E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Spiunët", KE: Berisha nuk na dëgjon

Pas takimeve të fundit të zhvilluara me Kryeministrin Berisha dhe me Presidentin Topi, dy reporterët e KE-së, të cilët ndodhen prej dy ditësh në Tiranë nuk i kanë kursyer kritikat ndaj qeverisë dhe mazhorancës. Sipas tyre, qeveria nuk ka bashkëpunuar me Këshillin e Evropës për ligjin e "dosjeve", ndaj ata janë të detyruar që për të mësuar më shumë rreth përmbajtjes së këtij ligji t‘i drejtohen Komisionit të Venecias. Pas takimit në Pallat të Brigadave me Presidentin e Republikës dy reporterët e KE-së kanë bërë nga një koment të shkurtër për t‘i lënë detajet në raportin që ata do të hartojnë dhe që do ta bëjnë publik deri në fund të muajit mars.

Reporterët

Reporteri Jakkso Laakso, ka deklaruar se kjo nuk është vizita e parë që ai bën në Shqipëri. Ai vjen për të disatën herë dhe ka konstatuar se qeveria e Shqipërisë ka qenë shumë e gatshme për të bashkëpunuar me KE dhe komunitetin ndërkombëtar. Por ka shtuar ai "është shumë e habitshme që këtë radhë qeveria e Shqipërisë nuk ishte e gatshme për të bashkëpunuar me konsensus për të riparë ligjin e "dosjeve" me organizmat ndërkombëtarë si KE-ja". Ndaj, ka theksuar ai, mendojmë se nuk është me vend që Këshilli i Evropës të rishohë ligjin. "Ne mendojmë t‘i kërkojmë një opinion Komisionit të Venecias në lidhje me përmbajtjen e ligjit të lustrimit. Duket se përmbajtja duhet të ndryshojë, sepse kaq shumë organizata ndërkombëtare jo vetëm KE-ja, kanë qenë kaq kritike në lidhje me përmbajtjen! Dhe për fat të keq, qeveria e Shqipërisë nuk ka qenë e gatshme për bashkëpunim me ne për ta riparë këtë. Ne shpresojmë që qeveria e Shqipërisë të ndryshojë mendim në lidhje me bashkëpunimet e ardhshme me organizatën tonë", është shprehur Laakso, pas takimit me kreun e shtetit shqiptar Topi. Në të njëjtën linjë mendimi ka qenë edhe reporteri tjetër i KE-së, David Ëilshire. "Mendoj se në lidhje me çështjen e dytë kjo është prerogative e çdonjërit prej 45 vendeve anëtare të KE-së, me kusht respektimin e rregullave. Ndaj s‘kam asnjë koment në lidhje me njerëzit që janë zgjedhur, kjo është një çështje që u takon tërësisht shqiptarëve se kë dërgojnë. Ne jemi të interesuar për procedurat dhe ne do të bëjmë një raport kur te kthehemi në Strasburg", është shprehur Ëilshire. Ndërsa për ligjin e "dosjeve" ai është shprehur se "ju keni një qeveri në vendin tuaj që do të bëjë diçka, nga ana tjetër kemi opinion ndërkombëtar që është i shqetësuar. Gjeja e parë që dua të them në lidhje me këtë është që mendoj se askush nuk sugjeron që Shqipëria të mos ketë një ligj për dosjet. Kjo është një çështje e shqiptarëve. Pra ne nuk jemi këtu që të shohim nëse duhet apo nuk duhet të keni një ligj, ne jemi këtu për të parë detajet e ligjit, sa në përputhje janë me të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor. Ne gjithashtu, jemi këtu që të shohim nëse mund të përmirësojmë diçka, dhe në këtë frymë, besoj se do të diskutojmë sërish".

Deklarata e Topit

Presidenti Topi nuk ka dashur të bëjë ndonjë koment konkret në lidhje me ligjin e "dosjeve" nëse duhet ndryshuar apo jo duke kërkuar që ta lërë në qetësinë e tij. Ndërsa në lidhje me takimin e zhvilluar me dy reporterët e KE-së, informacionin e ka dhënë nëpërmjet një njoftimi për shtyp, në të cilin thuhet se pasi Presidenti Topi i ka falënderuar për vizitën u ka bërë një panoramë të zhvillimeve kryesore në vend dhe ecurinë e reformave kyçe, duke theksuar se po kërkohet të përmirësohet sistemi i drejtësisë, lufta kundër korrupsionit etj. Ai ka garantuar dy reporterët se si kryetar shteti do të vazhdojë të jetë garant i Kushtetutës dhe ligjit në ruajtjen e ekuilibrave politikë me qëllim integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike.

Deklarata e Berishës

Ashtu si Presidenti i Republikës, edhe Kryeministri Berisha është mjaftuar me një deklaratë për shtyp në lidhje me takimin që ka zhvilluar me dy reporterë, i cili ka zgjatur me shumë sesa ishte parashikuar. Në njoftim thuhej se Berisha i ka shprehur raportuesve të KE-së vullnetin e tij për të bashkëpunuar me çdo institucion ndërkombëtar për zbatimin e ligjit të ‘dosjeve‘. Kryeministri ka shprehur bindjen e tij se në Shqipëri ekziston një konsensus i përgjithshëm për miratimin e këtij ligji. Ai u ka kujtuar dy reporterëve se gjatë regjimit komunist në Shqipëri janë kryer krime kundër njerëzimit dhe gjenocide. Kryeministri ka deklaruar se ligji u miratua në këtë periudhë, sepse për dy vjet me radhë është negociuar me partitë e tjera politike dhe në korrik 2008 kur mazhoranca pranoi amendamentet e paraqitura nga opozita, por që për arsye që nuk kanë të bëjnë me qeverinë, por me kryetarin e opozitës, kjo e fundit refuzoi konsensusin final. Gjithashtu, ai ka theksuar se u ka kërkuar ekspertëve çekë për zbatimin e këtij ligji.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›