Fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve pluraliste
Në historikun e parlamentarizmit në Shqipëri 31 marsi i vitit 1991 mbahet mend si data e zgjedhjeve të para pluraliste. Në atë kohë kandidonin përballë njëra-tjetrës Partia e Punës së Shqipërisë dhe Partia Demokratike. Nga Parlamenti me 250 vende, opozita e drejtuar nga demokratët mori vetëm 64 të tilla. Kryeministër i qeverisë që doli pas këtyre zgjedhjeve ishte Fatos Nano dhe President mbeti Ramiz Alia. Vetëm një vit do ishte jetëgjatësia e kësaj qeverie, e cila i la vendin një qeverie tjetër me përbërje të të gjitha forcave politike parlamentare dhe joparlamentare. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbaheshin në 22 marsin e vitit 1992. Në këtë garë ishin përballë njëra-tjetrës Partia Socialiste (shndërrimi i Partisë së Punës) dhe Partia Demokratike e Shqipërisë. Demokratët në këtë sfidë elektorale do të arrinin të merrnin mbi 60% të mandateve të Kuvendit të Shqipërisë që përbëhej nga 140 vende. Kjo do të shënonte edhe fitoren e parë të një force demokratike në zgjedhjet pluraliste në Shqipërinë postkomuniste. Në nëntorin e vitit 1994, Partia Demokratike bëhet nismëtarja e një referendumi për ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Vota popullore do të nxirrte në një disavantazh mbështetësit e paketës së ndryshimeve në dokumentin themeltar të shtetit. Qeveria e kryesuar nga Aleksandër Meksi e mbaroi mandatin e saj të rregullt katërvjeçar deri në zhvillimin e zgjedhjeve të 26 majit të vitit 1996. Partitë e opozitës u tërhoqën nga procesi i votimit dhe kontestuan procesin me pretendimin se ishin kryer vjedhje masive të votave. Sipas rezultatit të shpallur, Partia Demokratike mori fitoren më të bindshme duke i lënë Partisë Socialiste në opozitë vetëm 10 mandate deputetësh nga 140. Rënia e skemave piramidale dhe pakënaqësitë popullore do të shkaktonin rënien e qeverisë "Meksi" dhe krijimin e një kabineti me bazë të gjerë që u quajt "qeveria e pajtimit kombëtar" të kryesuar nga Bashkim Fino. Ajo do përgatiste zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 29 qershorit të vitit 1997. Sipas rezultatit të zgjedhjeve, Partia Socialiste arriti të sigurojë rreth 100 vende në Parlament dhe demokratët kaluan në opozitë. Në 24 qershor të vitit 2001 u mbajtën zgjedhjet e tjera për Kuvendin e Shqipërisë. Partia Socialiste arriti të rikonfirmohej në drejtim të qeverisjes teksa grumbulloi votat e duhura për të marrë 75 mandate deputetësh. Zgjedhjet e gjashta pluraliste u mbajtën në 3 korrikun e vitit 2005. Pas tetë vitesh në drejtim të shtetit, Partia Socialiste dhe koalicioni i majtë kaloi në opozitë. Demokratët morën 56 mandate deputetësh teksa socialistët fituan 42 të tilla. Zgjedhjet e fundit të zhvilluara në Shqipëri janë ato për pushtetin lokal dhe që u mbajtën më 18 shkurt të vitit 2007. Sipas rezultatit final të zgjedhjeve kryesoi Partia Socialiste dhe u ndoq nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Tabelë
Zgjedhjet parlamentare
31 mars 1991
Fiton Partia e Punës, PD në opozitë
22 mars 1992
PD fiton bindshëm, PS në opozitë
26 maj 1996
PD fiton bindshëm, opozita tërhiqet
29 qershor 1997
PS fiton 100 vende, 27 PD
24 qershor 2001
PS fiton dhe PD në opozitë
3 korrik 2005
PD fiton dhe PS në opozitë
Tabelë
Zgjedhjet parlamentare
31 mars 1991
Fiton Partia e Punës, PD në opozitë
22 mars 1992
PD fiton bindshëm, PS në opozitë
26 maj 1996
PD fiton bindshëm, opozita tërhiqet
29 qershor 1997
PS fiton 100 vende, 27 PD
24 qershor 2001
PS fiton dhe PD në opozitë
3 korrik 2005
PD fiton dhe PS në opozitë