Fjala e Kryeministri Berisha në 10 vjetorin e krijimit të Shoqatës së Komunave të Shqipërisë
Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e 10 vjetorit të krijimit të Shoqatës së Komunave të Shqipërisë. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri u shpreh:
"Është një nder i veçantë për mua t'ju përshëndes shumë përzemërsisht, të përshëndes të gjithë këshilltarët e komunave të vendit, qeveritarë direkt të shumicës dërrmuese të shqiptarëve, të përshëndes qytetarët e komunave tuaja dhe t'ju siguroj se qeveria është tërësisht e interesuar të bashkëpunojë ngushtë, në mënyrë që së bashku të mund të ndryshojë për mirë, të përmirësojë jetën, veprimtarinë, funksionimin e komunave tuaja, të fermerëve, të bizneseve në këto komunave, zhvillimin e tyre, si kushtin e pazëvendësueshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë.
Ju jam plotësisht mirënjohës për punën dhe përkushtimin që ju tregoni. Jam i vetëdijshëm për vështirësitë e mëdha me të cilat ju ndesheni. Ju, më shumë se kushdo tjetër, përballeni me trashëgiminë e rëndë shekullore të një prapambetjeje në zhvillim, por njëkohësisht edhe me një realitet tjetër që ndryshon me shpejtësi, që kristalizohet gjithnjë e më shumë në komunat tuaja, përfshi edhe zonat më të thella.
Në konceptin e qeverisë, në Shqipëri nuk ka territor, nuk ka komunë, nuk ka skaj të vendit për t'u braktisur. Jo dhe jo. Të gjitha zonat janë për t'u zhvilluar, sepse ju më mirë se kushdo e dini se ato mbartin në vetvete potenciale të mëdha. Në Shqipëri nuk ka zona të largëta, të tilla i ka bërë infrastruktura. Por Shqipëria është një vend i vogël, që me infrastrukturë të ngritur, ecën me shpejtësi. Kudo gjen pasuri të mëdha, pasuri mbitokësore, pasuri nëntokësore, por në tërësi pasuri që flenë, sepse akoma nuk i kemi shndërruar dot në vlera për qytetarët tanë.
Jam sot këtu për t'u premtuar se këtë vit ne ndërmarrim një projekt të ri shumë të rëndësishëm, një projekt i cili si fillim kap vlerën 400 milionë dollarë kredi nga Banka Botërore, e cila do të adresohet e tëra për infrastrukturën e komunave tuaja, për rrugët, në mënyrë që ju, qytetarët tuaj, fermerët tuaj, të kapnin sa më shpejt tregun, në mënyrë që zonat tuaja turistike të kapen sa më shpejt nga qytetarët shqiptarë dhe të huaj.
Ne po punojmë me intensitet për decentralizimin. Sot ju keni, përveç taksave dhe tarifave që vilni mbi bazën e ligjit për qeverisjen vendore, dy taksa të rëndësishme, taksën e biznesit të vogël që e administroni vet, por keni edhe taksën e pronës, shumë më e rëndësishme se e para, të cilën duhet me çdo kusht ta konsolidojmë. Taksa e pronës është taksë kryesore në çdo vend, është e domosdoshme për të vlerësuar pronën, për të mos lejuar pasuri të ngrira. Ndaj do t'ju ftoja që të bëheni shembull në vjeljen dhe administrimin e saj. Kjo taksë është "thembra e Akilit" në sistemin tonë tatimor. Shqipëria ka të regjistruara në regjistrin e Hipotekës rreth 3 milionë prona pasuri, kurse në tatime janë shumë herë më pak.
Para disa ditësh takova një kryetar bashkie, i cili më informoi se pasi bënë decentralizimin e taksës së biznesit të vogël në bashkinë e tij, ishin regjistruar 40 biznese të vogla më shumë, por ishin regjistruar edhe 17 biznese të mëdha që nuk i paguanin asnjë qindarkë baskisë më parë. Ju jeni autoriteti vendor. Nuk mund të ketë veprimtari nga askush dhe të askujt që të mos shlyejë detyrimin ndaj komunitetit që ju përfaqësoni. Unë e kuptoj që ju arkën e keni të vogël, por nga ana tjetër ju duhet të bëni detyrat tuaja. Ne gjithashtu duhet të bëjmë detyrat tona.Çdo ditë ne kemi rritur dhe do të vazhdojmë të rrisim grantin për ju. Këtë vit është rreth 16. 1 miliardë, e kemi gjetur 7.2 dhe absolutisht qëllimi është të kalojmë në 25 miliardë. Por cilido që të jetë granti, është një ndihmë për ju, sepse asnjë nuk mund të zëvendësojë pasuritë e mëdha që ju keni.
Ne kemi tashmë një ligj të ri, ligjin e partneritetit publik privat. Është ligji që pëlqehet më shumë nga biznesi vendas dhe ai ndërkombëtar. Është një ligj i cili vërtetë nuk zvarrit punët dhe ku nuk lejohet negocimi direkt. Por nga ana tjetër, në tërësinë dhe filozofinë e tij, parandalon dështimin. Eshtë në interesin tuaj më të madh ta studioni këtë ligj. I kam kërkuar edhe Agjencisë Kombëtare të Prokurimeve të organizojë seminare me ju, në mënyrë që pasuritë tuaja të mund t'ua ofroni, mbi bazën e këtij ligji dhe në mënyrë transparente, sektorit privat, në partneritet me të. Kjo do të shumëfishonte mundësitë e buxhetit tuaj dhe do të ishte vërtetë një levë e fuqishme për zhvillimi e komunave tuaja.
Bashkërisht kemi një problem madhor përpara, kemi reformën e njësive të qeverisjes vendore. Për këtë reformë, forca kryesore politike, qeveria dhe opozita janë dakord. Por kjo nuk mjafton sepse Kushtetuta parashikon të drejtën e referendumit për komunitetin vendor. A është e domosdoshme reforma? Mendoj se është e domosdoshme. Ju jeni të vetëdijshëm për këtë. Ndryshimet e mëdha demografike të këtyre 17 viteve të fundit, e kanë bërë shumë të domosdoshme këtë reformë dhe ajo, në asnjë mënyrë nuk duhet të synojë gjë tjetër përveç përmirësimit të cilësisë së shërbimeve për qytetarët shqiptarë. Mirëadministrimi i vendit është në dorën tuaj më shumë se në dorë të qeverisë apo të opozitës në qendër. Duhet që këtë reformë ta kompletojmë sa më shpejtë, duke qartësuar dobinë e saj tek të gjitha komunitetet e komunave tuaja, duke ndërgjegjësuar dhe shpjeguar atyre se reforma, në radhë të parë, është në interesin e tyre. Kompletimi i kësaj reforme do të hapë mundësinë për vazhdimin e reformës së qarqeve.
Ne po ecim drejt reformave për integrimin në Bashkimin Europian. Bashkëpunimi dhe zhvillimi i rajoneve është një nga drejtimet themelore të këtij bashkimi. Ndërtimi i rajoneve tona nuk është ai që duhet të jetë, edhe pse ato kanë një rëndësi jetike për zhvillimin e vendit. E tërë kredia për rrugët rurale normalisht duhet të administrohet nga qarqet. Por nuk mund të them se ato janë hallka më e konsoliduar e qeverisjes vendore. E kundërta është e vërtetë, ato janë hallka më pak e konsoliduar e qeverisjes vendore, në një kohë që ato kanë një mision të madh. Pra, le ta shohim së bashku në këtë kontekst reformën e qeverisjes vendore, ta kompletojmë atë dhe ta përgatisim vendin për procesin e integrimit evropian.
Së shpejti ne do të kalojmë në Parlament ligjin e huamarrjes për njësitë e qeverisjes vendore. Edhe ky ligj i domosdoshëm krijon për qeverinë vendore mundësi të reja. Detyrat tuaja janë shumë të mëdha, mundësitë tuaja janë po kaq të mëdha. Është në detyrimin tuaj të zhvilloni burimet njerëzore, t'u jepni atyre përparësi kryesore, në mënyrë që efiçenca administrative, cilësia e shërbimit, të rritet gjithnjë e më shumë. Unë kam besim të madh. Dua të përshëndes këtu Kryetarin e Shoqatës së Komunave të Shqipërisë, për punën e shkëlqyer që ka barë edhe si shoqatë, por edhe si përfaqësues komunash në çdo rast, si dhe për bashkëpunimin edhe me institucionet ndërkombëtare, për bashkëpunimin e ngushtë edhe me donatorët që, në mbarë vendin, edhe në zona të thella, kanë financuar projekte të çmuara për të përmirësuar jetën e qytetarëve të komunave tona".