E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha me banorë të Vlorës

Në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”, Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me qytetarë të Vlorës, gjatë të cilit u shpreh:

“Është nder i madh të përshëndes sot, nga kjo platformë ju dhe të gjithë qytetarët e Vlorës kudo që ndodhen dhe t’i uroj ata nga zemra për arritjen e madhe historike të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, për marrjen e ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për Vlorën në NATO, për Shqipërinë në NATO.

Ftesa e Shqipërisë për anëtarësim në NATO, pas pavarësisë së Shqipërisë, është ngjarja më madhore për Shqipërinë në tërë historinë e saj, ngjarja më madhore në sigurinë e shqiptarëve që nga koha e Skënderbeu deri më sot. Viti 2008 do të regjistrohet në muret e kohërave të Vlorës, Shqipërisë e shqiptarëve si viti që realizoi dy ëndrra të mëdha kombëtare për shqiptarët: pavarësinë e Kosovës dhe ftesën për anëtarësim në NATO. Anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën më të madhe të lirisë së kohërave, renditja e flamurit shqiptare krahas flamujve të vendeve më të fuqishme e të lira të planetit është për Shqipërinë e shqiptarët ndarja e historisë së tyre nga histori pushtimesh, traumash diktaturash e dhimbjesh të mëdha në histori lirie të sigurtë, histori të ardhmeje e zhvillimi të sigurtë, shndërrimi i saj nga histori mbijetese, në histori progresi, begatimi, dinjiteti dhe të ardhmeje. Anëtarësimi në NATO është ngjarje madhore për çdo komb. Për shqiptarët që sakrifikuam më shumë se kushdo tjetër për mbijetesë, anëtarësimi në NATO është ankorimi në brigjet e shpresës, është ankorimi në brigjet e të ardhmes.

Rreth 16 vite më parë, një burrë shteti i shquar në një bisedë të përqendruar për Ballkanin, do të më thoshte: ju keni bërë shumë kryengritje, shumë ngatërresa e luftëra, si pasion, më shumë keni pasur armën. Meqenëse po fliste jo me shumë vlerësim, iu përgjigja se kur vihesh para alternativës të luftosh, a të vdesësh, është më mirë të luftosh sesa të vdesësh. Të gjitha luftërat, kryengritjet dhe qëndresa jonë që nga viti 1468 e deri më sot ka qenë një qëndresë mbijetese, qëndresë për të ekzistuar. Dhe ai më dha të drejtë. Por sot, ne lamë mbrapa historinë e mbijetesës dhe hymë në epokën e lirisë, të besimit e të ardhmes. Kjo është arritja jonë më madhore. Ne rikthehemi në gjirin e familjes së kombeve të lira që ne i përkasim, ne ecim të sigurtë me pasuritë e burimet natyrore përrallore që vendi ynë ka, për ta bërë atë ashtu siç e ka bërë Zoti.

Shqipëria me 3 prill mori një pasaportë të re. Më 3 prill, ajo u bë zonjë, ashtu siç donin rilindësit tanë. Shqipëria në NATO është Shqipëria zonjë, e sigurtë, e denjë dhe e lirë.

Shqipëria në NATO është meritë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, është meritë e të gjithë atyre që mbështetën proceset demokratike dhe ndërtuan lirinë e tregut. Por Shqipëria në NATO u përcaktua, para së gjithash, nga kursi i reformave të thella që ndërmori qeveria ime. Në NATO nuk mund të na afrohen në asnjë mënyrë si vendi i pasigurisë, në të cilin qytete e fshatra, krahina e rajone sundoheshin nga bandat e krimit të më të rrezikshëm në Europë. Shqipëria nuk mund të afrohej në NATO-n si vend në të cilin trarët e doganave të porteve e aeroporte i ngrinin bandat, në bashkëpunim me qeveritarët e lidhur me to. Shqipëria nuk mund të merrte ftesën nëse nuk bënte të sigurta rrugicat, rrugët, qytetet e fshatrat për fëmijët, gratë e burrat e saj. Ndaj ne, ashtu siç u zotuam para jush në vitin 2005, nisëm betejën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar. Ne ndoqën e çmontuan një pas një 206 grupe e organizata kriminale ndër më të fuqishmet në Europë, i ndaluam ata kudo që ishin në shpellat e alpeve apo në hotelet me 5 yje, në papafingot e Ankarasë apo resortet turistike të vendeve të tjera. Lufta me zero tolerancë kundër krimit është dhe mbetet zotimi ynë. Ne u faktuam 26 vendeve anëtare të NATO-s se jemi në gjendje dhe të gatshëm të mbrojmë jetën e burrave e grave tona, se krimi nuk është ndjenja dhe morali ynë. Përkundrazi, ne jemi një popull me kod e moral të vyer, për t’u respektuar në të gjitha kohërat. Edhe kur nuk kemi pasur shtet, ne kemi pasur rregull e rend. Rrugicat e rrugët tona kanë qenë gjithnjë të sigurta dhe të tilla i bëmë dhe do t’i mbajmë.

Kjo ishte arritja jonë më e madhe. Dhe nuk ishte  lehtë për t’i bindur vendet e NATO-s. Çdo 6 muaj, kam shkuar në Bruksel për të bërë avokatinë tuaj dhe të Shqipërisë. Fillimisht më shtronin pyetjen se këto arritje a do të jenë të parikthyeshme, sepse ishte krijuar përshtypja se ne mund të qëndrojmë me krimin dhe krimi mund të ishte hija jonë. Por kjo nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë ndjenja jonë. Dhe unë e mbajta fjalën para jush dhe para tyre dhe zotohem edhe një herë për luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar. Sado të kushtojë, krimi nuk do të ketë vend në Shqipëri.

Qytetare dhe qytetarë të Vlorës,

ne erdhëm në pushtet në një kohë, kur korrupsioni dhe kleptrokracia ishte shndërruar në sistem. Ne erdhëm në pushtet në një kohë, kur nga taksat e tatimet në dogana e tatime, 1.4 miliard dollarë përfundonin në xhepat e kontrabandistëve, evazorëve e zyrtarëve të korruptuar, sipas raportit të Bankës Botërore. Ne erdhëm në pushtet, kur, po sipas këtyre raporteve, në policinë e shtetit vendet shiteshin me 200 apo 300 mijë euro, kur vetëm në komisariatin e Sarandës ishin ndërruar në tre vjet 27 komisarë të tij, kur drejtorët e doganës ndërroheshin çdo tre muaj. Ne erdhëm në pushtet, kur ju qytetarë të Vlorës e mbarë Shqipërisë për të dërguar fëmijët tuaj në universitet duhet të paguanit ryshfet dhe vetëm ryshfet. Ne erdhëm në pushtet, kur ministrat e kabinetit drejtonin monopolet e ushqimeve, të naftës, të ndërtimeve. Ne erdhëm në pushtet kur zyrtarët ishin të anëtarësuar jo në një, dy apo tre, por në 20-21 borde. Ne erdhëm në pushtet, kur shpenzimet operative të administratës e qeverisë ishin ndër më të lartat, kur 70 për qind e tenderave bëheshin direkt e ndaheshin midis kontraktorit dhe mikut të tij që ofronte më shumë. Kjo ishte situata tre vjet më parë. U ndala këtu, sepse nuk duhet të harrojmë, sepse nëse i harrojmë këto e kemi të vështirë të vazhdojmë më tej.

Sot, sërish ka korrupsion. Por ndryshimi sot është jashtëzakonisht i madh dhe jo se jua faktoj me shifra e statistika, por sepse mund t’jua faktoi çdo qytetar i Vlorës, çdo qytetar shqiptar dhe europian me vepra e vetëm vepra. Akti ynë i parë ishte nxjerrja e administratës jashtë konfliktit të interesit. Të dalë kushdo e të thotë se cili ministër a zyrtar ka monopole sot, apo është në konflikt interesi. Konflikti i interesit është leva e arkimedit të korrupsionit, është mundësia për të përdorur të gjithë pushtetin për pasurimin e paligjshëm personal.

Ne e nxorrëm administratën jashtë konfliktit të intersit. Ju premtova një qeveri të vogël e në dietë. Për mua dhe për votat, me interes ishte të kishe një qeveri të madhe, por për djersën tuaj, për fëmijët, rrugët, ujësjellësit e dinjitetin tuaj kjo ishte shumë e dëmshme, Prandaj zgjodha të parën dhe me gërshërë shkurtuan 33 për qind administratën qendrore, 24 për qind shkurtuam portofolet ministrore, vendosëm kritere mbi të cilat edhe kryeministri, ministri dhe zyrtarët nuk mund të përdorin paratë tuaja për qëllime private e personale. Unë udhëtoj sot më shumë se kushdo tjetër, por me gjysmën e  shpenzimeve të paraardhësve të mi dhe të jeni sigurtë se unë nuk jam asket, por respektoj të gjithë rregullat e vendit. Shpenzimet operative të administratës që unë kryesoj janë shkurtuar me 31 për qind nga 25-50 për qind dhe në këtë mënyrë janë kursyer 110 milion euro. Administrata ime është një nga administratat me shpenzimet më të ulëta në Europë. Ne kemi bërë kujdes të madh edhe për zërin tjetër të parave, fondin e pagave, ku edhe aty janë qindra milion euro. Kujdesi ynë ka qenë të heqin shpërdorimet e të rrisim pagat dhe të dyja i kemi bërë. Në luftën kudër  korrupsionit, ne kemi rezultatet shumë konkrete, jo vetëm përqindje në shifra, por kemi pagat e arsimtarëve 50 për qind më të larta se në 2005. Nuk do të gjeni vend në Europë dhe në botë që të ketë rritur 50 për qind pagat për mësuesit. Ne kemi rritur pagat edhe e infermierëve, që së bashku  janë 54 mijë punonjës që mësojnë fëmijët tanë dhe kujdesen për ne. Ne po përpiqemi t’i ringjallim këto shërbime dhe t’i vendosim ato në një pozicion të favorshëm. Ne kemi rritur rrogat në tërësi me 43 për qind. Gjithashtu kemi rritur pensionet. Unë jam zotuar se nuk do të ketë pension në qytet nën 100 dollarë dhe sot, nuk ka pension në qytet nën 110 dollarë, me kursin e atëhershëm, ndërkohë që mesatarja e pensionit minimal ishte 8 400 lekë. Pensionet në fshat ishin 3 400, kanë arritur në 6 300 dhe do të shkojnë në 6 800. Ne mbajmë zotimin tonë, dyfishimin e pensionit minimal.

Ne kemi nxjerrë administratën nga këneta e bordeve, që ishin kthyer në shushunjëza për shqiptarët. Shqipëria, vendi i mijëra bordeve. Ato duhen dhe është normale për sipërmarrjet jo shtetërore, por ajo që nuk duhet dhe nuk mund të pranohej ishte se këto borde mblidheshin dhe caktonin pagën e drejtorit lart e më lart dhe e bënë Shqipërinë me mijëra rrogëtarë me paga sa ministrat dhe këtë e bënin vetëm e vetëm që të përfitonin pagën e tyre s’i përqindje e pagës së drejtorit. Në këtë mënyrë, krijoheshin mijëra vende pune që paguheshin më shumë se ministrat. Ne i vumë gërshërët dhe nuk ka asnjë zyrtar në më shumë se 3 borde dhe asnjë Drejtor Bordi me pagë më të lartë se ajo e Sekretarit të Përgjithshëm, asnjë anëtar Bordi me pagën më shumë se ¼ e pagës së drejtorit apo Sekretarit të Përgjithshëm. Kjo bëri që fondi i pagave u kursye me 20 për qind dhe të gjitha këto ia kthyem në rroga mësuesve, infermierëve, policëve etj..

70 për qind e prokurimeve bëheshin direkt. Kur erdhëm në pushtet kishte me qindra ankesa se autoritetet kontraktuese  nuk u jepnin dosjen e tenderave sipërmarrësve, sepse e atë jepnin nën dorë. Në këtë drejtim, viti 2007 ishte i bekuar. Raporti i Komisionit Europian thotë se qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë prokurim direkt dhe ju garantoj se nuk do të ketë. Sërish ka korrupsion, por të jeni të sigurtë se është pakrahasimisht më pak sesa ishte me tenderat direkt. Pa folur tani që po kalojmë në prokurimet elektronike, ku askush nuk njeh ofertuesin dhe vlerësuesin. Ka përpjekje për t’u shmangur. Por unë persistoj në mënyrë absolute në atë që besoj. Kështu nisi edhe me taksat. Kur filluam të aplikonim taksat on-line, na kthenin shpinën, sepse taksa jo on-line është taksë pazari. Ndërkohë që kjo shmanget me taksat on-line. Në tre muaj, kishte vetëm 200 raste të përdorimit të kësaj takse, ndërsa në muajin e fundit arriti në 1000. Ne do të bëjmë që çdo shqiptar të paguajë taksat me shërbimin më të shkëlqyer, on-line dhe kjo është një rënie dramatike e korrupsionit dhe pazarit me taksambledhësit. Po kështu edhe me doganat, ku çmimet e referencës ishin bërë hanxhari i gjobave. Sot, çmimet e referencës botohen 3 muaj para në website-n e doganave dhe kudo.

Si rezultat, me gjithë uljen 150 për qind të tatim fitimit, nga 25 në 10 për qind, 130 për qind të të ardhurave personale, nga 23 në 10 për qind, 31 për qind të sigurimeve shoqërore, me gjithë uljen e një serie tarifash “Një euro”, ndër të cilat regjistrimi i biznesit, të ardhurat janë rritur dhe këtë vit ne fusim në arkën tuaj 1.2 miliard dollarë më shumë se në vitin 2005. Çdo vit, përfshi edhe këtë vit, ne dërgojmë një buxhet të dytë në parlament dhe i tëri rezultat jo i shpërthimit të puseve të e naftës apo të gazit, por nga lufta kundër korrupsionit, kontrabandës e evazionit.

Ishin këto reforma dhe transparenca që vendosëm në proceset kryesore ato që bënë që ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së ta shpallnin suksesin e reformave në Shqipëri si frymëzuese për vendet rajonit. Por unë sërish ju them se korrupsion ka. Në rast se ne nuk e luftojmë atë çdo orë, çdo ditë, çdo javë e çdo muaj, ai është katastrofal për ne. Në qoftë se ka dy fenomene që mund të krahasohen me njëri-tjetrin, njëri në shoqëri e tjetri në mjekësi, është  korrupsioni e kanceri. Kancerin e mundin ata që e luftojnë me vendosmëri e me të gjitha mjetet dhe kjo është e vetmja rrugë kundër tij. Po ashtu korrupsioni duhet të luftohet me të gjitha mjetet dhe me vendosmëri. Ndaj ju bëj thirrje vëllazërore: na ndihmonin në këtë betejë, të cilën ne do ta fitojmë. Mos pranoni t’i jepni ryshfet kujt. Ai që jep ryshfet bën një mëkat të madh ndaj vetes, ndaj fëmijëve të tij, familjes, shoqërisë, qytetit, fshatit e mbarë shoqërisë. Ai tregon dobësi që nuk duhet ta tregojë kurrë, sepse ryshfetmarrësi është poshtërues e i pamëshirshëm. Ai na poshtëron dhe për të njohur të drejtën që na përket me ligj na gjobit.

Ne jemi një komb që po bëhet anëtar i NATO dhe do të bëhet anëtar i BE-së, jemi një komb me dinjitet, ndaj duhet t’u tregojmë vendin ryshfetmarrësve, çfarëdo qofshin ata. Nëse nuk e bëjmë këtë, do ta kemi të vështirë. Ne duhet t’u tregojmë të gjithëve se nuk jemi njerëz të ryshfetit, por të moralit të pastër, të fibrës dhe përgjegjësisë qytetare të pastër. Prandaj i denonconi dhe na ndihmoni dhe ju jap fjalën se sa herë që ju t’i faktoni, ata do të kenë vetëm një përgjigje, prangat dhe vetëm prangat. Kjo qeveri ju kërkon të mbroni dinjitetin tuaj e të shoqërisë sonë. Ne nuk jemi shoqëri e krimit dhe e kemi faktuar këtë. Ne nuk jemi shoqëri e korrupsionit dhe e kemi faktuar, nuk jemi shoqëri e ryshfetit dhe duhet a faktojmë këtë. Mbi 80 zyrtarë sot përballen me ligjin dhe hekurat e qelive. Ju jap fjalën se edhe 800 po të bëhen, atje do të shkojnë. Ne nuk do ta tolerojmë korrupsionin. Asgjë nuk është më përcaktuese se kjo. Ne kemi një ligj që mbron ata që  denoncojnë korrupsionin, por lisi nuk pritet dot me një të rënë, thotë një shqiptare e madhe. Edhe ky sistem është shembur, por nuk pastrohet dot menjëherë. Ndaj korrupsionin duhet ta konsiderojmë njësoj si komunizmin, siç u çliruam nga rrënojat e tij, duhet të duhet të çlirohemi edhe nga korrupsioni, sepse aty e kemi burimin më të madh të pasurisë sonë.

Në fillim të fjalës ju thashë se do t’ju tregoj veprat. Vetëm në qarkun tuaj, nga Mifoli në Konispol, ne kemi investuar e investojmë mbi 11 miliard lekë gjatë këtyre dy viteve në autostrada e superstrada, kemi investuar në rrugë të tjera jo kombëtare 2.2. miliard lekë, kemi investuar për furnizimin e qytetarëve me ujë të qarkut tuaj dhe kanalizimet 6 miliard lekë. Vetëm sot inauguruam fillimin e punimeve për ujësjellësin tuaj me mbi 3 miliard lekë. Nga Mifoli në Konispol, ne kemi investuar për prodhimin e energjisë dhe përmirësimin e transmetimit 14 miliard lekë. Vetëm sot, inaugurova nënstacionin e Babicës, më i madhi i ndërtuar në 20 vitet e fundit, me 3 miliard lekë, së shpejti do investohen 5 miliard të tjerë në rrjetin e jugut, inspektova punimet e TEC-it, që po ecin shumë mirë, investim 100 milion dollarë, më parë kemi inauguruar dy HEC-et e Bistricës.

Të dashur qytetare e qytetarë të Vlorës,

në dy vjet, vetëm në vepra kombëtare madhore qeveria ime ka investuar 36 miliard lekë apo 420 milion dollarë. Dhe këtu nuk kemi llogaritur shkollat, qendrat shëndetësore, bujqësinë, rrugët e rrugicat e qyteteve fshatrave tuaja. Këto janë veprat e luftës kundër korrupsionit. Ne kemi investuar në rrugë 10 herë më shumë sesa paraardhësit tanë në 8 vjet, në ujësjellës mbi 10 herë më shumë. Të gjitha këto erdhën nga lufta kundër korrupsionit. Si rezultat i kësaj lufte, këtë vit, janë rritur me 1.2 miliard lekë të ardhurat. Dhe këto janë besimi i qeverive të vendeve mike për ne, sepse ne po i përdorim mirë paratë e tyre, po përdorim mirë paratë tona dhe po i kthejnë ato në të mira e shërbime për qytetarët tanë. Mbi këtë gjykim, ne na trefishuan fuqinë kredimarrëse.

Shqipëria sot është e tëra në ndërtim. Sot, qarku juaj merr investimet e dyta më të mëdha në Shqipëri pas aortës së kombit që lidh Tiranën e Durrësin me Prishtinën, që do t’i japë Shqipërisë e shqiptarëve një zhvillim shumë më të shpejtë e më të paimagjinueshëm dhe do ta bëjë Vlorën portin kryesor të Mesdheut. Ju ftoj ta vizitoni këtë rrugë. Një mik i imi, që vjen shpesh këtu për arsye shërbimi në institucionet ndërkombëtare kishte treguar një gjysmë habie me këtë nismë, shkoi e vizitoi. Kur u kthye më tha dy gjëra: së pari, se ajo ishte një vepër mrekulli e madhe dhe së dyti, se atë mund ta ndërtonte vetëm Bechtel-i. Vizitojeni dhe shikoni se çfarë impakti të madh do të ketë ajo në Shqipëri e Kosovë. Nga ana tjetër, ajo u garanton shqiptarëve të Kosovës rrugën e tyre të lirë për në Europë e në botë. Ata nuk mund të mbeten në vështirësi për të komunikuar me botën. Rrugët, portet e aeroportet e Shqipërisë do të jenë gjithmonë në dispozicion të tyre. Këto janë veprat e antikorrupsionit.

Sërish ju bëj thirrje ta vazhdojmë këtë betejë si detyrimin më të parë qytetar dhe të jeni të sigurtë se kur secili prej nesh ta shndërrojë në detyrë kryesore, unë ju jap fjalën dhe ju do ta shihni edhe vetë, se ne do të zhvillohemi dy herë më shpejt sesa po zhvillohemi. Ndonëse Shqipëria nuk ka ndryshuar kurrë më parë sa këto 2-3 vjet, në rrafshin ndërkombëtar, ne firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Kosova u bë e pavarur, ne morëm ftesën për në NATO. Ju garantoj se do të bëj çdo përpjekje për anëtarësimin ne plotë, do të bëj çdo përpjekje për lëvizjen e lirë të qytetarëve në mbarë Europën, ju garantoj se do të bëj çdo përpjekje për integrimin e plotë të Shqipërisë në Europë.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›