Fitou:Kosova ka një perspektivë evropiane
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka pritur të hënën në një takim njohës ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Fitou, të cilin e ka falënderuar për kontributin e Francës për pavarësinë e vendit dhe mbështetjen që po i jep ky vend Kosovës.
Ambasadori Fitou ndërkaq, tha se Kosova ka një perspektivë evropiane, perspektivë kjo që do të përkrahet nga Franca. Franca, sipas tij, është shumë e interesuar për integrimet evropiane të Kosovës, ndërkaq, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave ambasadori francez tha se projekti i liberalizimit të vizave është projekt i gjatë, njëkohësisht edhe teknik.
Sa i përket Veriut të Kosovës, Fitou tha se Franca është e interesuar që Veriu të integrohet në jetën institucionale të Kosovës. Strukturat paralele serbe, tha ai, nuk do të mund të vazhdojnë gjatë, ato do të zëvendësohen nga institucionet legjitime, theksoi ambasadori francez.
Duke folur për synimet e ardhshme të Kosovës, Krasniqi tha se synim kryesor i Kosovës është anëtarësimi në Evropë dhe se pret që Franca ta mbështesë edhe në procesin e liberalizimit të vizave, i cili për Kosovën është i një rëndësie të veçantë.
Në vijim kryekuvendari Krasniqi foli edhe për çështjen e integrimit të komuniteteve në jetën shoqërore e institucionale, me theks të veçantë të komunitetit serb, pastaj për çështjen e Veriut të Kosovës, raportet e Kosovës me shtetet fqinje etj.