Presidenti i EDC-së, z.Eric Siegel: Do të inkurajojmë investitorët kanadezë për të investuar në Shqipëri

Kryeministri Berisha u prit gjatë vizitës së tij në Kanada, nga z. Eric Siegel, President i EDC-së (Agjencia për Zhvillimin e Eksporteve), i shoqëruar nga specialistë të EDC.
Presidenti i EDC-së, pasi i uroi Kryeministrit Berisha mirëseardhjen, u shpreh i sigurt për ndihmën që EDC mund të japë në inkurajimin e investitorëve kanadeze për të investuar në Shqipëri.
Z. Siegel tha se ai ishte në dijeni të progresit të reformave dhe ekonomisë Shqiptare në këto 2 vite, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, luftën ndaj konfliktit të interesit dhe evazionit fiskal.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i bëri Presidentit të EDC-së një panoramë të zhvillimit të reformave në Shqipëri, si dhe të potencialeve të mëdha që ka Shqipëria si turizmin, energjinë, infrastrukturën, pasuritë në minerale, tekstilet, bujqësinë, industrinë ë përpunimit të lëkurës etj..
Reformat tuaja na gëzojnë dhe na inkurajojnë për të investuar dhe bashkëpunuar me ju me projekte dhe me asistence. Ne kemi kapacitete financiare dhe teknike për të mbështetur investimet në Shqipëri dhe e dëshirojmë këtë, tha z. Siegel.
Gjithashtu bashkëbiseduesit u ndalën në konceptin e zhvillimit të parqeve industriale, në investimet në rrjetin rrugor, në paketat rajonale në investime, si dhe në mbrojtjen e mjedisit.
Ne jemi duke ndjekur disa fusha specifike për të bashkëpunuar me Shqipërinë, veçanërisht në shfrytëzimin e mineraleve dhe prodhimin e energjisë, vijoi z. Siegel.
Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin Siegel të vizitojë Shqipërinë për t’u njohur më nga afër me potencialet dhe bukuritë natyrore të saj, ftesë që z. Siegel e pranoi me kënaqësi.