E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitzgerald: Nato nuk do të lejojë akte dhune në asnjë pjesë të Kosovës


Komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate të Komandës në Napoli, admirali Mark Fitzgerald, i cili ka përgjegjësi operative për misionet e NATO-s në Ballkan, Irak dhe në Mesdhe, në vizitën e tij të dytë brenda një muaji në Kosovë, ka deklaruar se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës nuk e kërcënojnë stabilitetin. "Ne nuk do të lejojmë akte dhune në asnjë pjesë të Kosovës. Situata e sigurisë do të mbetet e qetë. Aktet e dhunës në pjesën veriore të Mitrovicës janë të izoluara dhe ne do të vazhdojmë të ruajmë ambientin e qetë dhe të sigurtë, gjë e cila do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës. Ne jemi të gatshëm të reagojmë për çfarëdo të jetë e nevojshme", - tha admirali Fitzgerald, duke vlerësuar lart reagimin e shpejtë dhe profesional të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it pas incidenteve të fundit në veri të Mitrovicës. Admirali Fitzgerald i ka bërë këto deklarata, pasditën e së martës në shtabin qendror të KFOR-it, në Prishtinë, pas takimit me komandantin e forcave paqeruajtëse në Kosovë, gjeneralin Markus Bentler. Të dy ushtarakët e lartë ritheksuan përkushtimin e KFOR-it për të ruajtur paqen dhe sigurinë në këtë pjesë të Ballkanit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›