E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron nënstacionin e linjës 220 kilovolt në Babicë, investimi më i madh në rrjet në njëzet vitet e fundit

-Investimet për prodhimin e energjisë janë përparësi e qeverisë dhe në këtë kuadër po inaugurohen shumë burime të tjera të prodhimit te saj

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimin të nënstacionit të linjës 220 kilovolt në Babicë. Ndërtimi i këtij nënstacioni është investim korean, me vlerë rreth 25 milionë euro, dhe është një nga investimet më të mëdha në rrjet në këto njëzet vitet e fundit.

Gjatë ceremonisë, Kryeministri Berisha u shpreh se ky nënstacion është një investimet më të rëndësishme dhe më kryesore për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike të të gjithë zonës e jugut.

“Ky nënstacion elektrik është një nga investimet më të rëndësishme dhe më kryesore për të gjithë zonën e jugut, me vlerë rreth 25 milionë euro dhe fuqi 220 kilovolt. Ky investim është përcaktuar për furnizimin me parametrat e duhur të qytetarëve me energji elektrike. Dihet që Shqipëria ka një disbalancë në prodhimin e energjisë elektrike dhe kjo i bën të domosdoshme investime të tilla të mëdha, në mënyrë që të ruhen parametrat në shpërndarjen e energjisë në të gjithë territorin e vendit”, u shpreh Kryeministri.

Duke e cilësuar këtë nënstacion si një investim kyç, Kryeministri u shpreh se falë këtij nënstacioni nis një tjetër investim i madh nga Vlora, në Sarandë, Delvinë, Gjirokastër dhe në të gjithë zonën e jugut.

“Falë këtij nënstacioni, që është një investim kyç, nis një tjetër investim i madh nga Vlora, në Sarandë, Delvinë, Gjirokastër dhe në të gjithë zonën e jugut. Ky investim prej 50 milionë euro adresohet në rindërtimin dhe krijimin e unazës së lidhjeve elektrike të jugut, dhe me finalizimin e saj mund të them se kompensohet shumë mirë disbalanca që ekziston në prodhimin e energjisë elektrike”, vijoi Kryeministri.

Kryeministri Berisha u shpreh investimet për prodhimin e energjisë janë përparësi e qeverisë dhe në këtë kuadër po inaugurohen shumë burime të tjera të energjisë.

“Bashkë kemi inauguruar rikonstruktimin e dy hidrocentraleve të Bistricës, po ecën me shpejtësi edhe TEC-i prej 90 megavat, ndërkohë po ecën dhe hidrocentrali i Kalivaçit. Pra, po shtohen burimet elektrike, por pavarësisht nga të gjitha këto, investimet janë të domosdoshme dhe kjo është një përparësi e qeverisë tonë”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha përgëzoi punën e bërë nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) për punën cilësore dhe realizimin në kohë të këtij ndërtimi madhor.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›