Kryeministri Berisha i gatshëm të ndërrmarrë çdo hap kushtetues për zgjidhjen e çështjes së presidentit
Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar, Kryeministri Berisha, duke folur për zgjedhjen e presidentit u shpreh se është e domosdoshme që opozita të dëshmojë vullnet për një proces konsensual. Kryeministri ritheksoi se ky proces duhet të progresojë në përputhje të plotë me kushtetutën e vendit dhe se çdo devijim nga kushtetuta e bën atë të pavlefshëm.
Duke nënvizuar se zgjedhjet e parakohshme nuk janë në interes të këtij vendi, Kryeministri u shpreh se është i gatshëm të zhvillojë takime me çdo politikan për të arritur sa më parë në një zgjidhje të pranueshme, në përputhje me Kushtetutën.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha, ndër të tjera u shpreh:
"Sot, temë kryesore e ditës është zgjedhja e Presidentit të Republikës. Gjatë dy javëve të fundit që nga fillimi i procesit deri në ditën e sotme, nuk ka patur një progres thelbësor që të mund të raportohet.
Opozita në mënyrën më të përsëritur, në një seri takimesh të zhvilluara midis përfaqësuesve tanë dhe përfaqësuesve të tyre ka ndryshuar qëndrimet. Mund të them që ditën e enjte për të disatën herë premtuan se do të paraqiteshin me kandidatura. Të premten u shprehën se nuk do të ketë kandidatura në rast se nuk do të tërhiqet kandidatura e Bamir Topit. Për hir të klimës nuk duhet ta emërtoj se çdo të thotë kjo kërkesë, por ajo që duhet të pohoj është se një kërkesë të tillë, personalisht nuk mund tia vendos kurrë askujt, në rast se nuk bëhet fjalë për një kriminel të dënuar nga drejtësia, apo për një njeri që është jashtë të gjitha kushteve kushtetuese. Ndaj dhe nuk mund të pranoj për asnjë zyrtar të çdo niveli nga më i larti tek niveli më i thjeshtë i Partisë Demokratike. Nuk mund ta pranoj për asnjë zyrtar të koalicionit qeveritar. Nuk mund ta konceptoj që ti them kundërshtarit se ti nuk mund të propozosh. Propozimi është e drejtë e gjithesecilit. U shpreha dhe me lart se nuk dua ta etiketoj ashtu siç është në të vërtetë ky fakt, por kjo është absolutisht e papranueshme. Nuk mund tua kërkosh një gjë të tillë kundërshtarëve, pasi kundërshtarin duhet ta respektosh.
Para kësaj kërkese ata u shprehën se e djathta nuk do të ketë fare të drejtë për të propozuar. Edhe kjo bazohej në një koncept shumë të gabuar. Është e gabuar të ndahen në këtë mënyrë palët, njëra të ketë të drejtë për të propozuar dhe tjera jo.
Pavarësisht se jemi shumicë dhe minorancë në tryeze ne shpallim barazinë e palëve. Jemi të barabartë në të gjitha të drejtat. Si përfundim, dy javë përpjekje për fat të keq nuk kanë sjellë aspak atë që prisinin qytetarët shqiptarë. Për dy javë institucionet e vendit janë vënë në vështirësi mjaft serioze. Sado që me një ujdi u vendos që të ecet në këtë mënyrë, janë jo të paktë deputetet që më thonë se kjo kushtetutë thotë se votohet. Ky votim për të gjithë është një process që ka kutinë, fletët e votimit, ka numërimin, ka sekretarinë, ka shpalljen e rezultatit. Deri tani jo vetëm që nuk është votuar, por tryeza nuk ka sjellë as emra për diskutim.
I bëj thirrje opozitës që mbi bazën edhe të trashëgimisë në këtë proces të dëshmojë vullnet për një proces konsensual. I siguroj se ne jemi të pregatitur dhe kemi deklaruar se vendi, ne si qeveri nuk kemi asnjë interes për zgjedhje të parakohshme , sepse këto zgjedhje kanë një seri procesesh të cilat lëndojnë dhe kjo nuk ka lidhje fare me rezultatin e parashikuar të tyre. Por nga ana tjetër, unë ju deklaroj se raund të tretë bosh, nuk ka dhe nuk do të ketë. Kjo është e prerë dhe kategorike. Jam ish presidenti i këtij vendi, kryeministër i tij dhe nuk do të pranoj kurrë të mos ketë raund të tretë. Kjo kushtetutë, për të gjithë ata që e lexojnë me ndershmëri, nuk parashikon raund të katërt pa raund të tretë. Nuk mund të bëjmë lojëra fëmijësh. Kjo kushtetutë në raundin e tretë, për të kaluar në raundin e katërt parashikon balotazh. Pra duhet të kesh kandidature dhe kjo rregullore parashikon se çfarë duhet bërë kur është një kandidaturë, kur janë dy kandidatura, kur janë tre kandidatura. Pra nuk është vetëm interpretimi im, ka qenë interpretim unanim i të gjithë deputetëve të Këshillit të Rregullores, të cilët kanë konkluduar me të drejtë, në përputhje me germën dhe frymën e kushtetutës.Çdo proces i devijuar nga kjo kushtetutë e bën të pavlerë procesin. Dhe ne për një process të pavlerë nuk mund të angazhohemi.
Të nderuar deputetë! Ky është vetëm takimi parë i këtyre ditëve, takime të tjera do të ketë njëri pas tjetrit. Do të mblidhen aleatët, do të mblidhet kryesia, do të dëgjohet pala tjetër. Dhe kjo nuk është formë presioni ndaj askujt sepse e deklaroj këtu para jush që nëse ka njeri në Shqipëri të interesuar për zgjedhjen e presidentiit dhe parandalimin e zgjedhjeve të parakohshme , ky është Sali Berisha. Unë jam i hapur me ju dhe me të gjithë shqiptarët duke iu thëne se këto interesa kam dhe iu qëndroj atyre. Por tjetër është dëshira ime dhe tjetër gjë janë ligjet e vendit dhe ligjet kushtetuese. Këtu bëhet fjalë për një gjë shumë madhore, ndaj dhe do e diskutojmë bashkarisht. Këto që i shpreha këtu ia kam bërë të qartë grupit më të ngushtë dhjetë ditë më parë. Unë nuk gjej asnjë lloj hapsire që të ecet pa raund të tretë, sepse pa një raund të tretë nuk ka të katërt.
Unë do të kem dhe një takim me aleatët , me të cilët kam qenë në kontakt, të cilët kanë qenë plotësisht dakort për ristrukturimin e raundit të tretë. Ne nuk kemi 84 vota, por ne kemi të gjitha mundësitë që tu dëshmojmë shqiptarëve që do ta respektojmë këtë ligj. Kjo është në dorën tonë.
Ne mbledhjet e tjera unë mund tu informoj ju për përpjekjet më të fuqishme që janë bërë në të gjitha mënyrat. Unë ju deklaroj se jam gati të takoj zotin Rama dhe çdo politikan të këtij vendi, sepse mua nuk mund të më udhëheqë kurrë as paragjykimi dhe as ndonjë gjë tjetër e këtij lloji, por me kusht që gjërat të jenë të institucionalizuara.
Janë ngarkuar dy persona, të cilët janë ndërmjetës midis tryezës dhe nesh, por nuk kam asnjë dyshim që ata na i përcjellin ashtu siç duhet ato që thuhen në tryezë. Nuk është e vërtetë që vendosin ata të dy. Ne vendosim bashkarisht. Po këtë peshë kryesore ia njoh dhe zotit Rama në vendim dhe zotërinjve të tjerë. Vetëm të dy partitë nuk mund ta zgjidhin këtë punë sepse të dy partitë kanë gjithësej 97 deputetë dhe me këtë numër deputetëtsh dhe me preferenca të shpalluara publikisht të kësaj pjese deputetësh, druaj se firma ime dhe e zotiti Rama do të jetë e pamjaftueshme, në rast se përjashtojmë aleatët. Ne duhet të ndërtojmë një proces realisht konsensual. Është e sigurtë që ne këmi peshën kryesore si parti më të mëdha, sikundër është e sigurtë që është shumë në rrezik pa partitë e tjera. Kjo është një analizë e sinqertë që ne bëjmë."