E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Investimet në qarkun e Vlorës, më të shumta sesa investimet e bëra në të gjithë Shqipërinë, në vitin 2002

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e nënstacionit elektrik të Vlorës, investim i Bankës Evropiane të Investimeve, me një vlerë prej 3 milion euro. Kryeministri u shpreh se ky nënstacion i garanton Vlorës furnizimin me parametra më të mirë të energjisë elektrike. Kryeministri theksoi se inaugurimi i dy nënstacioneve në qytetin e Vlorës dëshmojnë më së miri përparësinë që qeveria i jep çështjes së energjisë.

“Ky nënstacion i garanton Vlorës furnizimin me parametra më të mirë të energjisë elektrike, me një vlerë prej 3 milion euro. Nënstacioni i Babicës kishte nje vlerë prej 25 milion eurosh. Ne inauguruam dy nënstacione në  këtë qytet, me një vlerë prej 30 milion eurosh. Inspektuam një termocentral me rreth 90 milion euro investim Ne po bëjmë shumë përpjekje për të arritur në parametrat më të mirë të furnizimit me energji elektrike të qytetarëve shqiptare. Tani do të shkojnë të inaugurojmë ujësjellësin e Vlorës, një investim prej 26 milion eurosh.”

Kryeministri Berisha vuri në dukje se investimet në qarkun e Vlorës janë më të mëdha se sa investimet në të gjithë Shqipërinë, të marra së bashku në vitin 2002, të qeverive të mëparshme. Kryeministri vlerësoi ndër të tjera investimet private, për të cilat qeveria do të bëjë çdo përpjekje t'i mbështesë dhe inkurajojë. “Fatmirësisht këtu ka dhe  investime të mëdha private. Siç e dini inauguruam dhe fabrikën e lëngjeve të frutave, investim prej 14 milion euro, si dhe investimi që bën Petrolifera prej 40 milion euro, parku industrial, që e kanë projektuar vetë biznesmenët dhe industrialistët e Vlorës, i cili shumë shpejt do të bëhet një epiqendër e fuqishme e inkurajimit të biznesit. Qeveria do të bëjë cdo gjë për një klimë miqësore ndaj biznesit.”

Duke siguruar se do të jetë sërish mes banorëve të Vlorës për inaugurime të reja, Kryeministri u shpreh se ky do të jetë turi i inaugurimeve dhe i premtimeve të mbajtura. “Unë do të vij sërish, sepse ky është turi im i inaugurimeve. Ky tur që ndalon ditën para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, është turi i premtimeve dhe inaugurimeve të mbajtura. Unë këtë gjë kam marrë përsipër, të mbaj një për një premtimet e mija.” tha Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›