E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: TEC-i i Vlorës, objekti i vetëm energjetik në këtë qytet

-Në maj të vitit 2009 përfundon ndërtimi i TEC-it  të Vlorës

Kryeministri Berisha inspektoi sot punimet për ndërtimin e termocentralit të ri në Vlorë, një investim 92 milionë euro, financim i Bankës Botërore, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvvillim dhe Bankës Europiane të Investimeve. Ndërtimi i TEC-it pritet të përfundojë në maj të vitit 2009. 

Kryeministri Berisha ka përshëndetur punëtorët, inxhinierët dhe teknikët e kompanisë për punën serioze që kanë bërë në ndërtimin e këtij termocentrali. Kryeministri vlerësoi se për pozicionin që ka, TEC-i përbën një vepër shumë të rëndësishme energjetike për përmirësimin e parametrave të furnizimit me energji elektrike të kësaj zone, por edhe të vendit në tërësi, pasi, siç theksoi Kryeministri, në një kohë kur energjia është e kërkuar, 90 megavat nuk janë pak, por një sasi shumë e rëndësishme energjie për të furnizuar vendin.  

Kryeministri theksoi se nuk do të ketë objekt tjetër energjetik në Vlorë, duke nënvizuar se ofertat e tjera janë spostuar në Porto Romano.
“Edhe njëherë dua të theksoj dhe të garantoj qytetarët e Vlorës se ky është objekti i vetëm energjetik që ndërtohet në këtë qytet. Ofertat e tjera nga ato që janë spostuar në Seman, deri tek e fundit e kompanisë ENEL të, gjitha i kemi spostuar në Porto Romano, prandaj Vlora nuk do të ketë tjetër përveç këtij termocentrali, që e ka jetik dhe të domosdoshëm”, u shpreh Kryeministri Berisha gjatë inspektimit të punimeve.

Kryeministri theksoi se i gjithë emetimi i këtij TEC-i është i barabartë me dëmin që shkaktojnë në mjedis 800 makina Mercedez, pasi është i standardeve më të larta.   

Duke u  ndalur në projektet e rëndësishme zhvilluese për Vlorën, Kryeministri tha se ky qytet do të ketë edhe një ndër portet më të mëdhenj të Mesdheut.
“Vlora do të ketë këtu afër edhe parkun industrial sipas një projekti të paraqitur nga Bashkia e Vlorës dhe biznesmenë të këtij qyteti. Do të ketë një port ndër më të mëdhenjtë e Mesdheut, sepse korridori që po ndërtojmë, Durrës-Prishtinë-Merdare  e më tutje, e bën Vlorën dhe ujërat e Shqipërisë më të favorshëm për transport. Avantazhi i Vlorës është se i ka ujërat më të thella, se sa pjesët e tjera të bregut të Adriatikut”, u shpreh Kryeministri Berisha, duke shtuar se ky port do të shndërrohet në një mega-gjenerator të zhvillimit të shpejtë dhe të madh të Vlorës.  

Kryeministri theksoi se do të përmbushë të gjitha zotimet e dhëna, duke shtuar se në maj të vitit 2009 do të përfundojnë punimet për TEC-in. “Unë nuk jam në fushatë elektorale, por shqiptarët që më besojnë duhet ta kenë të qartë se premtimet e mia të tjerët mund t`i lënë rrugës, por unë do t'u dal zot një për një”, nënvizoi më tej Kryeministri Berisha. Ky TEC, - vijoi Kryeministri - do të sjellë përfitime të mëdha jo vetëm për Vlorën, por për të gjithë bregun, sepse kjo zonë merr një burim konstant të fuqishëm energjetik. Tani ne erdhëm nga Babica aty kemi bërë investimin më të madh në rrjetin e transmetimit të tensionit të lartë në 18 vitet e fundit, me një vlerë 25 milionë euro dhe janë në projekt edhe 50 milionë lekë të tjera për ndërtimin e unazës elektrike të jugut. "

Kryeministri Berisha i konsideroi këto projekte të domosdoshme për të ruajtur parametrat e energjisë tek konsumatori. "Futja edhe e TEC-it në rrjet, i cili do të lidhet me nënstacionin e Babicës garanton një furnizim të shkëlqyer me energji të të gjithë zonës turistike të vendit nga Vlora deri në Ksamil”, tha Kryeministri.

Duke iu përgjigjur interesit të medias, nëse rritja e çmimit të karburanteve do të ndikojë në funksionimin e TEC-it të Fierit, Kryeministri Berisha tha se kjo do të ketë ndikimin e saj, por shtoi se çmimi më i lartë dhe i kushtueshëm i energjisë elektrike është mungesa e saj, ndërsa vlerësoi se çmimet e tjera janë të pranueshme.

Përsa i përket ndërtimit të TEC-eve të tjera më të mëdha në vendin tonë, Kryeministri Berisha tha se ka një projekt real për ndërtimin e një TEC-i të madh prej 800 megavatësh, rreth 8 herë më i madh se TEC-i i Vlorës, dhe për ndërtimin e termocentraleve të tjera.Porto Romano, tha Kryeministri, do të jetë porti kryesor energjetik i Shqipërisë. “Ne do të shkojmë edhe drejt TEC-eve më të mëdha, por nuk do ta ndërtojmë në breg”, theksoi Kryeministri duke shtuar se Porto Romano nuk është i përshtatshëm për ndërtimin e centralit nuklear, por do të përzgjidhet me kujdes vendi pasi duhen plotësuar disa kushte për t`u plotësuar.

Kryeministri theksoi se në Porto Romano nuk do të ketë central bërthamor, por do të ketë TEC-e me gaz, naftë dhe me qymyr.
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›