendin tonë për vite me radhë, si edhe arbitri më i mirë i Maltës...pra Ilir Pelinku dhe Xho Atard", deklaroi Mifsud para mediave. Në fakt, është hera e parë që një trajner shqiptar arrestohet sepse kërkoi të blinte një ndeshje të nivelit ndërkombëtar, pavarësisht se Ilir Pelinku nuk është një figurë shumë e njohur e sportit në Shqipëri. Pas mbledhjes së Federatës, unë pata një takim me ministrin e Drejtësisë, me atë të Punëve të Brendshme dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë (Xhon Rizo)", shtoi presidenti i Federatës Malteze. "Policia drejtoi gjithë operacionin dhe të premten na erdhi një letër që na njoftonte përfshirjen e këtyre të dyve në një skandal trukimi ndeshjesh", tha më tej Mifsud. Presidenti i Federatës Malteze tha gjithashtu se ky rast duhet të shërbejë si shembull për pastrimin e futbollit nga ngjarje të tilla. Ai ka theksuar se klubi Marsaxlokk FC nuk do të ketë asnjë sanksion.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›