Kryeministri Berisha: Qeveria e angazhuar të nxisë dhe mbështesë çdo investim për shndërrimin e Orikumit në një qendër të rëndësishme turistike
Gjatë vizitës në Vlorë, Kryeministri Berisha përuroi përfundimin e punimeve për rregullimin e shëtitores në Orikum, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 24 milion lekë.
Kryeministri u shpreh se me këtë investim të rëndësishëm, Orikumi bëhet me një shëtitore metropolitane, të denjë për çdo kryeqytet. “Faza tjetër është rregullimi i trotuareve, por ju mund të shikoni gjerësinë e kësaj rruge dhe cilësinë e punimeve. Ato janë të denja për këtë qytet të lashtë, sa vetë kohërat, të famshëm në histori, që mesa duket do të bëhet edhe më i famshëm në të ardhmen.”
Duke e cilësuar Orikumin një qytet bizhu për pamjet e mrekullueshme që ofron, Kryeministri garantoi se qeveria do të mbështesë dhe investojë çdo projekt për modernizimin e infrastrukturës së tij në të ardhmen. “Ne e shohim ketë qytet me përparësi dhe ai do të shndërrohet në një pol të rëndësishëm turistik. Këtu janë bërë investime serioze dhe të mëdha, të cilat arrijnë në dhjetëra e dhjetëra milion euro.”
Kryeministri siguroi të gjithë emigrantët, të cilët rikthehen në atdhe për të investuar, si dhe të gjithë investitorët e huaj se qeveria do të punojë me përkushtim për të lehtësuar veprimtarine e tyre. “Shqipëria, - u shpreh Kryeministri - po bëhet vendi i shpresës dhe besimit. Unë garantoj se ne do të punojmë me përkushtim për të lehtësuar çdo investim të emigrantëve shqiptare dhe të investitorëve të huaj në Shqipëri. Të kemi parasysh se Shqipëria po vendos regjimin fiskal më të favorshëm në Evropë. Shqipëria po bëhet një parajsë fiskale, në kuptimin e lehtësirave të mëdha fiskale që ofron.”