E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitore magjike e Vale Rosit, që jep spektakël në Spanjë

Mund të jetë mes pilotëve më të fortë të momentit. Mund të garojë si një fenomen i vërtetë për të bërë një garë perfekte. Por në fund bën edhe një xhiro perfekte, duke triumfuar pikërisht aty ku askujt nuk ia merrte mendja se mund të parakalohej rivali. Vjen kthesa e fundit në të djathtë, ajo që të çon në vijën e finishit dhe Vale Rosi ia del mbanë. Ai që ka humbur një garë thuajse të fituar në Katalunja ishte Horge Lorenco. Dhe ai që do të fitonte një garë thuajse të humbur ishte pikërisht miti Valentino Rosi, i cili dje ka bërë një paraqitje të mrekullueshme, duke shkruar një tjetër faqe në historinë e motoçiklizmit. "Një fitore për manual". Si mund të përkufizohet ndryshe fitorja e italianit ndaj rivalit të tij më të fortë, Lorencos? Spanjolli ka hyrë në kthesë i sigurt se e kishte fituar garën, asnjë mundësi logjike nuk e bënte të mendonte se kundërshtari mund të provonte ta parakalonte pikërisht aty. Ndërsa Vale e ka bërë, ka hyrë, i ka dhënë gaz në maksimum dhe ka prerë i pari finishin. "Nuk e mbylla mirë", ka thënë Lorenco pas garës. Vërtet e humbi në fund, por askush nuk duhet ta fajësojë. Atje nuk mund të parakalohej. Nuk do ta kishte bërë askush, por mundej ta bënte vetëm më i madhi i të gjithëve, Rosi. Dje Valentino ka demonstruar edhe një herë se kishte një motivim të fortë: të mundte rivalin në shtëpinë e tij, në Spanjë. E gjithë gara ka qenë teatër i kësaj përballjeje. Të dy morën kreun dhe Kejsi Stoner ishte i treti, por larg tyre. Australiani u kënaq me vendin e fundit në pod, që gjithsesi i mundësoi të ruajë kryesimin e Botërorit me pikë të barabarta (106) me dy rivalët e Yamahas. Edhe vendet katër dhe pesë të Doviciozos e Kapirosit janë një tjetër histori e bukur e kësaj gare. Por dje skena ishte e gjitha për Valen dhe Horgen, të cilët janë për t‘u falënderuar për ato tri xhiro të jashtëzakonshme, të cilat do të bëhen një nga videot më të klikuara në "YouTube" në vitet që vijnë. Një parakalim që të lë pa frymë pak para finishit, ku Rosi zgjodhi anën e brendshme dhe ka mundur të mbetet në pistë. Lorenco nuk e ka lejuar deri në atë kthesë të fundit, ku ndodhi edhe ajo çmenduri e paharrueshme, që i ka lejuar legjendës së Valentinos të vazhdojë ende për shumë kohë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›