E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Universitetet tona do të hapin dyert e punësimit për të diplomuarit e kualifikuar

Kryeministri Berisha tha sot, gjatë një vizite në shkollën e mesme të përgjithshme "Aleks Buda" në Tiranë, se arsimi është përparësi absolute e qeverisë dhe reformat në këtë sektor janë jetike, por që kërkojnë mirëkuptim dhe përkushtim. Kryeministri theksoi se asnjë sektor tjetër nuk ka dhe nuk do të ketë atë vend që qeveria i ka kushtuar dhe i kushton arsimit.

Kryeministri u ndal në një aspekt të rëndësishëm të reformës, në rritjen e cilësisë së universiteteve dhe tërheqjen në to të të shkolluarve më të mirë të universiteteve tona dhe atyre jashtë vendit. "Ne hapëm dyert e universiteteve dhe do luftojmë shumë për cilësinë e tyre dhe do t'ia dalim. Sot ka me qindra dhe mijëra vajza e djem shqiptarë që shkollohen në Shqipëri dhe në shkollat më të mira të botës. Universitetet tona duhet të hapin dyert për ta. Jemi duke diskutuar orët suplementare. Ne do të rrisim pagesën për orët suplementare, por do të ulim në mënyrë të ndjeshme përqindjen e këtyre orëve në shkollat e larta. Nuk ka përse ta zhvillosh mësimin me orë suplementare dhe të mos marrësh djem e vajza të shkolluara shumë mirë. Sikundër do të kërkojmë që të rritet numri i pedagogëve, profesorëve dhe asistentëve në universitetet tona. Universitet janë djepi i mendimit intelektual, por nëse atyre nuk u japim mundësinë, ku do të zhvillohet atëherë ky mendim," u shpreh ai.

Duke veçuar nismën e qeverisë Shqipëria në moshën dixhitale, Kryeministri tha se projekti internet në çdo shkollë është vetëm njëri aspekt i projekteve të tjera të mëdha që do të ndërmerren, në mënyrë që çdo fëmijë shqiptar të mund të ketë akses në kompjuter dhe në internet. Këtë vit, bëri të njohur Kryeministri, kompania e njohur "Sisco" do të hapë dy akademi për trajnimin në fushën e informatikës, ndërsa fillon zbatimin marrëveshja me Microsoft-in dhe Shqipëria do të ketë një qendër të rëndësishme trajnimi, përveç pajisjes me materiale të tjera. "Ne jemi të vendosur të bëjmë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të vijë në këtë moshë. Një komb i ri, i cili ka për moshë biologjike moshën dixhitale, duhet që ta ketë disponibël këtë moshë teknologjike," u shpreh Kryeministri.

Po ashtu duke i konsideruar reformat në arsim jetike, Kryeministri nënvizoi se ato kërkojnë mirëkuptim dhe përkushtim. "Edhe në rast se nuk kanë efektin imediat, ato janë reforma për të ardhmen. Ne jemi përqendruar tek mësuesit. Në kushtet e një vendi jo të pasur, të imagjinosh dyfishimin e rrogave të kësaj kategorie, që përbën pothuajse gjysmën e punonjësve të administratës publike, është një sipërmarrje shumë e rëndë. Ne e kemi shpallur dhe do t'i përmbahemi këtij objektivi, sikundër e kemi faktuar se i përmbahemi, në mënyrë që mësuesit tanë të përmbushin misionin e tyre. Detyra e mësuesit është një mision i madh dhe jetik," u shpreh Kryeministri.

Kryeministri siguroi se qeveria po bën dhe do të bëjë çdo përpjekje për arsimimin dhe edukimin sa më të mirë të fëmijëve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›