Spanjë, mbërrijnë 7 të burgosur politikë të liruar në Kubë
Shtatë të burgosur politikë kubanezë të liruar arritën të martën në Madrid, çka mund të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian dhe Havanës. Qëkur Kuba ka burgosur dhjetëra disidentë në vitin 2003, BE-ja ka aplikuar sanksione diplomatike, dhe ka kushtëzuar ishullin komunist që të zhvillojë përmirësime në lirinë politike dhe të drejtat e njeriut. Kuba nuk ka bërë të ditur se pse ka liruar 52 të burgosur dhe i ka lejuar ata që të shkojnë në Spanjë bashkë me familjet e tyre, por shkak mund të jenë krizat e thella financiare në vend dhe reputacioni ndërkombëtar i njollosur. Partia komuniste është e vetmja organizatë politike në Kubë që nga viti 1965. Një numër prej 75 disidentësh ndodhen në burg, dhe Kuba është kritikuar nga ndërkombëtarët për vdekjen e njërit prej tyre. Orlando Zapata vdiq më 23 shkurt pas 85 ditësh grevë urie në kushte shumë të rënda. Shtatë të burgosurit e liruar mbërritën në Spanjë së bashku me familjet e tyre në dy fluturime të veçanta. Ndërkohë Kuba ka premtuar se do të lirojë edhe 45 të burgosur të tjerë.
Spanja e cila në qershor ka marrë presidencën e BE-së ka qënë aktive në marrëveshjen për lirimin e të burgosurve duke u ofruar atyre bashkë me anëtarët e familjes shtëpi për të banuar.