Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e rrugës Kusarë-Balas të Komunës së Bradasheshit në Elbasan
Kryeministri Berisha inauguroi sot rrugën Kusarë – Balas të Komunës së Bradasheshit në Elbasan, një bashkëfinancim prej 45 milionë lekësh nga buxheti i shtetit dhe fondet e komunës.
Kryeministri Berisha e cilësoi inaugurimin e kësaj rruge një tjetër premtim të mbajtur të tij dhe të qeverisë.
“Ky është një tjetër premtim i mbajtur nga Sali Berisha dhe qeveria e tij. Ne po investojmë rreth 50 milionë lekë në një rrugë që lidh banorët e shtatë fshatrave me rrugën kombëtare. Kjo është një rrugë me dy korsi sipas standardeve europiane”, u shpreh Kryeministri Berisha pas prerjes së shiritit të inaugurimit.
Kryeministri Berisha tha se Shqipëria rurale është në vëmendjen e madhe të qeverisë.
“Kjo rrugë lehtëson aksesin në treg dhe mbi të gjitha lehtëson jetën e qytetarëve të Bradasheshit. Qeveria do të mbështesë zhvillimin rural sepse kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Ne po kalojmë nga Shqipëria e baltës dhe e çakullit tek Shqipëria e asfaltit”, theksoi Kryeministri duke siguruar kryetarin e Komunës së Bradasheshit për mbështetjen e projekteve që ai do të paraqesë për zhvillimin e komunës.
Rruga Kusarë-Balas në komunën e Bradasheshit ka një gjatësi 5 km, gjerësi 6 m.
Kjo rrugë lidh 7 fshatrat e komunës Bradashesh si dhe fshatrat e komunave përreth me rrugën kombëtare. Nga përfundimi i kësaj rruge përfiton e gjithë zona industriale dhe komuna e Bradasheshit.