E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e sheh me shumë seriozitet marrjen e ftesës për antarësim në NATO


Kryeministri Berisha gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Traktatit të Atlantikut, u përqëndrua në dy projektet më madhore të të gjithë shqiptarëve që janë integrimi në NATO dhe Bashkimin Europian. 

Duke falënderuar të pranishmit për përkrahjen, Kryeministri u shpreh se Shqipëria e sheh me shumë seriozitet marrjen e ftesës për antarësim në NATO në vitin 2008 dhe ka ndërmarrë reforma dhe përgjegjësi të reja, në kuadër të planit të veprimit të anëtarësimit.

“Asambleja Parlamentare e Atlantikut të Veriut, në deklaratat e saja, në Paris, në vitin 2006, dhe Reykiavik, në vitin 2007, u bën thirrje qeverive të vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut të ftojnë Shqipërinë në Asamblenë e NATO-s, në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit. Duke shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj qeverive dhe parlamenteve tuaja, si dhe ndaj NATO-s, unë dua t’ju siguroj se Shqipëria e mori këtë mesazh me seriozitetin më të madh, jo vetëm si një vlerësim i rëndësishëm për arritjet e saj, por edhe si një detyrim madhor për të ndërmarrë reforma dhe përgjegjësi të reja, në kuadër të planit të veprimit të anëtarësimit, të ciklit të 9-të”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri tha se Shqipëria është sot një vend tërësisht i hapur, partner dhe mik i vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, partnere të NATO-s, vend që ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe që ka dhënë kontributin e saj real në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit.

Kryeministri paraqiti më tej disa nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, si lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, lufta kundër korrupsionit, reformat ekonomike, lufta kundër informalitetit, reforma e pronësisë, etj.

Si rezultat i këtyre reformave, u shpreh Kryeministri, Shqipëria nënshkroi një muaj më parë Marrëveshjen për Lehtësimin e Vizave me Bashkimin Europian.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri u ndal dhe në çështjen e Kosovës duke shprehur mbështejen për projektin e Presidentit Ahtisari, si dhe përpjekjet e Trojkës, duke përfshirë periudhën 120 ditëshe, për të gjetur një zgjidhje përfundimtare të statusit të Kosovës.

Në përfundim të fjalës së Kryeministrit Berisha, Presidenti i Këshillit të Traktatit të Atlantikut, amb. Robert E. Hunter, falenderoi Kryeministrin Berisha për fjalën e tij dhe vlerësoi vendosmërinë e qeverisë dhe të Kryeministrit Berisha si dhe  arritjet e mëdha të qeverisë  shqiptare në realizimin e reformave te ndermarra në këto vite si dhe rezultatet e shkëlqyera në të gjitha fushat në përmbushje të standarteve për anëtarësimin në NATO.

Më tej, zoti Hunter shtoi se prezantimi që  Kryeministri Berisha i bëri arritjeve dhe standarteve të Shqipërisë pasqyrojnë një vend që moralisht është aleat i NATO-s.

Duke shprehur mbështetjen e Këshillit të Traktatit të Atlantikut, ai u shpreh se Shqipëria, me arritjet dhe nivelet e pabesueshme të  zhvillimit që ka arritur gjatë këtyre 15 viteve e meriton të bëhet anëtare a NATO-s dhe meriton të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›