Kryeministri Berisha: Vjelja e taksës së pronës, përgjegjësi themelore e pushtetit vendor
- Përmirësimi i bashkëpunimit me pushtetin vendor, domosdoshmëri për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit
Kryeministri Berisha u shpreh sot, gjatë ceremonisë së 10 vjetorit të krijmit të Shoqatës së Komunave të Shqipërisë, se taksa e pronës është shumë e rëndësishme, ndaj pushteti vendor duhet me çdo kusht të bëhet shembull në vjeljen dhe administrimin e saj.
"Taksa e pronës është taksë kryesore në çdo vend, është e domosdoshme për të vlerësuar pronën dhe për të mos lejuar pasuri të ngrira. Ndaj do t'ju ftoja që të bëheni shembull në vjeljen dhe administrimin e saj. Kjo taksë është "thembra e Akilit" në sistemin tonë tatimor", tha Kryeministri.
Në përshëndetjen e tij në këtë ceremoni, Kryeministri siguroi se qeveria është tërësisht e interesuar të bashkëpunojë ngushtë me pushtetin vendor, në funksion të përmirësimit të veprimtarisë së komunave, të jetës së komuniteteve, fermerëve dhe bizneseve në këto zona. Ky është kusht i pazëvendësueshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë.
Kryeministri vuri theksin edhe në domosdoshmërinë e reformës së njësive të qeverisjes vendore. "Duhet që këtë reformë ta kompletojmë sa më shpejtë, duke qartësuar dobinë e saj tek të gjitha komunitetet e zonave tuaja. Kompletimi i kësaj reforme do të hapë mundësinë për vazhdimin e reformës së qarqeve", vijoi Kryeministri.