E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në Kuvend, në seancën e zgjedhjes së Presidentit

"Jemi në një moment jashtëzakonisht vendimtar në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kërkova të marr fjalën gjithashtu për të bërë një transparencë të plotë para të gjithë deputetëve të këtij Kuvendi, pavarësisht përkatësisë së tyre partiake, për të bërë një transparencë të plotë para gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë shumë të drejtë të shikojnë me vëmendje zgjedhjen e personalitetit të parë të vendit. Unë dua të siguroj të gjithë aktorët e këtij procesi se në fjalën time nuk synoj të lëndoj askënd, cilido qoftë ai, i mazhorancës apo i opozitës, qoftë lider apo deputet apo personalitet jashtë këtij Parlamenti. Ky është një proces shumë më i rëndësishëm se sa grupet parlamentare të mazhorancës apo të opozitës, pasi është një proces që i intereson mbarë popullit. Unë e quaj për detyrë që të bëj një qartësim të plotë të zhvillimeve. Një numër personalitetesh të jetës politike të vendit shpallën publikisht dëshirën e tyre për të garuar për karrigen më të lartë të shtetit. Këta janë ish-kryeministra, kryetarë parlamentesh, kryetar partish, ministra, kryetar grupesh parlamentare, por dhe jo pak të tjerë jashtë parlamentit. Është mëse normale që qytetarët të dinë paraprakisht kush janë pretendentët e karriges më të lartë të vendit, dhe kjo garë e civilizuar bëri që në popullatë të krijoheshin opinionet përkatëse për secilin kandidat. Gjatë gjithë këtij procesi i kam vendosur vetes një qëllim të mos lëndoj asnjë kandidat sepse kam menduar se shpalljet publike e fisnikëronin garën, aq më tepër që kjo ishte një garë mes politikanëve dhe duhet të pranojmë se posti i Presidentit është politik. Kam dashur që të njëjtën gjë të mbështeste edhe opozita. Krahu i mazhorancës u përqendrua në një kandidaturë të vetme. Unë kam mbështetur zotin Bamir Topi me gjithë forcën time, me bindjen më të thellë se ai mëshiron cilësitë më të mira për këtë post. Pas kësaj bindje në mënyrë absolute nuk do të mbështesja asnjeri.

Natyrisht votat janë vota dhe kjo shumicë nuk i ka votat e mjaftueshme për të folur me vullnetin e saj për president dhe në këtë kontekst ishte evidente që presidenti do të dilte nga një kompromis. Në mënyrë konstante jam shprehur se jemi për president konsensual, që nënkupton se as nuk imponojmë dhe as nuk pranojmë të na imponohen kandidatë. Ky është rregulli i konsensusit, por këtë frymë nuk e gjetëm nga krahu tjetër. Nga pala tjetër u vunë kushte të padrejta. Nuk mund të vihen kushte për propozimet. Nëse palët konsiderohen të barabarta, propozimi është një e drejtë e patjetërsueshme. U kërkua që mazhoranca të mos propozonte një njeri që është pjesë e saj. Kjo është e papranueshme. Zoti Topi mendoj se bëri zgjedhjen e tij para grupit i cili tha se nuk mendonte të ishte në listë. Pala kundërshtare të nesërmen e përshëndeti, sepse paska pasur një handikak të madh psikologjik për kandidaturën e Topit. Ne na erdhi lista e opozitës e përbërë nga të gjithë ish-kryeministrat, ish-kryetarët e Kuvendit, dhe kryetarët e partive opozitare, për të cilët shpreh respektin tim. Ne shprehëm qëndrimin tonë se një listë të tillë nuk mund ta pranojmë. Në të njëjtën mënyrë opozita me të drejtën e saj hodhi poshtë listën e mazhorancës. Ne i kërkuam opozitës të paraqesë emra të rinj, dhe kemi pritur propozimet e saj deri në orët e para të mëngjesit. Meqenëse opozita këmbënguli që shumica të paraqiste emra të tjerë, ne bëmë propozime të reja, kandidatë që e kanë bërë gjithë karrierën e tyre gjatë qeverisjes socialiste. Edhe këto propozime u hodhën poshtë.

Vazhdimisht kam deklaruar se jam i gatshëm për takim kokë më kokë apo edhe në praninë e të tjerëve me kryetarin e opozitës. Por, unë absolutisht nuk mund të bëj takim për takim, sepse kjo në mënyrë absolute nuk do të rregullonte asgjë, por do të prishte punë. Unë jam i gatshëm të takohem me zotin Rama. Nëse ai nuk ka ndërmjetësin e duhur le t`i bëjë propozimet në një zarf të mbyllur dhe t`ia kthej në të njëtën mënyrë. Por, unë nuk mund të takohem për të zvarritur procesin. Në rast se kryetari i opozitës është kaq obsesiv sa nuk gjen njeri t`ia besojë të mi japë dhe mua t`i studioj emrat dhe pastaj të takohemi . Nuk mund të shkoj në një takim ku nuk dihet se çfarë do diskutojmë. Ne propozuam organizimin e një tryeze të partive parlamentare. Kryetari i Partisë Socialiste ishte dakord por përsëri kërkonte një takim kokë më kokë vetëm dy minuta. Gjëra të tilla nuk më kanë ndodhur kurrë. Kam një eksperiencë politike të brendshme dhe të jashtme. Një gjë e tillë nuk më ka ndodhur në asnjë rast. Ne propozuam të krijojmë formatin me nga dy parti përfaqësuese të koalicioneve, por përsëri u kërkua takimi kokë më kokë. Unë jam një institucion, jam Kryeministër i një vendi, jam kryetar i një partie dhe drejtuesi i një koalicioni. Kjo parti dhe ky koalicion kanë instrumentet e veta.
Është shumë e lehtë të fusësh në garë 12 emra por është e vështirë të dalësh nga kjo situatë. Fakt tjetër është se dy partitë e mëdha së bashku nuk përbëjnë në parlament më shumë se 96-97 deputetë. Fakti tjetër është se janë vota të hedhura dhe e bënë absolutisht të pamundur zgjidhjen e këtij procesi nga dy partitë kryesore. Si unë ndaj aleatëve të mi ashtu dhe zoti Rama ndaj aleatëve të tij kemi detyrime. Ju kujtoj se 5 vjet më parë një proces konsensual u realizua pas disa raundesh negociata, nga të cilët nuk u përjashtua asnjë forcë politike. Ajo ishte një periudhë në të cilën as kryetari i opozitës as i mazhorancës nuk kishin fobira nga aleatët e tyre. Ata ishin në respekt të plotë ndaj tyre. Nuk kërkoi kryetari i qeverisë apo i opozitës në atë kohë që të përjashtoheshin aleatët dhe të vendosnin tet-a-tet por për koincidencë Alfred Moisiu u propozua nga përfaqësuesi i njërës prej partive më të vogla opozitare.
Takimi bilateral nuk sjell dot atë që presin shqiptarët. Unë jam i gatshëm të takohem jo vetëm dy minuta siç kërkon kryetari i Partisë Socialiste, por edhe një orë, por me kusht që institucionet përkatëse të kenë finalizuar procesin. Të gjitha takimet e mia me kryetarë të Partisë Socialiste kanë qenë produkt i një përgatitje dhe të gjitha marrëveshjet e nënshkruara janë respektuar.

Tani jemi në një situatë kur Kushtetuta dhe ligji janë shpërfillur në mënyrën më ekstreme. Askush nga ju nuk mund t`i thotë ligjit ligj dhe Kushtetutës Kushtetutë. Jam përpjekur prej kohësh të ndal këtë marsh marrëzie që të bëheshim ligjor dhe kushtetues, të tregonim respekt sepse kam bindjen se është më mirë një dështim me dinjitet se sa një dështim me turp. Është më mirë një dështim në respekt të Kushtetutës se sa një aventurë e paprecedentë në historinë e këtij vendi. Unë nuk ndikohem nga asnjë lloj provokacioni. Në rast se dëshironi urdhëroni të vazhdojmë brenda afatit kushtetues negociatat për konsensus. Kemi qenë të hapur dhe mbetemi të hapur. Në rast të kundërt me vendosmërinë më të palëkundur do të respektohet Kushtetuta. Ju që përmendni blerje e shitje ne jemi 81 deputetë, nëse doni të shkojmë në zgjedhje shkojmë por të respektojmë procesin. Nëse dëshironi urdhëroni të ndryshojmë Kushtetutën të kalojmë në zgjedhje në popull, por këtë ju nuk e bëni dot sepse e dini që mund të mos fitoni e dini se do duhet të bëni fushatë për kandidatë që nuk doni të bëni fushatë. Nëse dëshironi urdhëroni të heqim 5 raundet. Në të kundërt ne do vazhdojmë të respektojmë atë Kushtetutë që keni votuar ju në këtë parlament."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›