E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Zëvendësdrejtorit të FMN-së Portugal, pas takimit mes tyre

Pas takimit mes tyre, Kryeministri Berisha dhe Zëvendësdrejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar Portugal dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

Z. Portugal: Është kënaqësi të jem sot këtu. Kjo është vizita ime e parë në Shqipëri dhe besoj edhe vizita e parë nga menaxhimi i FMN-së.

Shqipëria është duke ecur vërtet shumë mirë, ka pasur rritje të lartë ekonomike, inflacion të ulët dhe ka rritur rezervat valutore. Kam ardhur këtu pikërisht për të parë me sytë e mi këtë eksperiencë pozitive. Unë jam mjaft i gëzuar që FMN-ja e ka ndihmuar Shqipërinë për arritjen e këtyre sukseseve, por merita duhet t'i shkojë qeverisë, sepse ka qenë ajo që i ka zbatuar këto politika.

Pata një diskutim shumë të frytshëm me Kryeministrin, i cili më shpjegoi planet e qeverisë për të tërhequr më shumë investime të huaja direkte, plane të cilat tashmë kanë filluar të japin fryte. Investimet e huaja direkte janë rritur, kreditimi është rritur dhe të gjitha këto tregojnë që vendi po bëhet gjithnjë e më tërheqës për investimet e huaja. Kjo është mjaft pozitive.

Kryeministri më tregoi edhe për përpjekjet që ka bërë qeveria në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Faleminderit.

Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam bisedimet me z. Portugal, Zëvendësdrejtor i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Unë shfrytëzova rastin për t'i shprehur mirënjohjen e thellë. FMN-ja është një aleat dhe partner i shkëlqyer i Shqipërisë dhe i ka dhënë, gjatë këtyre 15 viteve, një ndihmë shumë të çmuar teknike dhe financiare vendit, në rrugën e demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Unë e njoha z. Portugal me përpjekjet e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe reformave të thella ekonomike për formalizimin e ekonomisë shqiptare, si kushte vendimtare që ajo të përballet me sukses të plotë me sfidat e integrimit dhe globalizmit.

Gjithashtu e njoha zotin Portugal edhe me përpjekjet e mëdha dhe përqendrimin e qeverisë për të lehtësuar barrën fiskale dhe burokratike ndaj biznesit dhe shndërruar Shqipërinë në një vend shumë tërheqës për investimet e huaja. Sot, Shqipëria paraqet një stabilitet makroekonomik me tregues mjaft pozitivë, me rritje ekonomike progresive të parashikuar këtë vit 6 për qind, por që shpresoj të shkojë më shumë. Rritja prej 3 herë e investimeve publike, krahasuar me mesataren e 10-vjeçarit dhe 4 herë krahasuar me vitin 2004, është shenjë pozitive në përpjekjen tonë për tërheqjen e investimeve të huaja. Eksportet këtë vit janë 28 për qind më shumë se vitin e kaluar. Po ashtu treguesit e shitjes dhe kërkesës janë shumë të lartë. Ne po përpiqemi gjithashtu të përmirësojmë me shpejtësi infrastrukturën tonë.

Ne i mbetemi shumë mirënjohës FMN-së, e cila është pjesë e kësaj përpjekje dhe e këtij suksesi. Ne mbetemi të vendosur të vazhdojmë bashkëpunimin me FMN-në edhe pas përfundimit të kësaj marrëveshjeje.

Edhe një herë dua të falënderoj z. Portugal për vizitën e tij shumë të rëndësishme në Shqipëri.
Faleminderit.

Pyetje: Qeveria ka ndërmarrë kohët e fundit një sërë masash në emër të luftës kundër informalitetit siç është edhe ajo për nivelin e pagave në sektorin privat. Nuk e di nëse jeni njohur me këtë nisëm dhe si e vlerësoni atë?

Z. Portugal: Ne kemi diskutuar në përgjithësi për rëndësinë e luftës kundër informalitetit, sepse informaliteti krijon një fushë loje të pabarabartë për pjesëmarrësit. Ata që janë në sektorin formal dhe që i binden rregullave janë në disavantazh ndaj atyre që janë pjesëmarrës në sektorin informal. Pra, kemi diskutuar në përgjithësi për domosdoshmërinë e luftës kundër informalitetit dhe nuk kemi hyrë në detaje.

Kryeministri Berisha: Më lejoni t'ju informoj se gjatë darkës që do të kem me z. Portugal do ta informoj hollësisht me të gjitha masat që po ndërmerr dhe që ka ndërmend të marrë qeveria. Kjo masë ka qenë vetëm njëra anë, së shpejti do të jetë edhe ajo e çmimit të shitjes referencë, duke respektuar plotësisht vetë deklarimin si parim themelor. Por vërtetësia e transaksioneve është kusht themelor për lirinë e tregut dhe konkurrencën e lirë. Dhe ne synojmë vetëm këtë. Kalimi nga sistemi komunist në sistemin kapitalist krijon edhe një grup borgjezësh "sans culotte", e cila nuk shkon. Mund të jesh ose njëri ose tjetri.

Pyetje: Zoti Kryeministër, cili është mendimi juaj për krizën në Gjykatën Kushtetuese, duke pasur parasysh se duhet të vendoset se kujt duhet t'i kalojnë dhe kompetencat e presidentit?

Kryeministri: Së pari, dua t'ju siguroj se besoj dhe jam shumë optimist për zgjedhjen e presidentit konsensual. Së dyti, Kushtetuta e vendit përcakton qartësisht se çfarë ndodh dhe kush zëvendëson në rast se vendi mbetet vakant. Së treti, Kushtetuta parashikon zgjatje mandati vetëm për parlamentin. Në këtë kuadër zgjidhen të gjitha problemet. Përsa i përket situatës së krijuar unë dua të besoj se do të ndërmerren masat më të shpejta për zgjidhjen e saj.

Pyetje: Por Presidenti ka deklaruar se do t'ia dorëzojë zyrën vetëm presidentit të ri.Çfarë ndodh më 25 korrik, nëse nuk zgjidhet presidenti?

Kryeministri Berisha: Pjesa e parë, që Presidenti shpreh dëshirën t'ia dorëzojë një pasardhësi, është gjëja më normale dhe forcat politike duhet ta zgjedhin presidentin deri në datën 24. Pjesa e dytë është emotive dhe nuk vlen të komentohet.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›