Kryeministri Berisha: Investimet do ta bëjnë Vlorën një qytet model për qytetarët e saj dhe për turistët nga mbarë bota
Kryeministri Berisha mori pjesë, sot në inaugurimin e ujësjellësit të ri të qytetit të Vlorës, me vlerë 26 milion euro, investim i qeverisë holandeze.
Me këtë rast, Kryeministri Berisha falënderoi qeverinë holandeze për ndihmën bujare, duke e cilësuar këtë vepër, si dëshmi të vullnetit të kësaj qeverie për të ndihmuar qeverinë shqiptare. “Këtu nis punën një ujësjellës i ri për qytetin e Vlorës me vlerë prej 26 milion euro. Me këtë rast dua të falënderoj me shumë mirënjohje qeverinë e Mbretërisë së Hollandës, për ndihmën bujare që ka dhënë. Është një dëshmi e vullnetit të qeverisë holandeze për të ndihmuar qeverinë shqiptare. Kjo është një dëshmi pa një mëdyshje e vlerësimit se qeveria mike holandeze, por edhe qeveri të tjera, kanë tek qeveria që unë drejtoj, në përdorimin eficent dhe të suksesshëm të parave të taksapaguesve të tyre.”
Kryeministri garantoi përfaqësuesit e pushtetit vendor të Vlorës se investimet për këtë qytet do të jenë prioritet i rëndësishëm për qeverinë “Vetëm në një hark kohor prej 2 orësh inauguruam sot investimet publike në këtë qytet në ujësjellësa dhe energji me rreth 150 milion euro. Kjo përbën një zhvillim shumë pozitiv për komunitetin e qytetarëve të Vlorës. Unë dua të garantoj se qeveria do të mbështesë Bashkinë tuaj në të gjitha projekte e mëdha me të cilat ju do të arrini ta bëni Vlorën gjithnjë e më të bukur, më të përshtatshme për qytetarët e vet dhe për turistët nga e mbarë bota.”