E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitorja e Obamës, ngrihet dollari, bie në Shqipëri

Autori i Lajmit: red.
Fitorja e Obamës ka forcuar dollarin ndaj të gjitha monedhave ndërkombëtare. Ndryshe ka ndodhur në tregun vendas, ku reagimi i dollarit është në kahun negativ.
USD ndaj lekut ka pësuar rënie ndërkohë që euro është rritur. Dje dollari ka fituar pikë ndaj euros pas fitores së Obamës në zgjedhjet presidenciale të ditës së djeshme. Të gjithë ekonomistët janë të mendimit se Obama do t i japë një shtysë ekonomisë më të madhe botërore, e cila prej kohësh është në recesion.
Ritmet e monedhës amerikane
Monedha amerikane dje ka fituar pikë edhe ndaj paundit si dhe dollarit Australian pasi Obama fitoi me 349 vota elektorale nga 270 të nevojshme. Euro ka humbur më shumë se 2% pasi një anëtar i Bankës Qendrore Europiane (ECB), Jurgen Stark, sinjalizoi ulje të normës bazë të interesit të euros. Monedha europiane pësoi rënie edhe pas humbjes që pësuan bursat europiane dje. “Fitorja e Obamës dhe rritja e numrit të Demokratëve në Kongresin Amerikan janë sigurisht në mbështetje të dollarit, dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim” – tha Michael Klaëitter, shef këmbimi në një bankë në Frankfurt. Dollari është forcuar deri në nivelin 1.2865 ndaj euros, nga 1.2981 që ishte ditën e djeshme, kur monedha amerikane ra në 2.7%. Ekonomistët parashikojnë që dollari të forcohet deri në nivelin 1.25 ndaj euros në tre muajt e ardhshëm dhe 1.05 deri në muajin qershor të vitit të ardhshëm. Por ka dhe nga ata ekonomistë që mendojnë se rritja e dollarit është një flluskë sapuni. “Ne po shohim një rritje spekulative të dollarit” – tha Kengo Suzuki, shef këmbimi në Shinko Securities Co. Sipas tij ekonomia amerikane është e dobët dhe ende nuk dihen politikat që Obama do të ndjekë për nxjerrjen e ekonomisë nga kriza. Nga ana tjetër ECB pritet të ulë normën bazë të interesit të euros deri në 3.25% në takimin e ditës së nesërme. “Ne presim zhvillime negative për euron” – tha Henrik Gullberg, shef këmbimi Deutsche Bank AG, banka më e madhe në botë e këmbimit të monedhave. Ai mendon se deri në fund të vitit monedha europiane do të këmbehet deri në nivelin 1.20 dollarë.
Dollari ndaj LEK-ut
Tregu vendas duket se nuk është ndikuar nga zhvillimet ndërkombëtare ditën e djeshme. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë dollari amerikan ka pësuar humbje ndaj lekut duke u këmbyer për 96.07 lekë ndërkohë që euro është rritur deri në nivelin 123.35 lekë. Euro është monedha bazë e të gjitha shkëmbimeve tregtare kryhen me eurozonën. Kërkesa e madhe për euro bën që ajo të fitojë pikë ndaj monedhës vendase edhe ne kohen kur ne tregjet nderkombetare ka renie.

Deficiti u rrit me 0.4 për qind

Thellohet deficiti tregtar, tregu mbytet nga importet

Mallrat e huaja vazhdojnë të sundojnë në tregun vendas. Edhe gjatë muajit shtator vihet re një rritje e deficitit tregtar me vendet e jashtme. Sipas të dhënave nga INSTAT, deficiti është rritur me 0.4% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Kështu gjatë muajit shtator janë importuar 36 miliardë lekë mallra me rritje 2.5 për qind në krahasim me muajin gusht 2008 dhe rritje 6.9 për qind në krahasim me muajin Shtator të 2007. Ndërkohë edhe eksportet kanë pësuar rritje por jo në të njëjtin ritëm me importet. Kështu janë eksportuar 10 miliardë lekë mallra, me rritje 36.4 për qind në krahasim me muajin Gusht të 2008 dhe rritje me 27 për qind në krahasim me muajin Shtator 2007. Sipas të dhënave deficiti tregtar i këtij muaji është 25 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 0.4 për qind krahasuar me muajin respektiv të vitit 2007. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Krahasuar me Gushtin e 2008, importi i mallrave me akcizë ka patur ulje prej 15.7 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës.

Ky lajm është publikuar: 06/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›