Kryeministri Berisha: Investimet në arsim dhe për moshën digjitale, përparësi kryesore e qeverisë
Në vijim të vizitës së tij në rrethin e Korçës Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e kabinetit të informatikës në shkollën 9-vjeçare të fshatit Mborje. Kryeministri shprehu kënaqësinë që edhe këtu në këtë shkollë ka arritur të vendoset kabineti i informatikës dhe garantoi se së shpejti ai do të lidhet me internetin.
“Prefektja më informoi se në të gjitha shkollat e rrethit të Korçës është lidhur interneti dhe dora dorës ky sistem do të forcohet. Investimi për moshën digjitale dhe investimi në arsim është një përparësi e qeverisë time” u shpreh Kryeministri Berisha.
Më vjen mirë, vijoi më tej kryeministri që pak ditë më parë pashë edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës që të shprehë kënaqësinë tek inauguronte një shkollë. “Uroj që të ketë kapërcyer problemet e mëdha që ka patur me shkollimin dhe të ketë ndryshuar qëndrim ndaj arsimit në mënyrë serioze. E garantoj atë se qeveria do ta mbështesë në të gjitha projektet e arsimit të fëmijëve të Tiranës. M`u duk se kishte dalë nga ato komplekset e mëdha që ka patur me arsimimin sepse ai të paktën tre herë ka ndërruar shkollën e mesme”, tha Kryeministri.
Më tej Kryeministri inspektoi punimet në shkollën 9-vjeçare pranë universitetit të Korçës.
Në qarkun e Korçës, u shpreh Kryeministri Berisha, po ndërtohen 85 shkolla të mesme, 9 vjeçare dhe kopshte. “Ky është një investim i madh dhe ju siguroj se gjatë 2009 do të ndërtohen edhe një numër tjetër i konsiderueshëm, por ndërtimi dhe konstruksioni i 85 objekteve shkollore kundrejt vetëm 14 objekteve që janë ndërtuar në periudhën 2000-2005 besoj se dëshmon në mënyrë të qartë përkushtimin e qeverisë sime në investimet në arsim. Arsimi përbën përparësi të madhe të kësaj qeverie. Ne po investojmë në arsim në të gjitha aspektet në të gjitha ciklet shkollore”, tha Kryeministri.