E Diel, 1 Nëntor 2026

Prodhimet “Made in Albania” me standarde të socializmit

25/03/2005  ACIT tërheq vëmendjen e biznesit për të njohur dhe reduktuar barrierat jotarifore

Bizneset në Shqipëri kanë prodhime për eksport, por kur vjen puna për t’i vlerësuar me standarde të cilësisë që pranohen sot në Evropë, kanë përpara vetëm standardet e vjetra të socializmit. Vazhdojnë të punojnë me këto standarde biznese që operojnë në fushën e përpunimit të lëkurëve apo të tekstileve. Duket se prania prej vitesh e një Drejtorie të Standardizimit, nuk ka ndihmuar në krijimin e një “bote të re” standardesh dhe që janë aktuale për nivelin ku ka shkuar prodhimi dhe tregtia sot. Problemet e rënda me standardizimet dhe çështjet jotarifore, që bizneset, edhe pse i kanë injoruar deri më sot, detyrohen t’i respektojnë kur eksportojnë jashtë vendit, janë trajtuar në seminarin e organizuar nga ACIT. “Barrierat jotarifore, barrierat teknike, masat sanitare, rregullat e origjinës, janë lënë në hije, edhe pse ndikimi i tyre tenton të rritet me reduktimin e tarifave doganore”, ka thënë gjatë seminarit dr.Selim Belortaja, drejtor ekzekutiv i ACIT. Janë pikërisht këto rregulla teknike, standardet, rregullat e testimit të produktit të prodhuar dhe në fund të certifikimit me kritere të tregjeve të mëdha, ato që përfshihen në barriera jotarifore dhe që e bëjnë të padëshirueshëm prodhimin shqiptar. Për Shqipërinë, efekti i këtyre masave që, në fakt, i thotë ndal prodhimeve “Made in Albania”, kur dalin jashtë vendit, është komplet i panjohur. Por, së fundi, bizneset e fuqishme që kërkojnë të zgjerojnë ekspansionin e tyre dhe në tregjet e huaja, kanë kuptuar se nuk kanë ku shkojnë pa një certifikatë ISPO 9000, pasi askush nuk merr mundimin të negociojë me ta. “Ne kemi të drejtë ta japim këtë lloj certificate, por, unë i kam thënë biznesmenëve që është më mirë ta marrin nga organizma evropiane, që kanë peshë dhe u njihet e drejta e certifikimit”, është shprehur në lidhje me këtë çështje Arben Nati, drejtor i Drejtorisë së Standardizimeve. Kjo drejtori sapo ka fituar të drejtën të japë një certifikatë ISO 9000, por duket se kjo e drejtë i njihet për prodhimet që shiten brenda vendit. Ndërkaq, bizneset që eksportojnë prodhimet e tyre, duhet të kenë patjetër një certifikatë të njohur në Evropë, në të kundërt tregjet homologe në biznes u kthejnë kurrizin. “Orientimi i vëmendjes drejt pengesave jotarifore, lidhet me efektin e tyre përgjithësisht shumë më të ashpër se ai i tarifave doganore”, ka bërë të ditur gjatë seminarit prof.dr.Ahmet Mançellari, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë. Ndërkaq për të evidentuar problemet që vijnë nga barrierat jotarifore, është shumë më e vështirë se sa për t’u përballuar me barrierat e tjera tregtare dhe tarifore. “Vështirësitë lidhen me matjen e efektit të këytre pengesave jotarifore dhe i motiveve që qëndrojnë pas tyre, që në shumë raste lidhet me interesa të rëndësishme, si ruajtja e jetës dhe shëndeti i kafshëve apo bimëve”, shprehet Mançellari, duke kujtuar se masa të tilla në fund bëhen pengesë që biznesi të eksportojë jashtë vendit. Për ekspertët e ACIT, është urgjente ngritja e institucioneve që do të mund të reduktojnë barrierat jotarifore për prodhimet e vendit. “Në kushtet kur situata e bilancit tregtar imponon një vëmendje lidhur me politikat nxitëse ndaj prodhimit dhe eksportit, masat jotarifore përkatëse fitojnë një dimension tjetër, atë të rritjes së aftësisë konkurruese të ekonomisë”, është shprehur gjatë seminarit drejtori i ACIT, dr.Selim Belortaja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›