Fjala e Kryeministrit Berisha në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Traktatit të Atlantikut

Kryeministri Berisha mbajti sot një fjalë gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Traktatit të Atlantikut, në Otava, Kanada.
“I nderuar z.President,
Zonja dhe zotërinj,
Përfaqësues të shoqatave të Atlantikut të Veriut.
Së pari, dëshiroj t’ju falënderoj përzemërsisht ju zoti President dhe ju zotërinj pjesëmarrës në këtë takim, për mundësinë që më krijuat për t’ju njohur me të gjitha rezultatet e reformave, të thella dhe të gjithanshme, që keni ndërmarrë për realizimin e dy projekteve më madhore të kombit tonë për këtë shekull, integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Shqiptarët e vlerësojnë realizimin e këtyre dy projekteve si rruga e rikthimit të tyre në gjirin e familjes së popujve, që u përkasin.
Unë dua, gjithashtu, të falënderoj Kanadanë dhe qeverinë e saj, Kryeministrin Harper për takimin miqësor, që më rezervoi, dhe organizimin e shkëlqyer të mbledhjes së kësaj asambleje.
Sot në vendin tonë të gjitha forcat politike dhe më shumë se 94 për qind e qytetarëve shqiptarë mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Unë mendoj se arsyeja kryesore për këtë mbështetje qëndron në faktin se qytetarët shqiptarë në gjysmën e shekullit që shkoi u privuan më shumë se çdo komb tjetër nga liritë dhe të drejtat njerëzore, ndaj dha ata shohin tek Aleanca e Atlantikut të Veriut garancinë më të madhe të sigurisë së vendit të tyre por edhe të lirive dhe të drejtave njerëzore. Kështu që besimi i shqiptarëve te NATO-ja është besimi te vlerat e lirisë, të demokracisë, paqes dhe integrimit, vlera që shqiptarët ndajnë me popujt e tjerë.
Anëtarësimi në NATO është një vendosje e lidhjeve historike, kulturore dhe ekonomike të gjithanshme me vendet dhe qytetërimet perëndimore. Në këtë proces, ata, sigurisht, shohin edhe kontributin, që ata japin dhe mund të japin në sigurinë e krahut juglindor të NATO-s, me vlerat që sjellin në gjirin e kësaj familjeje.
Një komb i vogël shumëfetar, që nuk ka regjistruar në tërë historinë e tij asnjë problem, ndërfetar apo ndëretnik, përkundrazi, në të tëra kohërat është karakterizuar nga toleranca, fetare dhe ndëretnike, e shkëlqyer.
Zonja dhe zotërinj!
Një vit më parë në Samitin e Rigës, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të NATO-s përmendën Shqipërinë, duke vlerësuar suksesin në reformat e kryera dhe arritjet e vendit tonë, si dhe duke theksuar se Shqipëria është një nga vendet, që, së bashku me Maqedoninë dhe Kroacinë mund të meritojnë ftesën për anëtarësimin në NATO, në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit.
Duhet theksuar qartë se ftesa për këtë anëtarësim do të varet nga performanca dhe rezultatet konkrete solide që vendet tona do të dëshmojnë, në kuadër të MAP-it dhe të reformave të tjera, përpara Samitit të ardhshëm të zgjerimit.
Po kështu, Asambleja Parlamentare e Atlantikut të Veriut, në deklaratat e saja, në Paris, në vitin 2006, dhe Reykiavik, në vitin 2007, u bën thirrje qeverive të vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut të ftojnë Shqipërinë në Asamblenë e NATO-s, në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit.
Duke shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj qeverive dhe parlamenteve tuaja, si dhe ndaj NATO-s, unë dua t’ju siguroj se Shqipëria e mori këtë mesazh me seriozitetin më të madh, jo vetëm si një vlerësim i rëndësishëm për arritjet e saj, por edhe si një detyrim madhor për të ndërmarrë reforma dhe përgjegjësi të reja, në kuadër të planit të veprimit të anëtarësimit, të ciklit të 9-të.
Unë dëshiroj të prezantoj përpara jush reformat e thella dhe transformimet e mëdha që Shqipëria dhe shqiptarët kanë shënuar në këto 15 vite të ndërtimit të lirisë dhe demokracisë, me bazë në vlerat e tregut.
Në këto 15 vite, Shqipëria nga vendi i gulagëve të panumërta, i izolimit më të thellë, lirive dhe të drejtave të mohuara me kushtetutë, ateizmit të imponuar, bunkerizimit dhe hiperkolektivizmit total, u shndërrua në vendin e pluralizmit politik, të konsoliduar, e në vendin ku respektohen dhe garantohen liritë dhe të drejtat e individit dhe të minoriteteve, medieve te lira, të lirisë dhe pluralizmit të plotë të besimeve fetare, tolerancës së shkëlqyer, fetare dhe etnike, në vendin e nismës së lirë, ku mbi 80 për qind e prodhimit të brendshëm vjen nga sektori privat dhe ku të ardhurat për frymë janë sot 20 herë më të larta se në vitin ‘92.
Shqipëria sot është një vend tërësisht i hapur, partner dhe mik i vendeve tuaja, anëtare të Këshillit të Evropës, partnere të NATO-s, vend që ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe që ka dhënë kontributin e saj real në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit.
Demokracia e re shqiptare është një demokraci funksionuese, me institucione të konsoliduara dhe me ndarje e balancë të qartë pushtetesh.
Vetëm gjatë dy viteve të fundit ajo kaloi me sukses të plotë tri prova politike shumë të rëndësishme siç ishin zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, më 3 korrik 2005, të cilat realizuan rotacion demokratik të pushtetit, zgjedhjet vendore, më 18 shkurt 2007, për të cilat, pavarësisht nga mangësitë e karakterit teknik, rezultati u pranua nga të gjitha forcat politike, madje u vlerësuan të lira e të ndershme edhe nga drejtuesit e opozitës.
Në korrik të vitit 2007, vendi zgjodhi, me procedurë parlamentare dhe në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit, Presidentin e ri të Republikës, i cili, pas zgjedhjes mori një mbështetje të gjerë nga të gjitha forcat politike të vendit dhe u përshëndet nga partnerët dhe aleatët tanë, kudo në botë.
Përparim real ka njohur në Shqipëri konsolidimi i pavarësisë të sistemit gjyqësor, si kusht përcaktues për funksionimin e shtetit ligjor. Shqipëria sot ka një nivel të lartë në ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, të krahasueshëm me atë të shumë vendeve anëtare të NATO-s.
Presidenti ka mbledhur tryezën e partive politike, në të cilën u ra dakord për të ndërmarrë një reformë në sistemin gjyqësor. Këshilli i Evropës, komisioni i Venecias, dhe grupe ekspertësh, të sponsorizuara nga Këshilli i Evropës, do të asistojnë këtë reformë.
Parlamenti ka ngritur një komision bipartizan për reformën zgjedhore, për t’i dhënë përgjigje përfundimtare problemeve teknike, që kanë cenuar zgjedhjet në Shqipëri. Këtë javë nis zbatimi i projektit për regjistrin elektronik të gjendjes civile dhe për prodhimin e kartave elektronike të identitetit dhe të pasaportave digjitale.
Për të bashkërenduar punën e për të promovuar më mirë reformën legjislative dhe dialogun e frytshëm politik, të domosdoshëm për integrimin e Shqipërisë në NATO, Kuvendi i Shqipërisë, krijoi në maj 2007 një komision ad hoc bipartizan, që bashkëkryesohet nga një deputet i mazhorancës dhe një përfaqësues i opozitës. Pranë Këshillit të Ministrave është ngritur dhe funksionon Zyra e Koordinatorit Kombëtar për NATO-n, e cila bashkërendon punën dhe veprimet e të gjitha institucioneve dhe agjencive të vendit, për përmbushjen e kërkesave dhe të detyrimeve, që rrjedhin nga plani MAP-it.
Zonja dhe zotërinj,
Unë jam i vetëdijshëm se dy vite më parë kronikat e lajmeve dhe raportet jo të pakta, kanë informuar publikun e vendeve tuaja për përmasat, realisht shqetësuese, të krimit të organizuar në vendin tonë, i cili, theksoj se ka qenë shumë agresiv, i pasur (në shumë forma), në dëm të jetës së qytetarëve dhe të imazhit të vendit tonë në vendet tuaja.
Pikërisht për këto arsye, qeveria që unë kryesoj, shpalli dy vjet më parë luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale. Me përpjekje të shumta dhe të vazhdueshme, me kurajë dhe profesionalizëm shumë të lartë, policia shqiptare dhe institucionet e tjera të zbatimit të ligjit në vendin tonë kanë bërë të mundur që Shqipëria sot të jetë një ndër vendet më të sigurta, ku treguesit e kriminalitetit janë të afërt ose të njëjtë me ato të shumicës së vendeve anëtare të NATO-s. Në dy vite, policia shqiptare çmontoi dhe vendosi përpara ligjit 204 grupe dhe organizata kriminale, nga të cilat 850 anëtarë dhe krerë janë ndaluar në bazë të ligjit, 191 të tjerë janë ekstraduar apo janë në proces ekstradimi nga Evropa dhe SHBA-të. Parlamenti shqiptar miratoi ligjin për ndalimin e skafeve, që përdoreshin për trafiqe kriminale në ujërat tona. Fluksi i trafiqeve drejt Italisë ka një rënie drastike, të panjohur më parë. Shqipëria nuk është më një vend burimi apo tranziti për trafikun e qenieve njerëzore, si dhe një rrugë e pëlqyeshme për trafikun e drogave të forta. Miratimi nga parlamenti shqiptar i një ligji, që ngarkon me përgjegjësi penale zyrtarët e administratës vendore, kur në territorin e komunave të tyre gjenden plantacione me bimë narkotike, ka reduktuar, në mënyrë të ndjeshme, mbjelljen e tyre në vend.
Një ligj i ri, i përgatitur me ndihmën e institucioneve të zbatimit të ligjit të vendeve tuaja, për Policinë e Shtetit shqiptar u miratua nga parlamenti dhe ka krijuar standarde të reja, më të larta, për punën e policisë shqiptare. Me ndihmën e FBI-së dhe të Komisionit Evropian është ngritur një Task Force për hetimin e krimit, ekonomik dhe financiar. Lufta kundër krimit të organizuar në Shqipëri ka pasur rezultate konkrete dhe është e parikthyeshme. Unë dua t’ju bëj me dije se qeveria ime është e hapur dhe e vendosur të nënshkruajë çdo marrëveshje me qeveritë e vendeve tuaja, për një luftë efikase kundër krimit të organizuar.
Të nderuar miq,
Korrupsioni, i cili është një kancer i vërtete për liritë e individit në shoqëri, ka qenë një problem i vërtetë në vendin tim. Lufta me zero tolerancë dhe pa përfillur ngjyrat politike kundër korrupsionit, ka qenë shtylla kryesore e politikave të qeverisë sonë të koalicionit. Për këtë qëllim ne së pari vendosëm në zyrat tona standarde që nuk lejojnë përdorimin e parave publike për arsye private apo personale. Këto standarde bënë të mundur shkurtimin e shpenzimeve operative të administratës qendrore me 40% dhe asaj lokale me 25%. Krahas tyre, ne ulëm portofolin e administratës qendrore me 20% dhe numrin e nëpunësve me 30%. Ne amenduam ligjin e konfliktit të interesit dhe nxorëm administratën jashtë konfliktit të interesit. Parlamenti miratoi ligjin që mbron denoncuesit e korrupsionit, njëlloj si dëshmitarët e krimeve të rënda dhe i shpërblen me 6% të vlerës së përfituar, dhe hapëm linjat falas të denoncimit të korrupsionit.
Me ndihmën e programeve të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, janë vendosur regjistri elektronik për bizneset, prokurimi elektronik, dhe procedurat elektronike të taksave e të doganave. Në këtë kontekst, është hapur Zyra e Avokatit të Popullit për prokurimet publike. Ndërkohë, organet e drejtësisë kanë penalizuar dhjetëra zyrtarë të të gjitha niveleve për akte korrupsioni dhe kjo është bërë pa asnjë lloj dallimi partiak.
Si rezultat i kësaj lufte të egër kundër korrupsionit është ulur me 23% kostoja e përgjithshme e prokurimeve të vendit. Ndonëse ulja e taksave ka qenë drastike, të ardhurat në buxhet janë rritur nga 22% në 27% të GDP në 2007, dhe dy vite me radhë ne kemi dërguar në mesin e vitit fiskal një buxhet të dytë në parlament.
Ekonomia shqiptare vazhdon të veprojë me tregues dyshifror. Qëllimi më madhor i reformave ekonomike të kësaj qeverie, ka qenë vazhdimi i rritjes së shpejtë ekonomike, duke e bërë Shqipërinë vendin më tërheqës për investimet e huaja. Për të arritur këto qëllime, krahas liberalizimit të mëtejshëm dhe programeve të privatizimit, zgjerimit të Partneritetit Publik Privat, dhe nismës së suksesshme “Shqipëria një Euro”, ne kemi ndërmarrë masa shumë të rëndësishme në lehtësimin e barrës burokratike të biznesit. Me regjistrimin elektronik, është shkurtuar koha e regjistrimit nga 42 ditë në 1 ditë, bazuar në praktikën “One Stop Shop”. Së shpejti do të zbatojmë këtë praktikë për licencat dhe lejet. Qeveria ka bërë një revolucion të vërtetë fiskal. Pas uljes me 150% të tatim fitimit dhe me 130% taksës së të ardhurave personale, ne vendosëm taksën e sheshtë me 10%. Ne kemi ulur me 50% taksën e biznesit të vogël, me 30% kontributet në sigurimet shoqërore, dhe 33% çmimin e energjisë për biznesin. Shqipëria është vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë dhe me koston më të ulët të prodhimit.
Lufta kundër informalitetit, ekstralegalitetit dhe reforma e pronësisë, ka qenë dhe është drejtim bazë i reformave tona.
Ekonomia Shqiptare po ecën tani me ritmet më të larta të zhvillimit ekonomik në rajon e vazhdon të zhvillohet në një mjedis makroekonomik të qëndrueshëm. Ka një shpërthim të interesit të investitorëve të huaj për investim në fushat e energjisë, minierave, bankave, turizmit, infrastrukturave të rëndësishme, etj. Prodhimi i Brendshëm Bruto rritet me rreth 6% çdo vit, inflacioni është i qëndrueshëm me rreth 2-4 % në vit, dhe deficiti i brendshëm buxhetor është rreth 2.6%. Eksportet shqiptare u rritën me rreth 28% gjatë vitit 2007, krahasuar me një vit më parë. Investimet e huaja, vitin e kaluar, ishin tri herë më të larta se mesatarja e 10 viteve të fundit dhe kreditë bankare për ekonominë janë rritur dhe rreth 3 herë në dy vjet, 70% e tyre i shkojnë biznesit privat.
Në dy vjet, fluksi i turistëve u rrit me 70%. Gjatë muajve të fundit, media e huaj e ka vendosur Shqipërinë në listën e 20 vendeve më tërheqëse për investimet e huaja.
Më 12 qershor 2006, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian. Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, zbatimi i Marrëveshjes së Ndërmjetme të MSA-së, në rastin e Shqipërisë, ka qenë i suksesshëm. Kjo ngjarje u pasua nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Lehtësimin e Vizave, në Bruksel, një muaj më parë.
Zonja dhe Zotërinj,
Si atlantistë të përkushtuar, ju jeni të ndërgjegjshëm për procesin e thellë të transformimit që po kalon Aleanca. Një proces të tillë po kalon dhe Shqipëria. Ne kemi ndërmarrë reforma serioze dhe shumë të suksesshme në sektorin tonë të mbrojtjes me qëllim krijimin e një ushtrie të vogël profesioniste, të mirëstërvitur, të mirëpajisur, e denjë të shpaloset përkrah ushtrive tuaja kudo në botë në misionet e NATO-s në ruajtje të paqes. Për të lehtësuar këtë shndërrim, ne rritëm buxhetin e mbrojtjes në 1.84% në 2007 dhe kemi planifikuar një buxhet në nivelin 2.07% të PBB-së, në vitin 2008, ose dy vjet më herët nga sa ishte planifikuar. Kalimi në një ushtri tërësisht profesioniste do të kryhet në 2010 në vend të 2013-s që ishte parashikuar.
Deri tani, Shqipëria ka hequr nga përdorimi të gjitha teknologjitë ushtarake të vjetra, ka eliminuar me sukses të gjithë agjentët kimikë dhe armët që ndodheshin në vend.
Gjatë këtyre 15 viteve të fundit, Shqipëria ka vendosur një bashkëpunim të ngushtë e luajal me Aleancën. Portet dhe aeroportet shqiptare, si dhe i gjithë territori i saj u vendosën në disponim të plotë të aleancës për të gjitha misionet e saj në shërbim të paqes në rajon. Shqipëria ka marrë pjesë në operacione dhe nisma të Aleancës në rajon e më gjerë si Bosnje, Afganistan. Vetëm tre muaj më parë, ne nisëm përveç njësive që kemi në Kabul, edhe një kompani në Herat. Jemi duke diskutuar tani mundësinë për të dërguar dy ekipe të vogla në Afganistan, për të trajnuar ushtrinë afgane.
Kemi nënshkruar pjesëmarrjen në operacionin Active Endeavour, në Detin Mesdhe, si dhe kemi shprehur vullnetin politik, për të marrë pjesë në grupin e forcave të gatshme të NATO-s. Republika e Shqipërisë dënon të gjitha aktet terroriste dhe do të vazhdojë të mbështesë operacionet amerikane dhe ndërkombëtare kundër këtij rreziku.
Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive Kartën e Adriatikut dhe ka arritur suksese të mëdha në bashkëpunimin me dy vendet e tjera të A-3-it. Ne vazhdojmë të mbështesim nismën e SEDM, SEEBRIG, RACVIAC, ADRION dhe South-eastern Europe Clearinghouse (SEEC).
Shqipëria ka kontributin e saj në paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale dhe ka bashkëpunimin miqësor e të gjithanshëm, jo vetëm në kuadrin e Kartës së Adriatikut 3, por me të gjitha vendet e Rajonit.
Shqipëria mbështet projektin e Presidentit Ahtisari, si dhe përpjekjet e Trojkës, përfshi periudhën 120 ditëshe, për të gjetur një zgjidhje përfundimtare të statusit të Kosovës.
Ne besojmë se plani i Presidentit Ahtisaari vazhdon të jetë dokumenti më i mirë i mundshëm për paqe dhe qëndrueshmëri afatgjate në Kosovë dhe në rajon. Ky plan ofron standarde gjithëpërfshirëse për të drejtat dhe liritë e minoriteteve serbe dhe minoriteteve të tjera, dhe për pavarësinë e Kosovës në përputhje me vullnetin e shumicës së qytetarëve të saj.
Zonja dhe Zotërinj,
E vërteta historike mbi marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, është ajo e marrëdhënieve midis pushtuesit dhe kolonisë. Në rast se bëjmë dallimin midis Serbisë dhe Serbisë se madhe rezulton se Kosova nuk ka qene kurrë pjese e Serbisë. Nga viti 1389 deri në vitin 1912 ajo ishte një nga katër vilajetet Osmane, me popullsi tërësisht shqiptare ne Ballkan. Në fillim të shekullit të kaluar, disa nga fuqitë e mëdha mendonin se shteti shqiptar duhej të shtrihej në të gjitha territoret ku shqiptaret ishin një vazhdimësi gjeografike dhe përbënin shumicën e popullsisë. Por fuqi të tjera të mëdha që dolën fituese te luftës, ne një nga padrejtësitë më të mëdha në historinë e Evropës. i ndanë trojet e banuara nga shqiptarët në 5 shtete ne Ballkan. Kosova iu dha si shpërblim Serbisë, për arsyen e vetme se ishte pjesë e një perandorie që humbi luftën dhe se besohej se serbet duhet te luanin rolin e xhandarit te Ballkanit.
Ne gjuhen zyrtare te Beogradit, serbet e Kosovës dhe ata qe dërgoheshin aty quheshin kolone. Administrata e vendosur ne ketë vend përbehej tërësisht vetëm nga serbet dhe te drejtën për tu punësuar ne ketë administrate e kishin vetëm kolonet. Historia e regjimit kolonial serb ne Kosove gjatë shekullit të kaluar, është një histori aparteidi, spastrimesh etnike dhe gjenocidesh te përsëritura.
Ishin varrezat masive dhe vrasja e popullatës civile, zhdukja e mijëra e mijëra njerëzve, shkatërrimi i mbi 130 mijë shtëpive në fshatrat dhe qytetet e Kosovës, dëbimi i 1 milionë shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, që ndërmori ne vitin 1999 Serbia e Milosevicit ne Kosove ato ngjarje qe shokuan ndërgjegjen njerëzore të qytetërimit perëndimor dhe, qe detyruan NATO-n të ndërmerrte betejën më të madhe ajrore që nga Lufta e Dytë Botërore, në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njerëzore të shqiptarëve të Kosovës.
Kjo është arsyeja pse sot, pavarësia e Kosovës sipas planit të Presidentit Ahtisaari, është në të vërtetë e vetmja zgjidhe që mund t’ia japë fund de jure pretendimeve koloniale të Beogradit mbi Kosovën. Është e vetmja zgjidhje që mund ta çlirojë Serbinë nga hija e Serbisë së Madhe, e cila ende mbizotëron aty, si dhe pasojat e një lufte te humbur. Sot Serbia nga njëra anë deklarohet si një partnere e NATO-s – dhe ne e përshëndesim këtë – nga ana tjetër e inkurajuar dhe nga qëndrimi bllokues i Rusisë ne Këshillin e Sigurimit te OKB-se, refuzon projektin e Presidentit Ahtisaari dhe akuzon NATO-n se po krijon shtetin e saj në Kosovë.
Shqipëria u bën thirrje autoriteteve të Kosovës të mos marrin veprime të njëanshme ne shpalljen e pavarësisë, por qëndrimet e tyre ti bashkërendojnë me qëndrimet e Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera mike, që kanë mbështetur planin e Ahtisaarit. Ne gjithashtu përshëndesim traktatin për bashkëpunim dhe pajtim me Serbinë, që udhëheqja politike e Kosovës ka paraqitur gjate bisedimeve te fundit, si një kontribut për paqen, qëndrueshmërinë dhe për të ardhmen e Ballkanit. Ne mbetemi te vendosur për te dhëne ndihmesën tone qe shqiptaret dhe serbet te nisin një kapitull te ri ne marrëdhëniet midis tyre, si interesi me i mire i këtyre popujve dhe paqes ne rajonin tone.
Së fundmi, do të doja ta mbyllja këtë fjalë duke përshëndetur rolin e madh që ATA ka luajtur dhe vazhdon të luajë në promovimin e idealeve që aleanca ka mbrojtur dhe zhvilluar që prej themelimit të saj.
Tani qe vetëm disa muaj na ndajnë nga Samiti i Bukureshtit, shfrytëzoj rastin t’ju risiguroj se Shqipëria, te gjitha institucionet e shtetit shqiptar janë tërësisht te vendosur te marrin çdo mase, te miratojnë çdo ligj, dhe te paguajnë çdo çmim te nevojshëm për suksesin e reformave te domosdoshme për te merituar ftesën për anëtarësim ne NATO.
Edhe një herë, ju falënderoj për vëmendjen.”