E Shtunë, 31 Tetor 2026

Real humbet Vijan dhe i rikthehet Ibrës

Ibrahimoviç dëshiron Spanjën, kjo është e qartë, pasi menaxheri i tij Mino Raiola po e thekson çdo ditë: "Zlatanin e shikoj mirë në ‘La Liga‘...". Por nëse Barcelona ngurron ("rroga e Ibrës është shumë e lartë") në kërkim të suedezit mund të hidhet Real Madridi, i cili ka marrë refuzimin e Valencias për David Vija e mund të ndryshojë objektiv rrugës. Tashmë atyre u duhet të zgjedhin mes Forlanit dhe Ibrës. Krejt papritur, kur blerja e Vijës dukej e mbaruar, Florentono Perezit i është dashur të marrë "Jo"-në e parë pas rikthimit si president. Sikurse thuhet në Spanjë, tashmë ai i ka urdhëruar emisarët e tij të merkatos të kërkojnë një tjetër lojtar. Në krye të listës së presidentit të ri të "blancos" është golashënuesi i "La Liga"-s, Diego Forlan. Uruguaiani i pëlqen Pelegrinit, por Atletiko Madridi ka theksuar disa herë se nuk dëshiron të shesë as Forlanin dhe as Agueron. Aq më tepër që ai që i kërkon është armiku i betuar i pjesës tjetër të të njëjtit qytet, Reali. Prandaj kjo rrjedhë logjike i çon madrilenët drejt Ibrahimoviçit. Një sulm i formuar nga treshja Ibra, Kaka e Kristiano Ronaldo do të ishte diçka e jashtëzakonshme. Por, gjithsesi, duhet pritur edhe pak për të parë se cila do të jetë lëvizja e radhës e madrilenëve, të cilët duhet të përballen me konkurrencën e Barcelonës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›