E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon komunitetin e shqiptarëve në Kanada

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë në Kanada, mori pjesë në një pritje organizuar posaçërisht për të nga Komuniteti i Shqiptarëve me banim në Kanada.

Gjatë këtij takimi mjaft të ngrohtë, komuniteti i shqiptarëve me banim në krahinat e ndryshme të Kanadasë i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha, duke e falënderuar atë për vizitën dhe duke shprehur entuziazmin e thellë të shqiptarëve atje për takimet e frytshme që Kryeministri Berisha ka zhvilluar me personalitetet më të larta të politikës dhe biznesit kanadez.

Në fjalën përshëndetëse gjatë kësaj pritjeje, Kryeministri Berisha u shpreh mjaft i emocionuar që ndodhej në mesin e shqiptarëve të Kanadasë nga gjithë trevat shqiptare, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mali i Zi.

Veçanërisht, Kryeministri Berisha u ndal në kontributin që emigrantët shqiptarë në botë japin për atdheun dhe familjet e tyre.

 Duke i përgëzuar ata për hapjen e shkollës shqipe, Kryeministri Berisha vuri theksin mbi edukimin e fëmijëve me gjuhën dhe kulturën shqiptare duke u garantuar të pranishmëve se, nëpërmjet përfaqësive diplomatike, të mbështetur nga qeveria shqiptare, shqiptaret do të pajisen me tekste dhe materiale të tjera të nevojshme për edukimin shkollor të fëmijëve të tyre.

Më pas, Kryeministri Berisha u ndal edhe në problemin e statusit të Kosovës ku theksoi nevojën për stabilitet në rajon.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›