Fitou: Pavarësia nuk do të kthehet mbrapa

Ambasadori i Francës në Kosovë, Jean - François Fitou, të enjten ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e tij se nuk do të ketë kthim mbrapa sa i përket pavarësisë së Kosovës, ndërsa ka shtuar se Kosova në procesin e dialogut duhet të hyjë me vetëbesim, pasi sipas tij nuk do të humbë asgjë.
Gjatë një konference për media të enjten, ambasadori Fitou ka thënë se Franca një herë e përgjithmonë e njeh këtë vendim të pakthyeshëm së bashku me rreth 80 shtete tjera të botës. Ai ka theksuar se dialogu Kosovë-Serbi do të sjellë të mira për të dyja palët dhe se është në të mirë të të dyja shteteve.
“Ky dialog nëse i sjell gjëra të mira njërës palë duhet t’i sjellë gjëra të mira edhe palës tjetër. Nuk është dialog, i cili jep përfitime vetëm njërës palë, ndërsa tjetrës i jep humbje, ky është dialog për të mirën e dy shteteve. Nuk është si një lojë futbolli, shembull kur njëri shpallet fitues e tjetri humbës. Ka gjëra që dalin në fitim të Kosovës, por ka gjëra për të cilat do të shpallet fitues edhe Serbia”, ka thënë ambasadori Fitou, siç transmeton Kosovapress.
Sipas tij, dialogu nuk duhet të shihet si diçka që imponohet, prandaj edhe është nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.
“Do të diskutohen çështjet ekonomike, të tregtisë, të lëvizjes së lirë, pra të gjërave konkrete, prandaj Kosova nuk duhet të frikësohet nga ky dialog”, ka thënë diplomati francez.
Duke e cilësuar si një mundësi të mirë fillimin e këtij dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ambasadori Fitou ka thënë se të gjitha garancitë që iu kanë dhënë Kosovës që 12 vjet, prapë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen nga faktori ndërkombëtar.
Ndërkohë që ka përsëritur edhe një herë përsëriti qëndrimin se e ardhmja e Serbisë dhe e Kosovës është në Bashkimin Evropian.
“Dialogu do të jetë për të gjetur zgjidhje konkrete dhe reale. Pavarësia e Kosovës nuk është njohur nga të gjitha shtetet e botës, por nuk do të bëhet fjalë për këtë çështje këtu, nuk do të bëhet fjalë për statusin e Kosovës. Pavarësia e Kosovës, e cila është e njohur nuk do të kthehet mbrapa për as një milimetër”, ka thënë Fitou, duke përsëritur se tashmë është koha e duhur për këto bisedime.
I pyetur për incidentin e djeshëm të ndodhur në Frankfurt të Gjermanisë, diplomati francez ka thënë se ky incident mund të ndodhë kudo në shtetet e Evropës, dhe se nuk ka të bëjë me prishjen e imazhit të Kosovës.