Kryeministri Berisha takon drejtues të Haineken, McDonald's dhe Colacer për investime në Shqipëri
Kryeministri Berisha takoi sot paradite në zyrën e tij pranë Këshillit të Ministrave përfaqësues të lartë të dy kompanive të mëdha Haineken dhe McDonald's. Drejtori për Evropën Qendrore për Heineken z. Xavier Belison i ka shprehur në këtë takim Kryeministrit Berisha interesin për të filluar aktivitetin e prodhimit të birrës Heineken edhe në Shqipëri. Të njëjtin interes, për ngritjen e një rrjeti McDonald's jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë i ka shprehur Kryeministrit Berisha edhe menaxheri i përgjithshëm i McDonald's z. Zoran Matliesvski.
Kryeministri u ka garantuar përfaqësuesve të këtyre kompanive mbështetjen e qeverisë shqiptare për kapërcimin e procedurave administrative, që të bëhet e mundur zhvillimi i këtyre dy aktiviteteve të mëdha në Shqipëri.
Po sot paradite Kryeministri Berisha ka pritur ne zyrën e tij drejtues të lartë të kompanisë italiane COLACER. Presidenti i kompanisë Pasquale Colaiacovo dhe adminitratori Carlo Colaiacovo i kanë paraqitur Kryeministrit projektin e ndërtimit të një fabrike çimentoje në Lezhë, me vlerë 200 milionë dollarë. Një projekt ky që ka marrë gjithashtu mbështetjen e Kryeministrit Berisha.